Kryesore » 2012 » Shkurt » 2 » Republika e Editës (AUDIO)
8:53 AM
Republika e Editës (AUDIO)
Në konferencën për media, të mbajtur të martën, shefja e ekipit negociues të Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri, në përpjekje për të relativizuar dhe mbrojtur koncesionet që po i bën në bisedimet në Bruksel, ka tentuar që topin e përgjegjësisë ta hedhë në oborrin e "Kohës Ditore”, duke akuzuar gazetën se në shkrimin "Kosova heq dorë nga Republika, Serbia nga 1244", të datës 26 janar 2012, nuk ia ka raportuar fjalët mirë, dhe ka bërë "redaktim politik".Derisa gazeta gjithsesi qëndron prapa raportit të botuar, i cili është shkruar bazuar në bisedën me burime ndërkombëtare dhe vetë Edita Tahirin, në mënyrë që të demaskojmë përpjekjet e zëvendëskryeministres Tahiri që përgjegjësinë e vet ta fshehë duke sulmuar mediat, po e botojmë transkriptimin e plotë të bisedës që ka zhvilluar gazetari me të, në një telefonatë, që u bë me kërkesë të vetë Edita Tahirit, dhe jo nga gazetari, meqë ajo dëshironte të sqaronte disa raporte të botuara nga agjencia serbe e lajmeve "Tanjug".

Për më tepër, të nesërmen, në ditën kur është botuar shkrimi "Kosova heq dorë nga Republika, Serbia nga 1244", Edita Tahiri ka telefonuar edhe një herë gazetarin e "Kohës Ditore” për t’i shprehur falënderimet e saja për korrektësinë e shkrimit, të cilin e ka quajtur të balancuar, meqë kemi raportuar se jo vetëm Kosova heq dorë nga Republika, por edhe Serbia heq dorë nga Rezoluta 1244!

Pse tani, një javë më vonë, Tahiri vendos që të na akuzojë për të njëjtin shkrim që i pëlqeu një javë më parë, dhe ndaj të cilit për një javë nuk ka dërguar asnjë reagim, as sqarim e as demant ndaj shkrimit – i mbetet Edita Tahirit ta sqarojë vetë. Është ndërgjegjja e saj, jo e jona!

Ne, sikur edhe i tërë publiku kosovar, vetëm mund të supozojmë se një prej arsyeve mund të jetë që shefi i saj, Hashim Thaçi, me të parë shkrimin e "Kohës Ditore” dhe reagimet negative të publikut ndaj këtij koncesioni që po bën Kosova në bisedime me Serbinë, ka ndërruar pozicionin – ai vetë, në mbledhjen e Qeverisë, ka zgjedhur të etiketojë kritikët e dialogut dhe heqjes së Republikës nga emërtimi i Kosovës si "injorantë e disfatistë”.

Asgjë e re - nuk është hera e parë që kjo Qeveri thotë një gjë sot, e demanton veten nesër.

Megjithatë, në rastin e fundit me heqjen e Republikës mund vetëm të konstatojmë se ndihemi shumë mirë që raportimi jonë dhe debati i hapur publik e kritik në lidhje me lëshimet që bën Qeveria e Kosovës në procesin jotransparent të dialogut me Serbinë, ka detyruar tërheqjen e Edita Tahirit dhe shefit të saj nga koncesionet dhënë Serbisë në dialog - për së paku një ditë! Sado taktike që është tërheqja, dhe sado e përkohshme të jetë, ajo është provë se presioni publik ka efektin e vet ndaj zyrtarëve, të cilët, nëse nuk monitorohen nga shoqëria, janë në gjendje të bëjnë koncesione pa limit.

Dhe, fare në fund, na duhet të falënderojmë edhe Edita Tahirin që po na tregon se puna jonë ka efekt! Premtimi jonë për të është se nuk do të ndalemi!

Redaksia

"Koha Ditore”

* Fusnota: Termi Republika e Editës përdoret pa prejudikim të pozicionit që kanë ndaj këtij termi Hashim Thaçi, Atifete Jahjaga, Jakup Krasniqi, e dy milionë njerëz të tjerë.

Dëgjojeni incizimin e asaj që Edita Tahiri i ka thënë ‘Kohës Ditore’ para një jave

Teksi i bisedës me Edita Tahirin

Biseda me Edita Tahirin, e zhvilluar më 25 janar 2012, në orën 15:00, ku ajo shpjegon për problemin që ka me fusnotën në disa artikuj, e jo me heqjen e fjalës Republikë.

Koha Ditore: A është pranuar prej palës kosovare konkluzioni që Kosova të paraqitet vetëm me ermin Kosova dhe me një fusnotë?

Edita Tahiri: Në kuadër të bisedimeve për përfaqësimet rajonale tashmë janë definuar disa faza. Ato janë se Kosova do të përfaqësohet si shtet, me institucionet e saja shtetërore. Do të jetë vetë shteti nënshkrues i të gjitha marrëveshjes dhe organizimeve rajonale. Për sa i takon denominimit ende nuk ka një zgjidhje, sepse qëndrimi i palëve është shumë larg njëra-tjetrës. Ky qëndrim në fakt është, sepse Serbia ende vazhdon insistimin anakronik për referencën e Rezolutës 1244, ndërkohë që ne si palë jemi të prerë dhe refuzojmë një fusnotë që mund të përmbajë këtë rezolutë. Në anën tjetër, deri më tash nuk ka pasur formulime për të cilat është kërkuar deklarimi, sepse pak a shumë Serbia ka qenë refuzuese e të gjitha varianteve që kanë dalë deri më tash. Po e ritheksoj këtë për median tuaj, meqë mediat serbe kanë folur për një formulim që flet për pa paragjykim për statusin. Në fakt nuk ka pasur këso propozimesh. Propozimet që kanë qenë lidhen me një formulim që thotë: pa prejudikim të pozicionit të shteteve ndaj statusit. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton realitetin ekzistues të pavarësisë së Kosovës që ato shtete që e kanë njohur pavarësinë dhe faktin që disa shtete nuk e kanë njohur pavarësinë. Pra reflektim i një realiteti që Kosova është shtet i pavarur i njohur nga shumica e vendeve të rajonit, ndërkaq formulimi i fusnotës përfshin edhe faktin që kanë disa shtete që ende nuk e kanë njohur.

KD: Kështu edhe është prezantuar në artikullin tonë. Mediat serbe e kanë marrë prej nesh e jo ne prej tyre.

Tahiri: Shiko. Mediat serbe a po e dinë ku është dallimi, a ta shpjegoj edhe një herë?

KD: Pa paragjykimin e pozicionit të shteteve për statusin.

Tahiri: Po, ky është dallimi. Jo pa prejudikim të statusit, po pa prejudikim të pozicionit të shteteve për statusin.

KD: Po, po, por kështu e kemi prezantuar edhe ne.

Tahiri: Ju e keni prezantuar shumë saktë në një artikull që e keni pasur para dy javësh. Unë e kam lexuar dhe nuk kam reaguar, sepse ka qenë i bazuar. Mirëpo Tanjugu që është cituar dje ose pardje, e ka keqinterpretuar versionin e fusnotës. Andaj kisha dëshirë të flisja për këtë. Kisha shtuar edhe diçka. Me fjalë të tjera, fusnota nuk merret me statusin, sepse Serbia nuk paragjykon statusin e Kosovës. Fusnota reflekton pozicionin e shteteve për statusin e Kosovës.

KD: Ne do të fokusohemi më shumë në atë që e shohim më të ndjeshme. Fjala "Republikë” nuk do të përmendet në prezantimin ndërkombëtar të Kosovës. A i bie që po hiqni dorë nga Republika?

Tahiri: Situata e tashme e Kosovës, për shkak se disa shtete nuk e kanë njohur, ngjan me modelin e Maqedonisë, pasi Greqia nuk e ka njohur me emrin e saj. Modeli i Maqedonisë është pikërisht me fusnotë. Fusnota që do të përdoret në rastin e Kosovës është reflektim i këtij realiteti, dhe fusnota është e përkohshme derisa të ndodhë njohja e plotë nga vendet e rajonit, sepse është fjala vetëm për bashkëpunime rajonale.

KD: A nuk është më i ndjeshëm rasti i Kosovës, duke e pasur parasysh se Maqedonia është shtet në OKB dhe Greqia nuk ka tendenca të zhbërjes së Maqedonisë, siç ka Serbia ndaj Kosovës. Kosova nuk është shtet në OKB dhe i rrezikohet ekzistenca. A është më fragjile që në këto rrethana Kosova të pranojë të prezantohet me këtë formulim?

Tahiri: Ky formulim reflekton këtë realitet që kemi në rajon. Nuk është vetëm Serbia që nuk e ka njohur Kosovën, por janë edhe Bosnja, Rumania, Moldavia, të gjitha këto shtete nuk janë në kornizën e Evropës Juglindore. Andaj në praktikat ndërkombëtare gjenden formulime që i bëjnë të gjitha shtetet pjesëmarrëse në bashkëpunim rajonal që të mos gjejnë arsye për të kundërshtuar. Këto praktika njihen. Unë e përmenda rastin e Maqedonisë, që edhe pse është shtet në OKB, kur përfaqësohet në BE ose në OKB paraqitet me fusnotë.

Marrëveshjet duhet parë në kontekst të realitetit. Vetë fakti që Kosova do të përfaqësohet me institucionet e saja shtetërore, do të jetë nënshkruese dhe nuk do të jetë më UNMIK-u pjesë e delegacioneve, tregon se shteti përfaqësohet vetë dhe vetëm në aspekt të denominimit...

KD: A do të përdoret i njëjti formulim edhe në nënshkrimin e marrëveshjes me BE-në?

Tahiri: Vetë fakti që BE-ja ia ka dhënë Kosovës marrëdhëniet kontraktuale, nënshkrimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe BE-së do të bëhet me fusnotë, por përmbajtja e fusnotës nuk do të jetë e ngjashme. Aty do të reflektohet realiteti që shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur Kosovën, përveç atyre të pestave. A do të jetë kaq implicit apo jo nuk e di, por një realitet do të pasqyrohet, por esenciale është vetë fakti që Kosova do të nënshkruajë marrëveshje me BE-në. Kjo i jep mundësi Kosovës që të jetë partner zyrtar në procesin e integrimeve. Ne kemi qenë në këtë proces, po nuk kemi qenë shtet kontraktual. Duke qenë shtet kontraktual, mundësia për t’ i çuar përpara reformat evropiane është më e madhe, pra do të kemi mundësi më të mëdha për t’i çuar përpara reformat evropiane./Koha/
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus