Janë bërë katër muaj që Kosova ka pranuar njohjen e fundit të pavarësisë nga një shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në fund të listës së vendeve që kanë konfirmuar njohjen ndodhet Sulltanati i Omanit. Vendimin e kishte marrë më 4 shkurt. Kjo periudhë përbën rekord të zi. Prejse është shpallur pavarësia e Kosovës në shkurt të 2008-s, bllokadë kaq të gjatë njohjesh nuk ka pasur, shkruan Koha Ditore. Autoritetet kosovare kanë arsyetuar më herët mungesën e njohjeve me nisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër i ngarkuar veçanërisht për njohje, ka thënë se Kosova do ta ketë të vështirë për t’i bindur shtetet që të marrin vendimin për njohje, për shkak të hapjes së bisedimeve.
"Shumë shtete thonë se ju jeni duke biseduar tash – rregulloni marrëdhëniet me Serbinë dhe ne ju njohim më vonë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kanë përmendur ndonjë pengesë specifike. Zëdhënësi Artan Behrami ka thënë se ka shumë faktorë.
"Mendoj se janë shumë faktorë pse ka hezitime nga disa shtete, por ne jemi duke u munduar t’u shpjegojmë se pas vendimit të GJND-së, që e ka bërë legjitime shpalljen e pavarësisë, nuk kanë arsye që të mos na pranojnë”, ka thënë Behrami. "Ne jemi në proces që ta shpjegojmë këtë dhe natyrisht që Serbia është duke u munduar që çdo ngjarje e cila bëhet, ta shfrytëzojë kundër nesh”.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus