Rrjeti shtetëror i komunikimit elektronik po përdoret nga zyrtarë qeveritarë për të reklamuar bizneset e tyre private. Reklama e fundit është ajo për "Universitetin e Biznesit”.Artan Nimani, një zyrtar i PDK-së që punon si analist i lartë i buxhetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, reklamën për këtë që e ka quajtur universitet, në të cilin ka aksione ai e që në fakt është kolegj universitar, e ka shpërndarë në qindra adresa të zyrtarëve të ekzekutivit.Në emailin që e kishte nisur të enjten, në orën 15:31, subjektit ia kishte lënë titullin: Universiteti i Biznesit. Ndërsa, bashkëngjitur ishte informata për konkursin që ka shpallur kolegji, për të regjistruar studentë në vitin akademik 2011-2012. Aty tregoheshin edhe programet e studimit në nivelin bachelor dhe master, si dhe oferta për të paguar studimet me këste, në lartësinë prej 84 euro në muaj.Kjo i kishte shqetësuar kolegët. Shumë përgjigje i janë bërë këtij e-maili reklamues, ndërsa "Koha Ditore” ka parë një pjesë të madhe të tyre. Një nga ta është ai i punonjësit të Qeverisë, A. Rr. "O zt. Nimani, mos e keqpërdorni resursin publik dhe shtetëror për nevoja dhe interesa private”, i kishte shkruar ai. "Na keni lodhë”.Afërisht kështu kishte shkruar edhe A. P., një tjetër punonjës i ekzekutivit. "Ashtu si kolega mendoj edhe unë”, kishte shkruar ai. "Na keni lodhë”.
Hasan Preteni, shef i Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka shprehur qëndrimin se shfrytëzimi i rrjetit qeveritar (e-mailit zyrtar) për ftesë studimi në universitetet private nga zyrtarët e lartë, është situatë konflikti i interesit.
Reagime ka pasur edhe nga shërbimi i administrimit të këtij rrjeti zyrtar, për çka Nimani kishte vendosur të jap këtë përgjigje: "Shpresoj të mos ju kam shqetësuar me këtë email”.
Aty nuk kishte thënë se gabimisht e kishte dërguar emailin, arsyetim ky që ia ka dhënë "Kohës Ditore” në prononcimin telefonik.
"Ka ndodhur gabim teknik. Bile jam munduar dje që me e tërhjekë para se me u shpërnda, por menjëherë e ka shpërnda komplet rrjeti”, është arsyetimi i Nimanit, i cili e ka gradën e doktorit dhe është profesor universitar.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus