Kryesore » 2011»Dhjetor»21 » Radio Dukagjini reagon ndaj sondazhit për dëgjueshmërinë
3:50 PM
Radio Dukagjini reagon ndaj sondazhit për dëgjueshmërinë
Radio Dukagjini ka reaguar të mërkurën për një raport lidhur me një sondazh për dëgjueshmërinë e radiove, e që është transmetuar në RTK. Sipas Bordit të Radio Dukagjinit, televizioni publik RTK në edicionin e Lajmeve Qendrore të datës:19.12.2011, ka transmetuar një raport të bazuar në sondazhin e një organizate prestigjioze që për RTK-në është anonime dhe që këtë televizion dhe Radio Kosovën e radhit në vendin e parë për shikueshmërinë , dëgjueshmërinë , besueshmërinë dhe pavarësinë editoriale. Krahas mediave të tjera që "ngecin” në radhitje përmendet edhe "Radio Dukagjini". "Ne, Radio Dukagjini, ndjejmë obligim moral dhe profesional ndaj opinionit, në radhë të parë dëgjuesve tanë, të sqarojmë disa fakte të cilat flasin ndryshe! Radio Dukagjini ka siguruar kopjen e sondazhit e realizuar nga UBO CONSULTING, që do të thotë kjo organizatë ka emër dhe nuk është anonime. Sondazhi është i porositur nga Komisioni Evropian ku qëllim primar kishte matjen e vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës për integrimet evropiane. Shihet nga sondazhi që qëllimi në opinion nuk është arritur”, thuhet në reagim.
Kur janë pyetur respodentët nëse ndonjëherë kanë dëgjuar në radio buletinin e quajtur "Evropa sot në Kosovë”, 99% prej tyre thonë jo. Ky emision për të cilët janë pyetur respodentët nuk transmetohet në Radio Dukagjin, por në Radio Kosova.
"Radio Dukagjini si medium kombëtar nuk ka pasur projekte apo donacione duke dashur që ta ruaj pavarësinë profesionale dhe financiare. Ajo që na brengos është metodologjia e punës së sondazhit. Nuk është shpjeguar se si është përzgjedhur mostra e respodentëve . Çështje tjetër është përkatësia etnike e respodentëve. Në sondazh thuhet se 70 % janë shqiptarë ndërsa 30% serb dhe minoritete të tjerë. Kjo që në fillim e dëmton Radio Dukagjinin i cili emiton program vetëm në gjuhën shqipe”, bëhet e ditur në reagim.
Sipas Bordit të Radio Dukagjinit, në sondazh ceket se Radio Kosova është më e dëgjuara. Ndërkaq, në pyetjet që u janë parashtruar respodentëve asnjëra nga to nuk ka të bëjë me atë se cila radio dëgjohet më shumë, pos që pyetet se nga cila radio merren informacionet.
Po ashtu, thuhet se në pyetësorin e sondazhit nuk janë përfshirë edhe dy radio tjera kombëtare, Radio KFOR dhe Radio 21. "Bazuar në këto të dhëna dhe sondazhet e mëhershme të organizatave vërtetë prestigjioze të cila kanë emër dhe adresë, konkludojmë se sondazhi është tendencioz jo profesional i porositur dhe i publikuar në kohë dhe për qëllime të caktuara për të cilat ne kemi fakte”
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus