Kanë kaluar më shumë se tre vjet që kur është shpallur pavarësia e Kosovës, dhe Qeveria, si njëra nga shtyllat kryesore të shtetit, vazhdon të funksionojë mbi bazën e një Rregulloreje që e bart vulën e UNMIK-ut. Ajo është hartuar qysh në kohën kur kryeministër ka qenë ministri aktual i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, por është miratuar nga kabineti i kryeministrit të tashëm, Hashim Thaçi, vetëm një javë pasi është pavarësuar vendi, përkatësisht më 24 shkurt të vitit 2008. Ashtu siç është e postuar në ueb-sajtin e Qeverisë, Rregullorja e punës së ekzekutivit vendës është e mbështetur në Kornizën Kushtetuese të Kosovës, e cila ishte nënshkruar më 11 maj të vitit 2001 nga ish-përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Hans Haekkerup. Zyrtarë të Kryeministrisë, të premten, nuk kanë treguar gatishmëri për t’iu përgjigjur interesimit të Kohës Ditore për arsyet që Qeveria vazhdon të mos e zhvleftësojë Rregulloren e vjetër, për ta zëvendësuar atë me një të re, ashtu siç ka bërë edhe Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar. Drejtori i zyrës për komunikim publik në Kryeministri, Arianit Bytyçi ka thënë se për këtë çështje mund të japë shpjegime drejtori i sekretarisë koordinuese të Qeverisë, Eset Rama, mirëpo ky i fundit ashtu sikur edhe sekretari i përhershëm i Zyrës së kryeministrit, Fitim Krasniqi, kanë qenë të pakontaktueshëm. Në fakt, në mungesë të zëdhënësit të Qeverisë është dashur që për këtë punë të flasë vetë drejtori i Zyrës për komunikim publik, pasi kështu është e definuar edhe me Rregulloren për shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun.
Hajredin Kuçi, që është njëri nga gjashtë zëvendëskryeministrat dhe ministër i Drejtësisë, ka thënë se Qeveria aktualisht funksionin sipas Rregullores mbi fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe të ministrive, e që është e mbështetur në Kushtetutën e Kosovës. "Rregulloren e re e kemi miratuar në këtë mandat qeverisës”, ka thënë ai përmes një SMS-je. Mirëpo një tjetër zyrtar i lartë i Qeverisë e ka kontestuar atë që ka thënë Kuçi, duke theksuar se Qeveria e Kosovës vazhdon të funksionojë me Rregullore të vjetër
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus