Kryesore » 2011 » Tetor » 27 » Qeveria në katër rrota
3:47 PM
Qeveria në katër rrota
Më mirë vetura luksoze, sesa investime kapitale. Kështu kanë vendosur disa ministri të Qeverisë së Kosovës, me aprovim të kryeministrit Hashim Thaçi, që qindra mijëra euro të planifikuara në fillim të vitit për shpenzime kapitale në vend, t’i zëvendësojnë me blerje të veturave.
Disa ministra, siç është ai i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, 50 mijë euro të parapara për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, në kuadër të projektit "Turizmi Kulturor i Kosovës” ka vendosur t’i rialokojë në blerje të veturës.Ndërsa ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka hequr dorë nga blerja e pajisjeve teknologjike në vlerë prej 60 mijë euro, duke i dhënë përparësi kështu blerjes së veturave për administratë. Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në vend kritikojnë ashpër ekzekutivin e vendit në lidhje me shpenzimet astronomike, siç thonë ata, për luks. Sipas tyre, në fillim të mandatit të parë si kryeministër, Hashim Thaçi kishte premtuar uljen e shpenzimeve të luksit, duke i zëvendësuar ato me investime kapitale. Mirëpo, kjo ka dëshmuar të kundërtën gjatë mandatit të kësaj qeverie, thonë ata.

***

530 mijë euro për blerje të veturave të reja

Vendimi për harmonizimet e brendshme, kursimet dhe ndarjet e reja buxhetore është marrë më 19 tetor 2011 nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky vendim nga shefi i ekzekutivit është marrë me propozim të ministrit të Financave, Bedri Hamza, të cilin propozim ky i fundit e ka bazuar në Ligjin e buxhetit 04/L-001, neni 14 paragrafi 3.

Disa ministri madje kanë preferuar që blerjen e veturave ta cilësojnë si investime kapitale.

Kështu, Ministrisë së Diasporës, që udhëhiqet nga Ibrahim Makolli, do t’i reduktohen 190 mijë euro nga programi i administratës nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, të cilat do të transferohen në kategorinë e shpenzimeve kapitale në projektin "blerja e veturave”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në krye të së cilës është Besim Beqaj, 110 mijë euro nga kategoria ekonomike e mallrave dhe shërbimeve do t’i transferojë në llogarinë ekonomike të shpenzimeve kapitale për projektin "blerja e veturave”.

Ministria e Punëve të Jashtme, që udhëhiqet nga Enver Hoxhaj, për blerje të veturave do t’i shpenzojë 110 mijë euro, të cilat më herët kanë qenë të planifikuara të shpenzohen për pajisje teknologjike dhe mobilie për ambasadat e Kosovës.

Ministria e Integrimeve Evropiane e Vlora Çitakut do t’i shpenzojë për blerje të veturave 70 mijë euro, të cilat më herët kanë qenë të planifikuara në programin e administratës qendrore.

Ndërsa Ministria e Kulturës e Memli Krasniqit do t’i shpenzojë 50 mijë euro për blerje të veturës, të cilat në fillim të vitit ishin të planifikuara të shpenzohen për ruajtjen, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në kuadër të projektit "Turizmi kulturor i Kosovës”.

Të kundërtën e ka bërë Kuvendi i Kosovës. Ky institucion, që udhëhiqet nga Jakup Krasniqi, ka vendosur që me 130 mijë euro të planifikuara për blerje të veturave për nevoja të këtij institucioni, t’i rialokojë në projektin "Renovimi i zyrave dhe sallave të aneksit”.

Qeveri e luksit

Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se qeveria aktuale po e vë në rrezik Kosovën në aspektin financiar.

Ai thotë se qeveria Thaçi duhet të heqë benificionet dhe luksin për t’i rritur shpenzimet kapitale, e jo të ndodhë e kundërta, të rritë luksin e të ulë shpenzimet.

"Nëse e kanë bërë këtë veprim, marre iu qoftë atyre. Çdo fjalë më shumë dhe çdo koment në lidhje më ketë është tepër”,tha ish- ministri.

Ai thotë se në aspektin ekonomik Kosovën e presin ditë të këqija, pasi që deri më tash Qeveria ka shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të rezervave shtetërore, kështu që sipas tij viti 2012 do të fillojë pa asnjë cent në llogari të shtetit.

Sipas ish- ministrit Shatri, bartja e mjeteve nga një kategori buxhetore në kategori tjetër do të ishte normale, nëse bëhej nga ajo e mallrave dhe shpenzimeve në atë të investimeve kapitale në ndërtimin e ndonjë rruge, apo edhe shkolle, por është totalisht e pakuptueshme kur Qeveria heq paratë nga një projekt për zhvillim ekonomik dhe i bart ato në kategorinë buxhetore për blerje të veturave zyrtare.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Driton Tali, thotë se Qeveria aktuale në vazhdimësi po abuzon me paratë e taksapaguesve kosovarë.

Sipas tij, blerja e veturave në vazhdimësi është një luks i tepruar.

Ai thotë se ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në vazhdimësi ka deklaruar se është milioner dhe vjen nga një familje e pasur.

Sipas tij, një milioner si Beqaj ndjek trendin e veturave me para të taksapaguesve kosovarë.

Ndërkaq, sipas Talit, pjesa tjetër e ministrave, që disa nga ta rrjedhin nga familje të varfra e kanë pasur ëndërr të voziten në një veturë të re, pasi që ata nuk kanë pasur mjete financiare për ta blerë atë.

"Shumë thjesht, ministrat e kësaj qeverie, e cila po e drejton Kosovën, po bëjnë një jetë sikur e kanë parë në filma, si në aspektin e luksit, ashtu edhe në aspektin e sjelljeve në opinion”, tha ai.

Profesor Tali thotë se Qeveria e Kosovës është tej mase e ngarkuar me administratë. Sipas tij, numrin e shërbyeseve civilë në administratë dhe luksin që bëjnë ata nuk mund t’ua kalojë asnjë qeveri tjetër e vendeve më të zhvilluara.

Ndërkaq Avni Zogiani, nga organizata për dinjitet dhe antikorrupsion "Qohu” thotë se qeveria e tanishme është duke abuzuar rënde me fondet publike.

Ai thotë se kjo qeveri ka një kosto më të lartë se të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr Kosovën nga mbarimi i luftës e deri më tash, por po ashtu në raport me buxhetin është qeveria më e shtrenjtë në rajon.

"Kur ka filluar mandatin si kryeministër, Hashim Thaçi ka premtuar se veprim i tij i parë do të jetë shkurtimi i buxhetit për mallra dhe shërbime. Po ashtu, ai ka premtuar se veturat e qeverisë nuk do të merren në shtëpi, por këto premtime tashmë i takojnë së kaluarës, pasi që shpenzimet janë rritur në mënyrë drastike, ndërkaq në mbrëmje asnjë veturë nuk mund ta gjesh në oborr të institucioneve”,tha ai.

Sipas tij, Kosova udhëhiqet nga një pushtet arbitrar, në një luks të tepruar, gjersa më shumë se gjysma e popullatës janë të papunë dhe jetojnë në varfëri të skajshme.

Zogiani tha se qeveria aktuale nuk interesohet për zhvillim ekonomik të vendit, por vetëm interesohet për t’ia rritur luksin dhe buxhetin vetes, përmes tenderëve të ndryshëm.

"Kryeministri pati premtuar se ministrat do të shkojnë në punë këmbë. Ata jo që nuk e bëjnë një gjë të tillë, por në raport me qeveritë e kaluara ata kanë rritur shpenzimet edhe për këtë qëllim”,tha ai.

Blihen vetura të reja, ekzistueset "falen”

Derisa mbi gjysmë milioni euro pritet të shpenzohen për vetura të reja, javë më parë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila drejtohet nga Mimoza Kusari – Lila, përmes një ankandi ka shitur hiç më pak se 172 vetura për 234 mijë euro, ku mesatarja për veturë i bie rreth 1200 euro.

Veturat e dala në ankand, sipas zyrtareve të kësaj ministrie, janë kryesisht xhip "KIA Sportage”, të cilat i ka përdorur deri vonë Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të ankandit, këto vetura janë të prodhuara në vitin 2001, 2002 dhe 2003.

Në njoftimin zyrtar për shitjen e tyre thuhet se shitja e automjeteve bëhet në pajtim me Ligjin për tregtinë e brendshme, udhëzimin administrativ nr. 2008/03 "për procedurat e shitjes së mallrave me ankand publik” dhe vendimit të Qeverisë së Kosovës nr. 07/22 .

Sipas tyre, të drejtë pjesëmarrjeje në ankandin publik kanë pasur të gjithë personat fizikë dhe juridikë, duke paguar pjesën garantuese për pjesëmarrje në ankand në vlerë prej 10% të çmimit fillestar të ankandit.

Bajram Shala, zyrtar për media në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka deklaruar më herët për "Zërin” se në këtë ankand kanë qenë 272 vetura, ku vetëm 195 janë shitur

Sipas tij, nga shitja e tyre, ministria ka mbledhur 234 mijë e 199 euro.

Për kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, institucionet e vendit në vazhdimësi përballen me kritika dhe akuza për menaxhim jo të mirë të parasë publike..

Sipas tij, edhe në rastin e shitjes së veturave përmes ankandit, institucionet e vendit do duhet të kujdesshin që ato vetura të riparohen, e jo të shiten me çmime ekstrem të ulëta.

Ai pati deklaruar për "Zërin” se me veprime të tilla në masë të madhe dëmtohet pasuria e shtetit, e krijuar nga taksat që qytetareve të Kosovës.

"Qeveritarët tanë duhet më shumë të kujdesen për pronën shtetërore, sepse ajo është e krijuar me djersën e qytetarëve të Kosovës”, pati thënë ai.

Alejtin Berisha, drejtor i universitetit "Universum” në Prishtinë thotë se Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar Kosovës që të reduktojë shpenzimet.

Sipas tij, Kosova aktualisht nuk mund t’i reduktojë shpenzimet për paga, por mund t’i reduktojë shpenzimet në kategori tjera buxhetore.

"Kur pjesa dërrmuese e kosovarëve ecin me vetura të vjetra mbi 10 vjet, pse një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë edhe zyrtarë të institucioneve”, tha ai.

Shpenzimet e ministrave për blerje të veturave

Ibrahim Makolli 190 000 euro

Besim Beqaj 110 000 euro

Enver Hoxhaj 110 000 euro

Vlora Çitaku 70 000 euro

Memli Krasniqi 50 000 euro
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus