Kryesore » 2012»Dhjetor»3 » Qeveria miraton projektligjin për përgjime telefonike
2:40 PM
Qeveria miraton projektligjin për përgjime telefonike
Vetëm pak ditë pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë të PDK-së, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ndonëse e ka arsyetuar këtë projektligj si të nevojshëm për liberalizim vizash, ai ka pranuar se zhvillimet e fundit e kanë përshpejtuar dërgimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës, raporton KTV-ja. Kuçi nuk ka dashur të komentojë përgjimet, por ka thënë se për këto duhet të bëhen hetime nga EULEX-i në bashkëveprim me institucionet kosovare të drejtësisë. Ai ka thënë se me këtë projektligj do të mbrohet privatësia. Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin qeveritar se nesër do të zhvillohet takimi i radhës me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, në Bruksel. Ai ka thënë se në këtë takim pritet të diskutohet për IBM-in, hapjen e zyrave ndërlidhëse, si dhe përshpejtimin e agjendës për autostradën Prishtinë- Nish. Sa i përket IBM-it, kryeministri ka thënë se tashmë janë në përfundim edhe punët teknike dhe se së shpejti pritet fillimi i implementimit. Kjo do të shënojë një kthesë të madhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ka thënë Thaçi, duke shtuar se është hera e parë që Serbia e ka të qartë se Kosova dhe Serbia do të kenë kufij të përcaktuar.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus