Kryesore » 2011 » Tetor » 8 » Qeveria e Kosovës në favor të Serbisë
3:24 PM
Qeveria e Kosovës në favor të Serbisë
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janar-qershor, Serbia ka eksportuar drejt Kosovës rreth 489 milionë e 745 mijë euro mallra neto, ndërsa Kosova ka arritur të eksportojë vetëm 10 milionë e 307 mijë euro mallra neto. Sipas ekspertëve ekonomikë, leverdia që e ka Serbia për të eksportuar në Kosovë vërehet në çdo formë dhe prapë po e shkel marrëveshjen e arritur në Bruksel, që, sipas tyre, këtë po e bën ngase Qeveria e vendit nuk ka vetëbesim.Statistikat doganore flasin për shuma tejet të larta të eksportit të Serbisë drejt Kosovës. "Nga Serbia për në Kosovë janë eksportuar 489 milionë e 745 mijë euro mallra neto, për të cilat bazë doganore është paguar 142 milionë e 949 mijë euro, ndërsa Kosova ka arritur të eksportojë për në Serbi vetëm 10 milionë e 307 mijë euro mallra neto ose për të cilat është paguar bazë doganore vetëm 1 milionë e 721 mijë euro”, thuhet në statistikat doganore të Kosovës për 6-mujorin e parë të vitit 2011.
Musa Limani, ekspert ekonomik, thotë se Qeveria e vendit ka mungesë vetëbesimi në kuptimin që është shtet. Ai thotë se si Qeveri ende nuk janë të vetëdijshëm që mund të marrin vendime pa e pyetur Brukselin, pa e pyetur faktorin ndërkombëtar.

"Ende ka mosbesim brenda institucioneve që ekzistojmë si shtet. Qeveria duhet të marrë urdhra të prera”, thotë Limani.

Sipas tij, shteti serb nuk po e përfill marrëveshjen e arritur në Bruksel, prandaj duhet të kthehen masat e reciprocitetit dhe të mos largohen derisa Serbia ta njohë Kosovën si të pavarur dhe si shtet.

"E di që nuk mund të shtyhemi me eksport me Serbinë, një kamion ata e një kamion ne, por ne nuk humbim asgjë nga bllokada, kurse ata edhe kanë përfitime të mëdha gjatë eksportit edhe shkelin marrëveshjen”, thotë ai.

Edhe Bekim Marmullaku, ekspert i ekonomisë, ka thënë se Serbia është e vetëdijshme për rëndësinë që e ka për të eksportuar në Kosovë. Ai ka thënë se Serbia po shfrytëzon këto hapësira qeveritare apo këto mosmarrje të vendimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës për kthim të masave të reciprocitetit.

"Kjo u pa edhe në muajin korrik, ku u vendosën masat e reciprocitetit. Po të mos e merrte qeveria këtë vendim ata nuk do t’i njihnin as vulat doganore, por vetëm pas këtij hapi të Qeverisë, Serbia u detyrua t’i njoh vulat doganore”, ka thënë Marmullaku.

Sipas tij, Qeveria po punon pa presione drejt tyre, kurse ata po shfrytëzojnë këtë hamendësim të udhëheqësve kosovarë.

"Qeveria e vendit është dashur të vendosë menjëherë pas problemeve të para që shkaktoi Serbia pas arritjes së marrëveshjes që t’u bëjë presion, sepse ata kanë përfitime ekonomike. Kjo duhet të ndodhë qoftë edhe pa vendosmërinë e BE-së”, ka shtuar ai
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus