Lëvizja FOL ka publikuar raportin e saj të fundit "Monitoruesi i Korrupsionit”, në të cilin përfshihen të gjitha aktivitetet e ndërmarra institucionale në luftë kundër korrupsionit për periudhën gjashtë-mujore: janar-qershor 2012.Sipas të gjeturave të këtij raporti rezulton se "shtrirja më e madhe gjeografike e korrupsionit është në Prishtinë me 50 akte akuzuese të ngritura nga prokuroritë e vendit; pason Peja me 19 akte akuzuese; Gjilani me 10; Prizreni me 7; Ferizaj me 8; si dhe Gjakova me 4 akte akuzuese. "Ndërkaq, prokuroritë që nuk kanë shënuar rezultat në luftë kundër korrupsionit janë: prokuroria e qarkut dhe ajo komunale në Mitrovicë, si dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të cilat në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nuk kanë ngritur as edhe një akt akuzues të vetëm”, thuhet në raportin e FOL-it.Më mirë, sipas këtij raporti, nuk qëndrojnë as gjykatat e rregullta komunale të Kosovës, të cilat gjatë kësaj periudhe kohore kanë zgjidhur gjithsej 64 lëndë: 36 në kuadër të shpërdorimit të pozitës zyrtare, 10 në kategorinë marrje e ryshfetit dhe 18 në dhënie të ryshfetit. Ndërkaq, në fund të periudhës raportuese, kanë mbetur gjithsej 187 lëndë të pazgjidhura: 126 në kategorinë shpërdorim i pozitës zyrtare, 40 në kategorinë marrje e ryshfetit dhe 21 në dhënie të ryshfetit.
Po ashtu, FOL ka publikuar në kuadër të këtij raporti edhe statistikat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK), ku rezulton se Policia e Kosovës në gjashtëmujorin e parë të 2012 ka hetuar në total 95 raste, ka arrestuar gjithsej 28 zyrtarë të ndryshëm publikë, ka dërguara 69 raste në Prokurori me kryerës të njohur, 1 rast me kryerës të panjohur (N/N), si dhe 9 raste të tjera me raport të veçantë të prokurorit.
Në raport, Lëvizja FOL vlerëson që ekzekutivi i vendit nuk ka demonstruar vullnet për luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e tij në institucionet publike. Nga 180 vendime sa ka miratuar gjithsej sipas këtij raporti, vetëm 4 sosh kanë qenë në luftë kundër korrupsionit.
Sipas raportit, as Kuvendi i Kosovës nuk është treguar produktiv në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Nga 29 seanca plenare sa janë mbajtur gjithsej, vetëm në dy prej tyre është diskutuar për luftën kundër korrupsion.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus