Kryesore » 2011 » Tetor » 8 » EULEX implikon Thaçin në tregtinë e armëve
3:13 PM
EULEX implikon Thaçin në tregtinë e armëve
Interesimin për blerje armësh ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, nuk po e fsheh as nga pozita e kryeministrit. Me autoritetin që ka ai, ka bërë që gjatë blerjes së armëve të mos respektohet fare Ligji për prokurim publik i Kosovës. Me këso fajesh atë e ngarkon një prokuror i EULEX-it, i cili po e heton blerjen e armëve për nevoja të Policisë së Kosovës, që besohet të jetë bërë në kundërshtim me ligjin, raporton Koha. Në shkresat e lëndës dhe në kërkesat e prokurorit për caktimin e paraburgimit për gjashtë të arrestuarit, përmendet ndërhyrja e kryeministrit Hashim Thaçi. "Kryeministri kishte aprovuar kërkesën e Ministrisë së Punëve Brendshme për blerje të jashtëzakonshme, ndërsa ky autorizim nuk ishte në përputhje me Ligjin e prokurimit, i cili ishte i vetmi ligj në fuqi lidhur me procedurën për blerjen e armëve. Neni 3, paragrafi 1, i LPP-së thotë se megjithatë mund të përdoren masa të veçanta të sigurisë, por duhet të merren vesh PSSP-ja dhe kryeministri”... thuhet në dosje. Por shefi i Qeverisë nuk ishte konsultuar me PSSP-në, ani se blerja e armëve në atë kohë bëhej me rregullore të UNMIK-ut. "Zyra e UNMIK-ut për çështje ligjore ka konfirmuar se nuk ishte dhënë asnjë aprovim nga ana e PSSP-së për cilëndo nga blerjet e kërkuara. Kështu, ishte shkelur ligji i aplikueshëm për prokurimin e armëve”, thuhet në këtë dosje. 

Kërkesa për blerjen e një sasie armësh, që besohet të jetë implikuar kryeministri, ishte bërë më 23 janar 2009, kur ministër ishte Zenun Pajaziti. Kërkesa e këtij ish-ministri, e cila për prokurorinë konsiderohet e paligjshme, ishte aprovuar nga kryeministri më 25 mars 2009.

"Informatat e mbledhura nga dëshmitarët gjatë hetimit tregojnë se atij nuk i ishte siguruar dokumentacioni komplet, por vetëm kërkesat që tregonin shumat e caktuara të shpenzimeve dhe jo shumat e plota të paguara te kompania ndërmjetësuese e "NTP Friends”, si përfaqësuese e ‘Heckler & Koch’ në Kosovë”, thuhet në dosje.

Implikimet e zyrtarëve të lartë të Kosovës në këtë shitblerje përforcohen edhe nga dëshmitarë në këtë proces, raporton Koha.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus