Kryesore » 2011»Qershor»22 » Prishtinë: Vetëvendosje protestoi kundër Qeverisë Thaçi
2:40 PM
Prishtinë: Vetëvendosje protestoi kundër Qeverisë Thaçi
(I plotësuar) - Ashtu, siç ishte paralajmëruar, në hapësirat para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë në orën dymbëdhjetë u mblodhën mijëra qytetarë – përkrahës të Vetëvendosjes dhe të pakënaqur të tjerë me politikat e Qeverisë Thaçi. Ata nga aty marshuan drejt qendrës së qytetit, me pankarta në të cilat shkruante "Kundër hajnisë” dhe duke fishkëllyer me pipa, me simbolikën që "të dëgjojnë” ministrat dhe qeveria "vjedhëse”, siç e cilësojnë. Protestuesve po u prinë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, bashkë me deputetë të kësaj lëvizjeje dhe anëtarë të udhëheqjes së saj. Aktualisht kanë nisur fjalimet, por podiumin që e kishin ngritur për këtë qëllim, në orët e mëngjesit e rrënoi policia. Fjalët e oratorëve po shoqërohen me brohoritje përkrahëse, "Hashimi hajdut” Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje ka për moto "Protesto kundër hajnisë”. Aktivistët e Vetëvendosjes po protestojnë kundër shitjes së aseteve publike dhe marrëveshjeve me Serbinë.
Mbrëmë u zhvillua po ashtu një koncert po me moton "Kundër hajnisë”.
* * * * * * *
Policia e Kosovës largoi podiumin e Vetëvendosjes para Qeverisë
Policia e Kosovës (PK) ka ndërhyrë për të larguar podiumin e vendosur pranë ndërtesës së Qeverisë, ku kishin paraparë të mbanin fjalimet drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje me rastin e protestës me moton "Protesto kundër hajnisë”, që pritet të fillojë sot në orën 12:00.
Ndërhyrja e policisë ka shkaktuar konfrontim me aktivistë të Vetëvendosjes, i cili ishte më shumë verbal, ngase ata synonin të "mbronin” podiumin që kishin vendosur pranë ndërtesës së Qeverisë te shtatorja e Skënderbeut.
Njëri nga drejtuesit e Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, heqjen e foltores nga ana e policisë e ka cilësuar një provokim të lehtë nga të Qeverisë për të penguar protestën, duke shtuar se kjo nuk do ta ndalë protestën e Vetëvendosjes kundër hajnisë.
"Mendoj se është tentim i tyre që mos të na lënë të flasim, por kjo në asnjë mënyrë nuk e ndalon protestën. Natyrisht ne mund të improvizojmë, të gjejmë vende të tjera të flasim, t’i themi ato gjëra që kemi pasur ndërmend t’i themi. Protesta është paqësore dhe do të vazhdojë si paqësore”, tha ai.
Ahmeti ka bërë të ditur se protesta është paralajmëruar në polici, e cila është njoftuar edhe me itinerarin e saj, mirëpo nuk ka saktësuar nëse kanë marrë leje nga policia për vendin dhe kohën e mbajtjes të saj.
Ndryshe, protesta e Vetëvendosjes "Protesto kundër hajnisë” do të fillojë në ora 12:00 nga Biblioteka Kombëtare për të vazhduar nëpër sheshin Nëna Terezë për të përfunduar te ndërtesa e Qeverisë. Për këtë protestë, Vetëvendosje ka organizuar transport falas për të interesuarit nga qytetet e tjera.
* * * * * * *
Vetëvendosje proteston sot me moton "Kundër Hajnisë”
Lëvizja Vetëvendosje organizon sot protestë me fillim nga ora 12 duke u nisur nga Biblioteka Kombëtare drejt ndërtesës së qeverisë së Kosovës, me moton "kundër hajnisë”.
Vetëvendosje thotë se protesta organizohet për "manipulimin me tenderë, shitjen e ndërmarrjeve publike dhe marrëveshjet e paralajmëruara me Serbinë, për vjedhjen e territorit të Kosovës”.
Lëvizja Vetëvendosje beson se mijëra njerëz priten të mblidhen, të cilët do të nxjerrin jashtë xhepat e tyre si simbol i varfërisë së qytetarëve kosovarë, për shkak të hajnisë së pushtetit.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus