Kryesore » 2012 » Maj » 27 » Princ Dobroshi Nis Biznesin e Basteve në Kosovë
6:25 PM
Princ Dobroshi Nis Biznesin e Basteve në Kosovë
Njeriu që ishte dënuar me 14 vjet burg nga autoritetet norvegjeze për trafikim të heroinës është kthyer për të bërë biznes në Kosovë. Princ Dobroshi e ka të ndaluar hyrjen në vendet e Bashkimit Europian por autoritetet në Kosovë i kanë dhënë licencë për tu marrë me biznesin e basteve në vendlindjen e tij, në Pejë. Administrata Tatimore planifikon që t’ia pamundësojë Dobroshit që të merret me biznesin e basteve për shkak të së kaluarës së tij. Këtë pritet ta bëjë në maj të vitit 2013. Kur Princ Dobroshi kishte kryer burgun në vitin 2005, autoritetet norvegjeze e kishin përcjellë nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë. Dëbimi ishte kryer me helikopterë pasi nga autoritetet policore të këtij shteti ishte vlerësuar si njeriu më i rrezikshëm që kishte qëndruar në burgjet norvegjeze. Dobroshi më nuk kishte të drejtë të kthehej në Norvegji. Ai ishte dënuar për përfshirje në trafikun e drogës, përkatësisht heroinës. Dobroshi po ashtu e ka të ndaluar hyrjen në vendet e Bashkimit Evropian. 

Autoritetet policore në Norvegji e në Republikën Çeke, vende këto ku Dobroshi kishte vepruar, e kishin vlerësuar si bosin e mafies shqiptare të drogës. Mediat në këto vende e kanë pagëzuar me nofkën "Peshkaqeni”.

Tash ai është rikthyer të jetojë në Pejë, në vendlindjen e tij, prej ku ishte larguar në vitin 1988.

Fillimisht Doborshi kishte shkuar në Gjermani. Atje, në Frankfurt, ishte marrë me biznesin e kazinove. Tani ai i është rikthyer biznesit të lojërave të fatit. Në Pejë ka nisur të merret me biznesin e basteve.

Më 28 mars të këtij viti në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ai ka hapur biznesin "StarLotoSport”, e cila për aktivitet kishte bastvënien. Pas 14 ditësh ka bërë kërkesë për ndërrimin e emrit të biznesit duke e regjistruar si "Eurolive-24”. Kjo kompani është e regjistruar për bastvënie, bixhoz si dhe kafe.

Administrata Tatimore e Kosovës më 2 maj të vitit 2012 i ka dhënë licencën për operimin si bastore sportive kompanisë "Eurolive-24”.

ATK: "Do t’ia ndalojmë Dobroshit operimin në biznesin e basteve”

Ligji aktual për Lojërat e Fatit, sipas zyrtarëve të ATK-së, është i dobët. Për këtë arsye, thonë ata, është krijuar kjo situatë kur njerëz me të kaluar të dyshimtë bëhen pronarë të bizneseve që merren me lojëra të fatit të cilin e konsiderojnë biznes që duhet të monitorohet rreptë për të parandaluar krimin e organizuar.

"Është fakt se ligji aktual ka mangësi dhe është i dobët. Ne nuk obligohemi përmes këtij ligji t’i kërkojmë dikujt verifikimin e historikut. Ky ligj obligon aplikantin vetëm të paguajë shumën për licencim. Për bastore duhet të paguhen 150 mijë euro në start ndërsa 150 mijë euro paguhen ndërkohë. Po ashtu paguhet për çdo pikë që dëshiron kompania të zgjerohet”, ka thënë Bekim Fusha, menaxher për Lojëra të Fatit në Administratën Tatimore të Kosovës.

Kompania e Princ Dobroshit, sipas tij, është licencuar bazuar në ligjin aktual që është miratuar në vitin 2004.

"Në vitin 2004 është bërë ligji vetëm sa për të pasur një dokument që rregullon këtë fushë. Atëkohë patën nisur të zhvillohen këto biznese dhe nuk ishte asnjë ligj që e rregullonte këtë veprimtari biznesi. Ky është një ligj me mangësi”, ka deklaruar Fusha.

Për këtë arsye, sipas tij, është kërkuar të hartohet Ligji i ri për Lojërat e Fatit.

"Prej vitit 2009 ne kemi kërkuar që të bëhet një ligj i ri i cili do të jetë më strikt. Tek tash në vitin 2012 është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Më 1 qershor hyn në fuqi ligji i ri i cili obligon ATK-në që aplikantit t’i bëhet verifikimi i biografisë”, ka thënë Bekim Jupa, menaxher i lojërave të fatit në ATK.

Kur Princ Dobroshi të aplikojë për vazhdimin e licencës, atëherë ai nuk do të ketë të drejtë të jetë pronar në një kompani që merret me biznesin e lojërave të fatit.

Me ligjin e ri kërkohet që aplikanti të mbush një formular se a ka qenë i dënuar ndonjëherë për vepër penale dhe a ka ndonjë anëtarë të familjes me biografi kriminale.

"Ai (Princ Dobroshi) e ka licencën për një vit dhe në maj të 2013-es nuk i vazhdohet më”, ka thënë Jupa.

Dobroshi ka marrë licencën më 2 maj të këtij viti disa ditë para miratimit të Ligjit të ri për Lojërat e Fatit i cili ia ndalon marrjen me këtë biznes.

Ai ka deklaruar se i ka ofruar ATK-së dokumente se nuk ka qenë i dënuar asnjëherë për vepër penale në Kosovë.

"Unë jam dënuar jashtë vendit e jo në Kosovë. Për Kosovë i kam dërguar në ATK dokumentet se nuk kam qenë i dënuar asnjëherë”, ka deklaruar Dobroshi.

Ai është përgënjeshtruar nga zyrtarët e ATK-së.

"Ne kurrfarë dokumente nuk i kemi kërkuar pasi ligji ka mangësi dhe nuk na ka obliguar për një gjë të tillë”, ka deklaruar Jupa. Ligji i ri, sipas tij, është më strikt pasi që parasheh ndalesë edhe për njerëzit që janë dënuar në të kaluarën në Kosovë por edhe për të dënuarit jashtë vendit.

Ndërkohë vendet e rajonit kanë hartuar më herët ligje më të rrepta që rregullojnë lojërat e Fatit. Në Shqipëri, veç pronarit të kompanisë, i bëhet verifikimi i të kaluarës edhe menaxherëve të bizneseve që merren me aktivitetin e lojërave të fatit.

Historia e Princit

Autoritetet policore çeke kishin lëshuar një njoftim të përbashkët kur kishin zënë Princ Dobroshin në Pragë pas ikjes së tij nga burgu në Norvegji. Në të kallëzohet për aksionin e koduar "Kafaz”, që rezultoi në kapjen e Dobroshit. Dy vite kishte zgjatur operacioni i kryer më 23 shkurt të vitit 1999.

Policia çeke kishte njoftuar se aksioni ishte mbështetur nga policia suedeze, daneze e veçanërisht ajo norvegjeze.

Shefi i Anti Drogës në Policinë Çeke, Jiri Komorous, kishte deklaruar se Dobroshi besohej të ishte prej gangsterëve më të mëdhenj shqiptarë në Europë, sipas një raporti të Agjencisë Çeke të Lajmeve (CKT) të 11 marsit 1999.

Gjykata në Norvegji në vitin 1994 kishte dënuar Dobroshin me 14 vite burgim. Ai kishte ikur nga burgu në vitin 97. Këtë sipas Komorous e kishte bërë duke korruptuar rojën e burgut. Pas ikjes, sipas shefit të antidrogës, ishte fshehur në Kroaci ku kishte bërë një operacion plastik në fytyrë.

Përkundër kësaj, sipas shefit të anti drogës në Çeki, oficerët e policisë kishin reaguar shpejt në mëngjesin e 23 shkurtit kur kishin vërejtur veturën e Dobroshit të ndalur përballë Hotel Hillton në Pragë.

Përmes operacionit "Kafaz”, sipas tij, ishin arrestuar 42 veta të cilët i përkisnin grupit që udhëhiqej nga Princ Dobroshi. Këta njerëz ishin kapur nëpër vendet skandinave dhe në ato të Evropës Qendrore. Nëntëdhjetë për qind e heroinës, sipas Komoroues, në vendet skandinave hynte përmes Republikës Çeke.

Ndërkohë herën e parë Dobroshi ishte kapur në Norvegji në vitin 1993. Princ Dobroshi ka treguar versionin e tij për Gazetën Jeta në Kosovë për arrestimin e tij që ka ndodhur para 19 vitesh.

"Unë isha në Norvegji duke luajtur në kaziono. Më thirri Xhuzepe, që është një mik i imi. Më tha nëse mund t’ia dërgoja 130 mijë marka. Kur jam afruar afër veturës për t’ia dhënë paratë njerëzve të tij, është shfaqur policia. Në makinën që më priste mua ishin 5.4 kilogram heroinë dhe rasti shkoi në gjykatë ku u dënuam”, ka thënë Dobroshi.

Drogë të llojit heroinë sipas tij kishin shitur dy personat tjerë të cilët e kishin pritur në makinë për t’ia përcjellë paratë mikut të tij Xhuzepes.

Prej 99-es kur ishte rikthyer në qeli, Dobroshi kishte qëndruar deri në vitin 2005 duke rrumbullakësuar nëntë vite burg përkundër dënimi prej 14 vite burgim. Dy vite kishte ikur nga burgu ndërsa tri vite tjera i ishin hequr nga autoritetet norvegjeze.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus