Kryesore » 2012 » Maj » 7 » Policia përdor “kallashët” për arrestimin e prerësve të pyjeve në Llap
11:37 AM
Policia përdor “kallashët” për arrestimin e prerësve të pyjeve në Llap
Njësitet e Policisë kufitare të Kosovës kanë arrestuar pasditen e së dielës 10 persona në cilësinë e të dyshuarve për prerje ilegale të pyjeve dhe pengim të personave zyrtarë të policisë. Ata kanë përdorur edhe "kallashët”, plumbat e të cilëve kanë goditur në dy objekte në fshatin Peran të Podujevës, ku edhe ka ndodhur ky incident. Në mesin e të ndaluarve ka qenë edhe një fotoreporter, i cili po fotografonte gjatë kësaj kohe. Sipas burimeve të gazetës, gjatë kohës sa i kishin përcjellë 5 traktorët me dru rrugës për në Peran, policët kufitarë kishin shkëmbyer fjalë fyese me prerësit e pyjeve. Sipas të njëjtave burime, njëri nga policët ua ka sharë nënën shitësve të druve duke kërkuar sqarim pse nuk po ecin. Dhe kur kanë ardhur në Peran, njëri nga shitësit e druve është ndalë dhe kur është pyetur nga policia pse nuk po e nget traktorin, i ka thanë "qe po ta bie nanën që e lype ma herët”.  

"Incidenti ka ndodhur ndërmjet disa qytetarëve që po bartnin dru dhe policisë. Ata janë ndaluar nga policia dhe pas disa zënkave, një polic ka gjuajtur me "kallash”, ndërsa plumbat kanë prekur edhe një shtëpi në afërsi. Në këtë rast, edhe mua më kanë arrestuar edhe pse ua kam treguar ID që jam fotograf me licencë ndërkombëtare. Pas 15 minutave që më kanë marrë në pyetje dhe maltretuar psikikisht, më kanë liruar ”, ka treguar fotografi Blerim Uka.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk ka dhënë shumë detaje rreth këtij incidenti.

"Rreth orës 17:30 njësitë patrulluese të Policisë Kufitare kanë qenë duke i dërguar 5 traktorë që kanë qenë të ngarkuar me dru të prera ilegalisht për në Qendrën e Ekonomisë Pyjore. Zyrtarët policorë në afërsi te lokacioni i ekonomisë pyjore janë penguar dhe njëherësh janë sulmuar nga 10 persona. Gjatë këtij sulmi nuk ka pasur pasoja në njerëz as dëme materiale. Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë policore nga Stacioni Policor i Podujevës”, ka thënë Kelani.

Sipas tij, Policia ka arritur të vërë situatën nën kontroll dhe, siç thotë zëdhënësi i Policisë, si rezultat i sulmit ndaj njësitit policor, janë ndaluar 10 persona në cilësinë e dyshuarave, të cilët më pas janë dërguar në Stacioni Policor në Podujevë për t’u marrë në pyetje dhe për procedura të mëtutjeshme.

Baki Kelani nuk ka dhënë detaje të tjera as për të shtënat e as për ndalimin e fotografit Uka. Ai nëpërmjet telefonit ka thënë se tash për tash nuk ka më shumë informata rreth këtij rasti.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus