Kryesore » 2011 » Shtator » 22 » Policia e Kosovës bëhet me helikopterë
3:54 PM
Policia e Kosovës bëhet me helikopterë
Situata e krijuar në veri të Kosovës pas rikthimit të kontrollit doganor dhe policor në pikat kufitare 1 e 31 ka nxjerrë në pah nevojën e pajisjes së Policisë së Kosovës me helikopterë. Ndonëse edhe pas dymbëdhjetë vjetësh të përfundimit të luftës në Kosovë dhe tre vjet nga koha e shpalljes së pavarësisë, institucionet e shtetit të Kosovës nuk kanë arritur që ta pajisin Policinë e Kosovës, por as Forcën e Sigurisë së Kosovës me helikopterë dhe mjete të tjera të rënda të blinduara.Mirëpo, zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës, ku pjesëtarët e njësisë speciale "ROSU” të Policisë së Kosovës mbeten në mëshirën e KFOR-it, pasi kanë mbetur të izoluar në pjesën matanë lumit Ibër për shkak të mungesës së helikopterëve, ka shtyrë ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepin, që të kërkojë seriozisht blerjen e dy helikopterëve dhe pajisjeve tjera të sofistikuara për forcat e rendit. 
Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë konfirmuar në kushte anonimiteti se projekti për përforcimin e logjistikës për Policinë e Kosovës parimisht ka marrë dritën e gjelbër nga ekzekutivi kosovar, por vetëm pritet ndarja e mjeteve financiare, i cili plan pritet që gjatë ditëve të ardhshme të prezantohet në Kuvendin e Kosovës.Vlera e mjeteve që planifikohen të ndahen për helikopterë është rreth 20 milionë euro. Duke folur për nevojën e pajisjes së Policisë së Kosovës me helikopterë dhe automjete të blinduara, ministri Rexhepi ka kërkuar nga anëtarët e Komisionit për Siguri që t’i japin mbështetje këtij plani, i cili mund të jetësohet brenda një kohe të shkurtër. 
"Kosova ka nevojë të madhe për helikopterë dhe kjo jo vetëm për Policinë e Kosovës, por edhe për reagime emergjente”, ka thënë ministri Rexhepi, duke rikujtuar se nëpër vende malore intervenimi mund të bëhet vetëm me helikopter, pasi nuk mund të shkohet me autoblinda. 
Policia e Kosovës, ndonëse është krijuar 12 vjet më parë, ka vetëm disa autoblinda dhe gjashtë pilotë karriere brenda strukturës së saj. Pilotëve, siç thuhet, u duhet vetëm pak kohë për t’u trajnuar, në mënyrë që t’i pilotojnë tipat e helikopterëve që mund të blihen për menaxhimin e situatave emergjente.

Zyrtarë të lartë të qeverisë thonë se helikopterët do të përdoren për menaxhimin e situatave emergjente, sikurse ishte sfida e fundit e Policisë së Kosovës në veri të vendit, por edhe në raste të tërmeteve, menaxhimin e zjarreve, kërkim shpëtimi...etj.

"Kosova ka nevojë për gjashtë helikopterë, edhe pse për momentin do të ishin të mjaftueshëm tre”, ka thënë ky zyrtar qeveritar, duke shtuar se një helikopter i lehtë mund të kushtojë nga 800 mijë deri në 1 milion e 600 mijë euro, kurse një helikopter i mesëm mund të kushtojë nga 8 deri në 14 milionë euro.

Sipas tij, Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e njësisë fluturuese, pasi që ka inxhinierë të aviacionit, pilotë, teknikë, inxhinierë të sistemit të radarëve, por edhe stafin tjetër gjegjës për çështjen e aviacionit.

"Rreth 70 veta janë kuadro të aviacionit, të cilët për momentin janë "jashtë funksionit”, por edhe një pjesë e tyre gjenden jashtë Kosovës”, ka thënë ai. Edhe Forca e Sigurisë e Kosovës, si trashëgimtare e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), ka nevojë për pajisjen me helikopterë, ku është planifikuar ngritja e kapaciteteve, sikurse është shkollimi i kuadrove, gjegjësisht i pilotëve.

Dikur brenda TMK-së ekzistonte Skuadrilja 70 e Helikopterëve, mirëpo gjatë themelimit të FSK-së ky njësit nuk ishte përfshirë në organogramin e kësaj force.

Ajet Bajrami, pilot i helikopterit ushtarak, i cili dikur ka drejtuar Skuadriljen e Helikopterëve në TMK, ka theksuare se me zhvillimin e FSK-së pritet që në vitin 2013 të aktivizohet edhe njësia e helikopterëve, pasi që kjo çështje është imediate dhe e një rëndësie të veçantë.

"Shutohen” kuadrot e aviacionit

Edhe Idriz Dreshaj, pilot profesional, që në përvojën e tij ka pasur mbi 10 mijë fluturime, ka kritikuar institucionet e vendit për mungesë të vullnetit për të shtyrë përpara çështjen e aviacionit.

Ai madje ka pohuar se njëfarë forme kuadri i dikurshëm i Skuadriljes së Helikopterëve të TMK-së është "shutuar”, duke shkuar në pension të parakohshëm, pavarësisht moshës së mesme që kanë pasur.

Ai tregon se dikur paga e tij prej piloti kishte qenë nga 1 mijë deri në 5 mijë dollarë, kurse tashmë shteti i Kosovës i "shpërblen” me nga 150 deri në 170 euro, si pension të parakohshëm.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus