Kryesore » 2011 » Shtator » 19 » Plani i Listës Dr.Ibrahim Rugova
2:16 PM
Plani i Listës Dr.Ibrahim Rugova
Po punojmë për themelimin e degëve të vërteta të Partisë së Rugovës. Fajin për shkatërrimin e LDK’së e kanë Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa. Ata kanë probleme me njëri–tjetrin. Në LDK duhet të organizohen zgjedhjet e lira dhe demokratike. E kemi grupin e deputetëve në Parlament. Nuk e mbështes asnjërën nga degët e LDK’së në Gjakovë. Njëri nga themeluesit e Listës, Astrit Haraqija, flet për Express.Astrit Haraqija para pak ditësh është shpërblyer me postin e Zëvendësministrit të Ekonomisë në Qeverinë e koalicionit PDK – KKR dhe Lista dr. Ibrahim Rugova. Nga pozita e re, Haraqija ka dhënë shenja se do të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, por vetëm nëse mbahen zgjedhjet e reja partiake. 
A ka mohuar pretendimet e Degës së LDK’së në Gjakovë se po merr pjesë në mbledhjet e degës së re të kësaj partie. 
Thotë se nuk e përkrahë as grupin e Fatmir Sejdiut, as atë të Isa Mustafës në Gjakovë.

Ai deklaron se Lista po punon në krijimin e këshillave iniciues të degëve, derisa hapat e parë paralajmëron se do të shihen këtë javë.

Ka thënë se po bisedohet me faktorë brenda LDK’së për rikthimin e primatit të Partisë së Ibrahim Rugovës.

Fajtor për përçarjen e re në LDK e sheh Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën.
Haraqija thotë se është një grup i deputetëve në Kuvendin e Kosovës që e mbështesin frymën e Listës Dr. Ibrahim Rugova.

Express: Ish-Dega e LDK’së në Gjakovë ju ka denoncuar se po merrni pjesë në degën e themeluar së voni, ku kryetar është Luan Gola?
Haraqija: Unë nuk marr pjesë në mbledhjen e Kryesisë së LDK’së të Degës në Gjakovë. Unë kam thënë edhe më herët, edhe tash jena LDK, Lista Ibrahim Rugova. Për atë që ka ndodh atje, jeni të njoftuar dhe s`kam ndërruar qëndrim. Kurse sa i përket anëtarit të Asamblesë në Gjakovë– unë anëtar i Asamblesë jam, sepse jam zgjedhur në emër timin, edhe kam qenë në bashkëqeverisje në atë kohë. Këtë të drejtë nuk mund të ma mohojë askush.

Express: Ju nuk keni marrë pjesë në mbledhjen e Degës së LDK’së në Gjakovë?
Haraqija: Jo, jo nuk është e vërtetë hiq. Absolutisht nuk qëndron ajo punë. S’ka shanse të marr pjesë në mbledhje të LDK’së në Gjakovë- hiq.

Express: Prej se keni themeluar Listën Dr. Ibrahim Rugova, ju nuk keni lidhje me asnjërën degë të Gjakovës?
Haraqija: Me asnjërën degë nuk mbajmë mbledhje, unë shumicën e tyre i njoh. I takoj ndonjëherë nëpër lokale, kështu, për kafe. Por, unë në mbledhje me ta absolutisht kurrë nuk kam marrë pjesë. Kjo nuk është e vërtetë hiq. Unë s`jam as me grupin e Fatmir Sejdiut, as me grupin e Isa Mustafës. Me asnjërin grup s’marr pjesë në mbledhje.

Express: Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu prej shtatorit ka filluar vizitën nëpër disa degë të LDK’së. Më 1 shtator, ai e ka vizituar Degën e Kamenicës. A mund të ndodhë që po përgatitet të arrijë ndonjë marrëveshje me Isa Mustafën për të dalë kandidat për president?
Haraqija: Problemi është se prej fillimit kam thënë se këto zgjedhje që i ka organizuar në atë kohë nuk janë zgjedhje demokratike dhe nuk janë fer. Dhe në ato zgjedhje kam thënë se nuk dua të marr pjesë. Kjo krejt çka ka ndodhur është ajo që e ka bërë Fatmir Sejdiu bashkë me Isa Mustafën. Tash, ata kanë probleme në mes veti, unë nuk kam probleme.

Express: Ju si Lista Ibrahim Rugova, cilën degë të LDK’së në Gjakovës e mbështetni dhe e njihni si degë?
Haraqija: Asnjërën nuk e mbështes dhe nuk merrem me degë. Unë merrem me nivelin qendror. Ne si Listë Rugova kemi filluar çdo ditë e më tepër ta hapim rrethin, shumë shpejt do të dalim edhe me këshillin iniciues të degëve, por prapëseprapë tash kemi biseduar me LDD’në. Jemi shumë afër me LDD’në. Presim që Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës të jetë ajo e vërteta, e jo këtu ku e kanë prurë Fatmir Sejdiu me Isa Mustafën.

Express: Ju thatë se jeni duke punuar për krijimin e degëve?
Haraqija: Jemi duke punuar jashtëzakonisht. Mund të themelojmë këshillin iniciues të degëve qysh javën e ardhshme. Por jemi duke biseduar bashkërisht që të jetë partia e Ibrahim Rugovës qysh i ka pasur hije. E, jo qysh na kanë bërë, pikë e pesë.

Express: Me kënd jeni duke biseduar për ta bërë këtë?
Haraqija: Me të gjithë faktorët e LDK’së që mendojnë, llogarisim që janë faktorë në nivelin qendror. Jemi duke biseduar për çdo ditë.

Express: A mendoni se mund të ndodhë kjo me lidershipin aktual të LDK’së?
Haraqija: Nuk besoj, as me këtë lidershipin që është, e as me atë që ka qenë.

Express: Pra, kërkoni zgjedhje të reja në LDK?
Haraqija: LDK’ja për të qenë partia numër një në Kosovë, dhe për të marrë përgjegjësinë në këto organe udhëheqëse, duhet të organizohen zgjedhje një anëtar - një votë. Të organizohen në mënyrë demokratike, e jo në mënyrë manipulative qysh kanë ndodhur herën e kaluar. Dhe kanë filluar aty t’ia hanë kryet njëri–tjetrit.

Express: Me këtë ide nuk pajtohet lideri i LDK’së, Isa Mustafa?
Haraqija: Ai është problem i tij, jo imi.

Express: Po, kush mund t’i shpallë zgjedhjet në LDK?
Haraiqija: Në LDK mund t’i shpallin zgjedhjet të gjithë aktivistët e LDK’së.

Express: Ju patët premtuar se shumë shpejt mund të keni një grup parlamentar në Kuvendin e Kosovës?
Haraqija: Absolutisht nuk është ai problem me themelimin e grupit, edhe nuk është duke na u dashur. Por, urdhëro dhe shikoji ligjet që po votohen. Aty, a po e di se kush është pozitë e kush opozitë, a? Nuk vërehet hiq, shikoni kryetarët e grupeve parlamentare.

Express: Ju thoni se keni kontroll mbi një pjesë të deputetëve që janë në opozitë?
Haraqija: Jo, absolutisht nuk thashë se kemi kontroll. Se kontroll është fjalë e rëndë. Kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm, jo kontroll.

Express: Domethënë, jozyrtarisht e keni një grup parlamentar që nuk duket?
Haraqija: Kemi njerëz dhe grup parlamentar, jo veç nga LDK’ja, por kemi edhe nga grupet e tjera brenda deputetëve që e përkrahin frymën tonë bashkërisht.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus