Arsim Berisha, ish-pjesëtar i UÇK-së dyshohet se u vetëvra me një plumb kallashnikovi, në oborrin e tij. Ai bëhej gati që këtë verë të martohej. Familja dhe të afërmit nuk dinë nëse i ndjeri ka pasur problem me dikë. Ata mohojnë se vëllai i tyre kishte probleme ekonomike. Për 13 vjet, janë vrarë mbi njëzet veteranë të UÇK-së. Oborrin ku mendonte që sivjet ta bënte dasmën, e skuqi me gjakun e tij. E fejuara e Arsim Berishës nuk do të vijë kurrë nuse e veshur me fustan të bardhë në fshatin Drenoc të Rahovecit. Në vend të kësaj, ajo mori pjesë në varrimin e të fejuarit, të hënën, e veshur në të zeza. Të dielën herët në mëngjes, 34-vjeçari Arsim Berisha nga Drenoci i Rahovecit, i dha fund jetës së tij, duke shkrepur një plumb.
Zia dhe dhimbja pllakosi familjen Berisha, por edhe tërë fshatin.
Të shokuar për atë çka ka ndodhur me djalin e tyre, familjarët nuk kanë as fjalë.
Krejt çka dinë është se Arsimi, vëllai më i ri nga të tjerët, ia mori jetën vetes.
Ai që nuk mund të përmbahet nga mërzia është vëllai i madh.
Ishte i pari që u përball me skenën e tmerrshme të së dielës.
Vajdini u zgjua herët në mëngjes dhe në oborr e gjeti vëllanë pa shenja jete.
"Jam çu në gjashtë të mëngjesit, e kam pa të shtrimë në oborr. Shkova e preka, kish vdekë. Menjëherë e kam thirrë policinë”, tregon Vajdini për Express.
Ky dhe familjarët e tjerë nuk e kanë idenë përse Arsimi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veproi në këtë mënyrë.
Madje Vajdini thotë se i mbetet pikë në zemër ta dijë pse vëllai i vogël ka vepruar kështu. "Asnjëherë nuk ka thënë se ka pasur ndonjë problem as me familje, e as me të fejuarën e tij”, tregon Vajdini i përlotur.
Sipas tij, i vëllai ka qenë njeri i afërt si me familje, ashtu edhe me të tjerët.
Vajdini tregon edhe momentin kur e ka gjetur Arsimin të vdekur në oborr.
"Afër e kishte kallashin, në karikator ka qenë vetëm një plumb, e me të ka shtënë mbi veten", sqaron Vajdini, i cili bashkë me të ishte pjesëmarrës në luftë.
Ai tani është kryetar i Shoqatës së veteranëve në Rahovec, njëri nga vëllezërit është pjesëtar i FSK-së, ndërkaq tjetri gjendet në Gjermani.
Arsimi ishte më i vogli nga vëllezërit dhe para disa vitesh është kthyer nga Austria, pas disa vjet qëndrimi atje.
"E kanë kthyer për shkak se nuk ka pasë letra. Kur është kthyer, ka punuar në lokalin që e kemi këtu në fshat", tregon vëllai i tij.
Familjarët sqarojnë se ai ishte i fejuar me një vajzë të një fshati të Rahovecit dhe sivjet do të martoheshin.
"Edhe shtëpinë e ka pasë gati m’e ndreqë, edhe m’u martu", thotë Vajdini.
Për Arsimin flasin edhe ata që gjatë gjithë kohës rrinin me të.
Një natë para se të vetëvritej, i ndjeri kishte pirë kafe me Kajtaz Berishën, kushëririn e tij, që e kishte edhe shok.
"Në asnjë moment nuk ke mujtë me vërejtë se ka pasë diçka. Kur jemi zgju në mëngjes dhe kemi dëgjuar çka ka ndodhur, jemi shokuar”, thotë Kajtazi për Express.
"Ende nuk po mundem me besu se ai nuk është më”, thotë shoku i tij me lot në sy.
Ai dhe familjarët e tij mohojnë se Arsimi ka pasur krizë financiare.
"Është fakt që nuk ka punuar diku me rrogë, por ka punuar te vëllezërit e tij”, thotë Kajtazi.
Madje ai tregon se për dallim prej tij dhe disa shokëve të tjerë, Arsimi ka pasur edhe veturë të veten.
Me gjithë dëshirën e familjes për të ditur arsyet që çuan në vetëvrasje, Arsimi tash i ndjerë, e mori atë përgjigje me vete në varr.
E mbi dheun që e mbuloi varrin e tij në Drenoc, u vunë shumë kurora lulesh nga shokët, miqtë dhe familja.
Meqë ishte ushtar i UÇK-së, ceremonia e varrimit është kryer nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Rahovec, ku morën pjesë edhe zyrtarë nga selia në Prishtinë.
Policia
Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, nëpërmjet një komunikate, konfirmon se në orët e para të së dielës, në Drenoc të Rahovecit është gjetur i vrarë Arsim Berisha (33). Sipas Policisë, pranë trupit të të ndjerit është gjetur një armë automatike e tipit AK 47, ndërsa dyshohet se i ndjeri ka kryer vetëvrasje. Sipas familjarëve, policia i ka marrë të gjitha gjërat që Arsimi i ka pasur me vete, si telefonin dhe gjërat e tjera.
Mbi 20 ish-ushtarë të vetëvrarë
Arsim Berisha nuk është ish-ushtari i vetëm i UÇK-së, i cili ia ka marrë vetes jetën. Që nga paslufta e këndej, mbi 20 ushtarë të UÇK-së kanë vrarë veten. Këto të dhëna i posedojnë në Organizatën për veteranët e luftës, ndonëse nuk japin shifra të sakta. Faton Klinaku, sekretar i Organizatës, tha se nga të dhënat që i kanë marrë nëpër degë, mbi 20 ish-ushtarë të UÇK-së kanë vrarë veten që nga viti 1999.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus