Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dëshmuar se di të jap falënderime të shumta për të gjithë ata që kanë ndihmuar Kosovën gjatë periudhave të rënda, sidomos NATO-n për intervenimin e saj më 1999. Falënderimet e Jahjagës ishin me bollëk edhe të premten gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it. Presidentja falënderimet e sotme i bëri për angazhimin e NATO-s gjatë vitit 1999 dhe KFOR-it për 12 vjet me radhë në Kosovë. Mirëpo periudhës në fjalë, presidentja e vendit tonë, Atifete Jahjaga i referohet me emërtimin konflikt dhe jo luftë ashtu siç ishte në realitet dhe e quan populli i Kosovës. Ajo qysh në fillim të fjalimit të saj dy herë thotë se NATO-ja e mandej KFOR-i, kanë kontribuar në ndalimin e konfliktit. "Ndërrimi i komandave të misionit të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë është një ngjarje e rëndësishme për Kosovën, për KFOR-in dhe për misionin paqeruajtës në këtë pjesë të Evropës. Burrat dhe gratë - pjesëtarë të KFOR-it - kanë luajtur një rol të veçantë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Kosovë, të mirëkuptimit ndëretnik dhe të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që ndikoi në krijimin e kushteve të bashkëpunimit dhe kooperimit në periudhën e pas konfliktit. Misioni i KFOR-it që erdhi natyrshëm pas intervenimit të NATO-s për të ndalur konfliktin dhe për të parandaluar gjenocidin është tejet human”, ka thënë ajo. Presidentja e Kosovës, e cila erdhi në krye të shtetit pas një krize të rëndë politike, nuk ka thënë as edhe një herë në fjalimin e saj se në Kosovë kishte luftë. Zakonisht deri tani ishin disa përfaqësues të huaj dhe serbët që konsideronin që në Kosovë ka ndodhur vetëm konflikt. Tani anashkalimi i faktit se kishte luftë në Kosovë nga vetë presidentja Atifeta Jahjaga, mund të nxis reagime nga qytetarët e Kosovës e posaçërisht nga ish luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus