Kryesore » 2012»Maj»24 » Për dy ditë të humbura UP shtyn mësimin dy javë
1:27 PM
Për dy ditë të humbura UP shtyn mësimin dy javë
Shtyrja e këtij viti akademik deri më 15 qershor në Universitetin e Prishtinës nga Senati, sipas profesorëve të këtij Universiteti, është bërë pa llogaritur mirë ditët e humbura gjatë dimrit. "Koha e pushimit të aktiviteteve në UP gjatë shkurtit të këtij viti ishte bërë kryesisht për provimet, ndërsa ligjëratat (orët mësimore) ishin humbur vetëm 2 ditë, nga 16 deri më 20 shkurt”, ka thënë një profesor, pa dashur që t’i përmendej emri në gazetë, shkruan sot "Koha Ditore”. Sipas tij, kjo mund të vërtetohet edhe me Statutin e UP-së. Sipas nenit 147 të Statutit të Universitetit të Prishtinës, një vit akademik i ka dy semestra. Semestri dimëror fillon më 1 tetor dhe mbaron më 15 janar, kurse semestri veror fillon më 16 shkurt dhe mbaron më 31 maj. Sipas kësaj matematike, nëse semestri i rregullt veror fillon më 15 shkurt, kurse orët nuk janë mbajtur vetëm nga 16 deri më 20 shkurt, rezulton se 15 e 16 shkurti (e mërkurë dhe e enjte) kanë qenë dy ditë mësimi të humbura. 17 shkurti ishte pushim feste, si Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës, kurse e shtuna dhe e diela edhe ashtu janë pushim javor.
Aktivitetet në UP pra ishin ndërprerë më 6 shkurt, që edhe ashtu ishte pushim i vitit akademik brenda dy semestrave. Universiteti kishte paraparë që aktivitetet të fillonin më 13 shkurt, por për shkak të vazhdimit të motit të keq ato ishin shtyrë edhe për një javë, deri më 20 shkurt, që nënkupton se janë humbur vetëm 2 ditë ligjërata të vitit akademik. Janë humbur vetëm afatet e provimeve, të cilat ishin paraparë të organizoheshin në një afat tjetër. Sipas kësaj logjike, duke e përjashtuar shtyrjen e afatit të provimeve për shkak të dimrit të ashpër, Universiteti i Prishtinës tashti do të duhej ta shtynte vitin për orë të humbura mësimore vetëm për dy ditë.
Pavarësisht kësaj, në njoftimin e lëshuar të UP-së, të hënën, për shtyrje të procesit mësimor deri më 15 qershor, nuk specifikohet se aktiviteti do të duhej të vazhdonte vetëm për mbajtjen e provimeve, por thuhet "për shkak të orëve të humbura mësimore”.
"Senati i Universitetit të Prishtinës unanimisht vendosi të shtyjë procesin mësimor deri më 15 qershor për shkak të humbjes së orëve mësimore gjatë periudhës dimërore. Afati i provimeve gjithashtu shtyhet pas datës 15 qershor 2012”, ishte theksuar në komunikatë.
As ky shpjegim nuk e ka bindur zëdhënësen e UP-së, Ferdane Llonçari, se shtyrja e mësimit deri më 15 qershor është në shpërputhje me një vit të përcaktuar akademik nga Statuti i UP-së. Madje edhe pse afati i provimeve nuk mbahet brenda kohës së shtyrë, por pas datës 15 qershor.
"Duke marrë parasysh se brenda periudhës 15 janar - 15 shkurt është afati i rregullt i provimeve në Universitet të Prishtinës, për shkak të motit të lig (gjendjes së jashtëzakonshme) ky afat është shtyrë për 15 shkurt deri më 15 mars, atëherë është e qartë se orët e mësimit për shkak të kësaj ndërhyrjeje do të kompensohen gjatë periudhës së deklaruar zyrtarisht prej 1 qershorit deri më 15 qershor”, është përgjigjja e Llonçarit, pavarësisht faktit se në kumtesë theksohet se provimet mbahen pas 15 qershorit.
"Për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe acarit të madh që ka përfshirë mbarë vendin, shtyhen të gjitha aktivitet akademike, të parapara për këtë javë me studentë”, ishte theksuar nga UP-ja pas vendimit të parë të pezullimit të aktiviteteve për shkak të motit të keq, më 6 shkurt. Më tej thuhej se "udhëzohen përgjegjësit e njësive akademike që provimet e parapara për këto ditë t’i programojnë në një kohë të përshtatshme dhe për këtë t’i njoftojnë me kohë studentët dhe mësimdhënësit”. Atëherë ishte thënë se aktivitetet e UP-së do të kompensohen gjatë ditëve të vikendit.
Pavarësisht që në UP nuk e kanë pranuar se shtyrja e procesit mësimor në UP është bërë për shkak të zgjedhjeve studentore, një burim brenda këtij Universiteti ka thënë se një gjë e tillë është bërë kryekëput për këtë çështje, nga frika se nuk do të mund të sigurohen studentë për të votuar.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus