Kryesore » 2011 » Tetor » 9 » PDK po tenton t’i marrë deputetë Vetëvendosjes
6:47 PM
PDK po tenton t’i marrë deputetë Vetëvendosjes
Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se po iu bën oferta të vazhdueshme deputetëve të kësaj lëvizjeje që ndodhen në Kuvendin e Kosovës për të kaluar në radhët e PDK’së, duke iu ofruar privilegje të ndryshme, ndërkohë që ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e saj kundër bisedimeve me Serbinë për shkak se ato janë të dëmshme për Kosovën.Në një konferencë për media të dielën, deputeti i Vetëvendosjes Visar Ymeri ka bërë të ditur se shumë deputetë të kësaj lëvizjeje, ndër ta edhe Afrim Hoti, kanë marrë oferta për t’u larguar nga Vetëvendosja, për çka ka akuzuar drejtpërdrejt PDK-në."Për ta vërtetuar këtë kemi shumë informata prej aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga qendra të ndryshme që kanë qenë të kontaktuar veçanërisht me një vëllim të shtuar kohëve të fundit nga njerëz të ndryshëm me strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës, veçanërisht kryeministrit Hashim Thaçi duke iu ofruar atyre privilegje ose përfitime të mëdha po që se ata vendosin ta lëshojnë Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Ymeri.

Një ofertë e tillë sipas Ymerit i është ofruar edhe deputetit Afrim Hoti, i cili me insistimin e gazetarëve se nga kush konkretisht i është bërë një ofertë e tillë, ka përmendur emrin e deputetit Ramiz Lladrovci.

"Konkrete, e fundit ka qenë nga Ramiz Lladrovci. S`ka dhënë pozita, por ka thënë për të biseduar dhe unë nuk e kam pranuar vazhdimësinë e bisedës”, u shpreh ai.

Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë ka kundërshtuar fuqimisht bisedimet me Serbinë, derisa ka akuzuar kryeministrin Thaçi se është zmbrapsur nga veriu dhe tani nuk i ka mbetur gjë tjetër përpos që të kërkojë takim me presidentin serb Boris Tadiq për të hyrë në negociata politike.

"Thaçi po iu lutet ndërkombëtarëve. Ai po iu lutet edhe Brukselit dhe Uashingtonit që të kërkojnë prej tij që të takohet me Tadicin, që të bëjnë një lloj trysnie publike nga ndërkombëtarët që ta realizojë takimin me Tadicin, të cilin vet po e donë. Kryeministri Thaçi është zmbrapsur nga veriu dhe po i lutet Tadicit për takim. Më pa dinjitet se kaq, nuk ka ku të shkojë”, ka theksuar Ymeri.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, "pushtetit politik të kryeministrit Thaçi po i lëkunden themelet për shkak të nënshtrimit ndaj Serbisë, dorëzimit para strukturave kriminale, hetimeve ndaj korrupsionit dhe përçarjeve të brendshme”.

Vetëvendosje konsideron se duke mos pasur ndonjë zgjidhje për këto çështje, PDK po "sulmon” Lëvizjen Vetëvendosje, e cila kundërshton negociatat me Serbinë për çështje teknike.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus