Fjalia e fundit që presidentja Atifete Jahjaga e ka lexuar në 12-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, ishte se partia e Hashim Thaçit "e ka dhe do ta ketë përkrahjen time”. Fjalët e mira që gjenden me bollëk në letrën e lexuar nga Atifete Jahjaga, e cila me Kushtetutë duhet të jetë simbol unifikues i vendit, ka shumë mundësi që të jenë shkruar nga vetë zyrtarët e PDK-së. Gazeta "Zëri”, ka marrë vesh jozyrtarisht se fjalimi i lexuar nga Jahjaga në ditëlindjen e 12-të të PDK-së, i është dërguar fillimisht partisë së kryeministrit Thaçi për aprovim. "Partia Demokratike e ruajti bazën e një partie moderne, të konsoliduar e të organizuar, duke pasur përherë entuziazmin e përkushtimin e liderëve, të udhëheqësve dhe të anëtarëve të saj të devotshëm”, thuhet ndër të tjera në fjalimin që e lexoi Jahjaga në aktivitetin e mbajtur më 17 tetor. Pothuajse të gjitha partitë politike në vend dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile reaguan duke thënë se me këtë përmbajtje, Presidenca ka shkelur një nga parimet kryesore të punës së këtij institucioni, atë të qenit unifikues i vendit. Këshilltari i lartë politik i Presidencës, Ramush Tahiri, thotë se ai mban përgjegjësi për tekstin, por e mohon mundësinë që ai fillimisht t’i ketë shkuar PDK-së për aprovim.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus