Drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të shtunën kanë prezantuar edhe zyrtarisht të ashtuquajturin "Kabineti për Qeverisje të Mirë” për Prishtinën, përmes së cilit pretendojnë që ta sfidojnë kreun e LDK-së, Isa Mustafa, për postin e të parit të kryeqytetit. Sipas tyre, keqqeverisja e kryeqytetit, jotransparenca dhe korrupsioni aktualisht janë shumë të pranishme në qeverisjen komunale, prandaj "Kabineti për Qeverisje të Mirë” do të punojë që t’i nxjerrë në pah të gjitha këto.
Derisa ka paraqitur platformën për qeverisjen e Prishtinës, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka vlerësuar se kryeqyteti i kosovarëve ishte dhe duhet të jetë epiqendër infrastrukturore, edukative, kulturore, biznesore dhe intelektuale e Kosovës, por sipas tij, nuk është e tillë.
"Në gjirin e saj, Prishtina ka mbledhur dhe ka edukuar shumë gjenerata, me mijëra të rinj dhe të reja, të cilët përçuan frymën e zhvillimit gjithandej Kosovës. Prishtina inspironte qytetarët e saj dhe të gjithë Kosovës me art, teatër, koncerte dhe i bashkonte ata në tribunat e stadiumit të saj prej nga jehonte me krenari emri Prishtinë”, ka thënë ministri aktual i Bujqësisë, Stavileci.
Prishtina, po shkatërrohet përditë
Stavileci ka folur për vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar gjeneratat e kaluara për ta formësuar kryeqytetin, duke përmendur një nga një objektet të cilat janë ndërtuar, por ai ka nënvizuar se aktualisht pushteti komunal është duke e shkatërruar atë.
"Por, forma e Prishtinës e cila është krijuar me shumë mund dhe djersë nuk është ruajtur dhe nuk është zhvilluar, përkundrazi ajo është degraduar dhe degjeneruar nga mungesa e vizionit aktual zhvillimor, pasiviteti, mospuna dhe qeverisja e keqe. E gjithë kjo ka shkaktuar dhe ka akumuluar, me të drejtë, një pakënaqësi të madhe, të cilën, ne, qytetarët e saj, kemi obligim për ta shndërruar në energji, punë, zhvillim”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se "Kabineti për Qeverisjen e Mirë” për Prishtinën do të ofrojë vizionin për Prishtinën evropiane, do të ofrojë alternativa konkrete për të gjitha fushat e qeverisjes, do të angazhojë personalitete të besueshme, profesionistë të dëshmuar, shoqërinë civile dhe qytetarë që kanë ide zhvillimore, dhe që nuk janë anëtarë të partive politike, për ta zhvilluar kryeqytetin.
"Kabineti për Qeverisjen e Mirë” për Prishtinën do të punojë së bashku me qytetarët dhe do t’i përfshijë ata në të gjitha proceset debatuese dhe vendimmarrëse. Do të punojë aktivisht për të dhënë alternativa zhvilluese, në veçanti alternativa, ide dhe projekte për zhvillimin e bizneseve dhe të ekonomisë lokale”, ka përmendur Stavileci disa nga pikat e platformës së Kabinetit.
Madje, sipas tij, "Kabineti për Qeverisjes së Mirë” është model i provuar dhe i dëshmuar i ofrimit të zgjidhjeve dhe jo i retorikës së pafrytshme, dhe si i tillë është në shërbim të qytetarëve të Prishtinës.
LDK: PDK di vetëm të keqqeverisë
Hapi i fundit i PDK-së nuk i ka "trembur” anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët udhëheqin aktualisht Komunën e Prishtinës.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti, thotë se është e pakuptimtë që të krijohet kabinet në hije për Prishtinën, ngase PDK-ja është në qeveri dhe i ka të gjithë mekanizmat për të përkrahur zhvillimin e Prishtinës.
"Kjo përkrahje ka munguar plotësisht në katër vjetët e fundit. Zotëri Thaçi po krijon kabinet në hije për Prishtinën, gjoja se po brengoset për Prishtinën, por ai nuk e ka vizituar asnjëherë Komunën e Prishtinës për të kuptuar nevojat dhe brengat e qytetarëve, edhe pse është vetëm dyqind metra larg Komunës. Prishtina po zhvillohet drejt një qendre metropolitane komplet jashtë përkrahjes së Qeverisë së Kosovës”, thotë Hoti.
I dyti i komunës ironizon me "Kabinetin për Qeverisje të Mirë” për Prishtinën, duke pyetur se si ka mundësi që të pretendohet qeverisja e mirë nga një parti e cila di vetëm të keqqeverisë.
"Qeveria Thaçi është cilësuar si më e korruptuara në rajon dhe më gjerë. Raporte kredibile nga organizata ndërkombëtare vlerësojnë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të lidhura me majat e pushtetit dhe qeverisë”, thotë ai.
Hoti thekson se pavarësisht se kush krijon "Kabinete për Qeverisje të Mirë” të kryeqytetit, drejtuesit e Prishtinës do të vazhdojnë të implementojmë, siç thotë ai, projektet madhore që janë promovuar në zgjedhjet e fundit.
"Ne do të vazhdojmë të promovojmë qeverisje me ligj, të drejtë dhe përfituese për të gjithë qytetarët e komunës. Ne do të promovojmë politikat tona për të ardhmen, që dalin nga Konventa e Punës e LDK-së më 3 mars 2012, të përshkruara në programin politik të LDK-së”, nënvizon nënkryetari i Komunës.
PDK zhvendos vëmendjen nga keqqeverisja
Themelimin e "Kabinetit për Qeverisje të Mirë” për Prishtinën nga partia e kryeministrit Thaçi, analistët politikë e shohin si përpjekjen e tij të fundit që ta zhvendosë vëmendjen nga keqqeverisja e Kosovës, dhe ta nxjerrë liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili drejton Komunën e Prishtinës, si person që ka dështuar në qeverisjen e kryeqytetit.
"Kjo është garë legjitime politike, pra që t’i fshehin mangësitë e tyre dhe t’i publikojnë mangësitë e tjerëve, madje t’i rrisin ato, ose që ta promovojnë veten se janë më të mirë se konkurrentët”, thotë analisti politik Ardian Arifaj.
Gjatë periudhës 2004-2007, Partia Demokratike e Kosovës pati themeluar të ashtuquajturin "Kabineti për Qeverisje të Mirë”, i cili në vete ka pasur aq departamente sa ka pasur ministri Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga tre ish-kryeministrat, Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi dhe Agim Çeku. Teksa i kanë udhëhequr këto departamente, drejtuesit e tyre së paku një herë në javë kanë organizuar konferenca për medie, ku kanë prezantuar, siç kanë pretenduar ata, keqqeverisjen e Kosovës nga ish-ministrat.
Për analistin Arifaj, kjo formë e veprimit ua ka lënë "ëmbël” anëtarëve të PDK-së, prandaj, ata janë të interesuar që të njëjtën gjë ta aplikojnë edhe karshi qeverisjes së Prishtinës.
"Arsye tjetër pse po përsëritet kjo çështja e kabinetit është se PDK-ja mendon se herën e kaluar kanë pasur sukses me një gjë të tillë, pra që është treguar praktikë e mirë”, thotë ai.
Prishtina, "ëndërr” për çdo parti
Analisti politik, Ardian Arifaj, thotë se fitorja e kryeqytetit është shumë e rëndësishme për secilin subjekt politik, meqenëse ajo më pas shndërrohet në pasqyrë, se kjo parti di dhe mund ta qeverisë suksesshëm edhe vendin.
"Për shembull, në Francë, kush bëhet kryetar i Parisit, e ka mundësinë të bëhet kryetar i Francës. Prestigji vjen edhe nga ajo se nëse mund të qeverisësh mirë me Prishtinën, mund ta qeverisësh mirë edhe me Kosovën, ngase problemet janë shumë më të mëdha sesa të qyteteve tjera”, thotë ai.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus