Kryesore » 2012»Dhjetor»3 » Parlamenti Evropian kundër strukturave paralele të Serbisë
2:33 PM
Parlamenti Evropian kundër strukturave paralele të Serbisë
Parlamenti Evropian pritet t’u bëjë thirrje 5 vendeve anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë. Ky formulim ndodhet në propozim-rezolutën për Kosovën, të hartuar nga deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, për të cilën sot pasdite pritet të debatohet në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.Pos kësaj thirrjeje, në këtë projekt-rezolutë ka edhe pjesë ku u bëhet ftesë autoriteteve të Kosovës që të bëjnë më shumë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa EULEX-it që të jetë më efikas në kryerjen e detyrave për të cilat është vendosur në Kosovë. Po ashtu, pritet që në këtë projekt-rezolutë t’u bëhet thirrje edhe autoriteteve në Serbi që të tërheqin nga Kosova strukturat paralele, apo strukturat shtetërore të Serbisë, para së gjithash, ato që kanë të bëjnë me fushën e rendit dhe ligjit, përfshi edhe Policinë e Serbisë që ndodhet në territorin e Kosovës.
Pritet që gjatë debatit, disa deputetë të Parlamentit Evropian, edhe një herë të kritikojnë misionin e e EULEX-it për mosefikasitet në kryerjen e detyrave.
Argument shtesë për të bërë një gjë të tillë, e kanë marrë edhe Raportin e fundit të Gjykatës Evropiane të auditorëve, të cilët kanë konstatuar që EULEX-i, dhe në përgjithësi prania e BE-së në Kosovë, nuk është shfrytëzuar sa duhet për të përmirësuar situatën, sidomos në fushën e rendit dhe ligjit, ku Kosova vazhdon të mbetet, siç thotë ky raport, një vend kur mbetet kryesisht i padënuar krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Ka edhe tema të tjera të cilat do të diskutohen sot në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Parlamentin Evropian.
Përpos Kosovës, do të diskutohet edhe për situatën në Serbi, dhe raportin për Serbinë të përgatitiur nga Jelko Kacin. Pritet që në debate, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, t’u bëhet thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë dialogun me frymë konstruktive, por edhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash, në dialogun e mëparshëm.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus