Kryesore » 2012 » Gusht » 12 » Paratë e pafajësisë
2:29 PM
Paratë e pafajësisë
Burgosja e më pas lirimi i tyre si të pafajshëm, po i kushton miliona euro buxhetit të Kosovës. Secili person që ka qëndruar në burg, e nuk është shpallur fajtor, ka të drejtë kompensimi. Një natë e kaluar në burg kompensohet me 13 euro. Për gati tri vjet janë dhënë gjysmë milioni euro për kompensime të të burgosurve. Jo të gjithë janë si Hashim Rexhepi. Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës refuzoi t’i marrë 15 mijë euro që i takonin si dëmshpërblim për kohën që e kishte kaluar në paraburgim. Por jo të gjithë i kanë refuzuar paratë e dëmshpërblimit. Në listën që posedon Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shumë emra që kanë marrë dëmshpërblim nga ky institucion për kohën që ka kaluar në paraburgim. E këto para paguhen nga buxheti i Kosovës, e që për gati tri vjet ka arritur gati gjysmë milioni euro. Njëri nga ata që ka marrë dëmshpërblim nga buxheti i Kosovës është edhe Agron Haradinaj.Haradinaj i ka kaluar 31 muaj në burg si i dyshuar se ka marrë pjesë në atentatin ndaj ish-shefit të ART-së, Anton Berisha. 

Pasi që u shpall i pafajshëm, Haradinaj si dëmshpërblim ka marrë rreth 11 mijë euro për ditët e kaluara në burg.

Vetë Haradinaj konfirmon për Express se paratë i janë derdhur në llogarinë e tij.

"I kam marrë sa më kanë takuar me ligj”, tha Haradinaj për Express.

Por njollosja e emrit, sipas tij, nuk paguhet me miliona.

"Nuk ka asnjë çmim që i paguan vuajtjet shpirtërore dhe njollosjen e personalitetit”, thotë Haradinaj.

Ai sqaron se paratë i ka marrë pas vendimit të gjykatës së shkallës së dytë, ku e liron atë nga akuzat e Prokurorisë.

E, Haradinaj nuk është i vetmi që është kompensuar për kohën e kaluar në burg. Në listat e KGJK-së figurojnë edhe shumë persona të tjerë. Njëri ndër ta është edhe ish-komandanti i UÇK-së Sali Veseli.

Gjykata Supreme e kishte liruar si të pafajshëm Sali Veselin pasi që Gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur atë fajtor se ka nxitur vrasjen e Ekrem Rexhës i njohur si komandant "Drini”.

KGJK-ja posedon shifrat për kompensim të njerëzve që nga formimi i këtij institucioni mirëpo gazetës i janë dhënë vetëm për dy vitet paraprake dhe për vitin 2012.

Ilaz Papaj, drejtor financiar në këtë institucion bën të ditur se që nga viti 2010 e deri më sot shuma e kompensimeve ka arritur gati në gjysmë milioni euro.

"Këto para paguhen nga buxheti i Kosovës”, thotë Papaj për Express.

Ai sqaron se që nga fillimi i këtij viti e deri më sot janë kompensuar 50 persona me gjithsej 103 mijë e 426 euro. Papaj përmend njërin që sivjet ka marrë më së shumti para, e ai është personi me emrin Valon Bajrami. Bajrami në emër të kompensimit për ditët e kaluara në burg i ka marrë 18 mijë e 930 euro.

Në vitin 2011, KGJK-ja ka pasur 88 raste që janë paguar me gjithsej 189 mijë e 384.19 euro. Gjatë këtij viti, Papaj përmend personin me emrin Burim Dibrani që ka marrë dëmshpërblim 16 mijë e 544 eurosh. Në vitin 2010, ka pasur më pak raste. 63 persona janë paguar me gjithsej 176 mijë e 913 euro.

Drejtori financiar përmend rastin e një serbi, Angjelko Kolashinovac që është paguar me 21 mijë e 908 euro. Edhe qytetari Isuf Pacolli është kompensuar me 14 mijë e 300 euro. Këto janë vetëm disa nga rastet që janë kompensuar për ditët e kaluara në burg për personat që shpallen të pafajshëm.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka shpjeguar për gazetën procedurat si dhe shumën se sa iu takon ndonjë personi që paraburgoset e më vonë lirohet nga Gjykata si i pafajshëm.

"Ne si KGJK këtë e kemi të rregulluar në bazë të një urdhërese administrative. Me sa di unë, shuma që paguhet për një natë në burg është përafërsisht 12 euro”, ka thënë Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Sipas tij, mjetet financiare për kompensimin e dëmit gjatë mbajtjes në paraburgim sigurohen nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

Në rastet kur pala e dëmtuar refuzon t’i marrë të hollat sikur Hashim Rexhepi, Enver Peci ka thënë se ato mbesin në buxhetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe shfrytëzohen për ndonjë rastet tjetër, nëse dikush lirohet nga burgu dhe kërkon kompensim. "Ato mbesin aty dhe shfrytëzohen për kompensimin e ndonjë dëmi tjetër.

Fakte:

Që nga viti 2010 e deri më sot, nga buxheti i Kosovës janë paguar saktësisht 469 mijë e 723 euro;

Gjatë vitit 2010, ka pasur 63 raste me 176 mijë e 913 euro;

Gjatë vitit 2011, 88 raste me 189 mijë e 384.19 euro;

2012 - Prej janarit e deri më sot, 2012, 50 raste me 103,426 euro.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus