Kryesore » 2012 » Mars » 5 » Parajsë për hajnat e veturave
3:22 PM
Parajsë për hajnat e veturave
Republika e Kosovës është bërë një "poligon” për hajnat e veturave, të cilët brenda një viti arrijnë t’i "konfiskojnë” rreth 500 vetura, kryesisht të reja. Nga të gjitha qytetet e Kosovës, hajnat të cilët i kontribuojnë më së shumti duket se e kanë një destinacion, veriun e rebeluar dhe të pakontrolluar nga institucionet e vendit. Një qytetar i Prishtinës tregon për gazetën "Zëri”se si iu kishte vjedhur dhe më pas shitur vetura e tij. "Disa ditë nuk e njoftova policinë, sepse pritsha mos po paraqitet dikush për të më njoftuar për veturën. E kur u binda se askush nuk do të më kontaktojë e paraqita rastin në polici. Por, interesant është se sapo e kam bërë këtë, më ka kontaktuar një person i pazakontë, duke ma ndryshuar bindjen”, fillon rrëfimin ky qytetar, të cilit në mes të Prishtinës i është vjedhur vetura "Golf 5”. Ky dyzetvjeçar tregon se personi që i kishte telefonuar i kishte ofruar atij që ta riblejë veturën e tij, në të kundërtën, ajo do të çmontohet dhe do të shitet për pjesë. "Ai ishte shqiptar, por nuk ma tregoi emrin. Më tha merri dy mijë euro edhe eja në Mitrovicën e veriut, por mos i trego askujt për këtë, se nëse i tregon e dëmton veten shumë. I mora paratë dhe u nisa për në kafenenë, ku më priste një person tjetër, i cili sapo kam hyrë në kafene më ka ftuar për kafe. Më tha a është ajo atje vetura jote, i thash po, tha m’i jep paratë, merri çelësat, targat i ke në bagazh por mos ia ngjit se unë nuk garantoj që me targa të Kosovës mund të dalësh i gjallë nga këtu”, thotë ai.Personi, që thotë se ka mësuar shumë nga kjo "aventurë” thotë se çudia më e madhe ka qenë se pak metra nga kafeneja ku është takuar me personin, nga i cili e ka riblerë veturën e tij, ka qenë e ndalur një veturë me policë të Kosovës. 

"E ndala veturën, edhe u thash a po e shihni more burra çka më ka ndodhur, ata qeshen me mua më thanë sa e bleve dhe më pyetën se a po vi prej kafenesë së famshme. Unë u bëra pak nervoz dhe u thashë të shkojnë e ta arrestojnë personin që m’i mori paratë, e ata thanë ia pafsh hairin veturës tënde se atë personin s’po mund ta luftojë Hashim Thaçi e po e luftojmë ne”, thotë ai, duke sqaruar se pas kësaj, policia ia kanë hapur një album me disa foto të personave që dyshohet se vjedhin vetura, e në mesin e të cilëve ka qenë pikërisht personi nga i cili ai e kishte riblerë veturën e tij.

Veriu, "zonë e lirë” për hajnat

Sipas të dhënave që posedon Policia e Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë vjedhur katërqindenëntëdhjetepesë vetura, nga të cilat njëqindetridhjetegjashtë janë zënë dhe më pas u janë kthyer pronarëve të tyre, ndërsa janë arrestuar njëqindepesë veta.

Bazuar në këto statistika, gjatë vitit 2011, Policia ka arritur t’i zërë dyqindenjëzetetre veta që kanë legalizuar veturat e vjedhura, ndërsa është arritur që të kapen pesëdhjetetetë raste të veturave të vjedhura jashtë Kosovës, tetëmbëdhjetë nga të cilat u janë kthyer pronarëve të tyre jokosovarë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se veturat më të preferuara për hajnat në Kosovë janë ato që prodhohen nga "Volkswagen”, "Audi”, "Mercedes” dhe "BMW”.

"Në bazë të informacioneve tona veturat më luksoze destinacion e kanë pjesën veriore të Mitrovicës. Aty strehohen në lokacione të ndryshme, të dyshimtit përmes telefonit shpeshherë kontaktojnë me viktimat për t’u kthyer veturat e tyre me pagesa nga dymijë deri në tremijë euro. Një pjesë e tyre shkon për Serbi dhe vende të regjionit. Po ashtu edhe disa nga to prehen-copëtohen dhe shiten për pjesë”, thotë zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadrija.

Sipas tij, bashkëpunimi me shtetet e regjionit është në nivel të duhur dhe se falë këtij bashkëpunimi shpeshherë u janë kthyer veturat (pasi janë zënë në Kosovë) qytetarëve që jetojnë në shtetet e regjionit, dhe se ka raste të shumta kur policia ka arritur t’i ndalojë dhe t’i arrestojë të dyshuarit teksa ata vjedhin vetura.

"Në veçanti vlen për t’u theksuar rasti në regjionin e Prishtinës ku numri i veturave të vjedhura është më i madh. Në një rast të hetuar nga Drejtoria e Hetimeve të Krimit të Organizuar (brenda së cilës vepron Njësiti i Auto-krimeve) janë arrestuar njëzetepesë persona dhe deri më tani janë identifikuar njëzetepesë vetura te vjedhura. Ky rast është duke u hetuar nga hetuesit policorë”, tregon ai.

Policia toleron vjedhjen e veturave

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, thotë se numri i veturave të vjedhura brenda një viti është shumë më i madh sesa ai që paraqitet nga Policia e Kosovës.

"Besoj që vjedhja e veturave është një nivel i ulët i krimit të organizuar dhe besoj që ka më shumë vjedhje sesa atë që ka arritur policia ta zërë. Sidomos ky rrjeti i organizuar i veturave që vidhen në Kosovë dhe dërgohen në Serbi është jashtëzakonisht shqetësues. Deri më tash nuk kemi parë ndonjë veprim për ta shkatërruar këtë rrjet, i cili përafërsisht dihet se ku i kanë hapësirat që i vendosin veturat”, thotë Ramadani.

Ai thotë se falë paaftësisë së institucioneve të Kosovës, në Kosovë vidhen veturat nga qytetarët e komunitetit shqiptar, të cilët pastaj bashkëpunojnë me ata serbë, të cilët "zanatin” e tyre e shtrijnë në veri të vendit, ku mund të veprojnë të lirë.

"Këtu nuk janë vetëm kriminelët serbë, por edhe ata shqiptarë dhe nuk është vetëm hapësira ku i vendosin veturat në veri, por i bëjnë edhe afër Prishtinës dhe besoj që policia e di, por asnjëherë nuk ka pasur veprime ose operacione që ta shkatërrojë këtë rrjet”, thotë ai, duke shtuar se Policia e Kosovës duhet të ketë strategji të veçantë për ta luftuar kontrabandën me vetura.

Ndërsa drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, thotë se vjedhja e veturave është krim i organizuar dhe multientik.

"Dihen se veturat vidhen dhe dërgohen në enklavat serbe dhe se policia nuk ka bërë diçka konkrete. Kjo lë dyshime se pas këtij "biznesi” qëndron dikush i fortë, pa dashur të paragjykoj, mund të jetë ose politikisht i fortë ose brenda policisë. Dihet linja e vjedhjes së veturave, por nuk është parë ndonjë operacion i policisë për shkatërrimin e këtij rrjeti”, thotë ai.

Eksperti i sigurisë, Qehaja, thekson se policia duhet t’i marrë informatat e sakta nga shërbimi inteligjent, dhe të ndërmarrë një operacion për arrestimin, siç thotë ai, të grupit kriminal.

"Absolutisht policia në raport me luftimin e kësaj dukurie, ka qenë shumë e dobët, mos të them ka dështuar, ka pasur arrestime aty-këtu, por nuk ka arritur t’i përmbushë objektivat për luftimin e kësaj dukurie në Kosovë”, shprehet ai.

Bashkëpunim me shtetet perëndimore

Policia e Kosovës kohë më parë ka ndërmarrë një aksion për hetimin e veturave me targa ndërkombëtare, në mënyrë që ta verifikojë nëse ato janë të vjedhura në vendet perëndimore ose janë me dokumentacion të rregullt.

Në njërin nga planet e tilla që ka zgjatur 24 orë dhe që është realizuar në bashkëpunim të ngushtë në mes të Ambasadës Zvicerane në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, është arritur të konfiskohen tri automjete me targa të Zvicrës për shkak të dokumentacionit të parregullt.

"Prej mbi njëqindenjëzet veturave që janë verifikuar në tri baza të të dhënave (të zonës së Shengenit, Interpolit dhe bazës së të dhënave të Zvicrës) janë identifikuar dhe konfiskuar nga policia tri vetura që kishin dokumentacion jo të rregullt dhe atë dy në Klinë dhe një në Gjakovë”, pati bërë të ditur policia.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus