Drejtori i sapozgjedhur i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka siguruar një pagë të majme nga kompania që aktualisht nuk arrin t’i mbulojë shpenzimet e veta.Hoxha, i cili njëherësh është nip i deputetit të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Azem Syla, sipas një dokumenti të cilin e ka siguruar gazeta "Zëri” merr një pagë mujore bruto prej 3500 euro, apo 42 mijë ero në vit, ndërsa zyrtari kryesor i financave i këtij institucioni paguhet 2500 euro në muaj, apo 30 mijë euro në vit. Po aq paguhet edhe udhëheqësi i auditimit të brendshëm dhe sekretari i korporatës. Për dallim nga telefonia mobile "Vala” dhe Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës do t’i shpëtojë procesit të privatizimit, të filluar nga Qeveria e Kosovës.Pas vendimit që kjo të mbetet kompani publike, Posta është mbipunësuar nga drejtuesit e këtij institucioni, ku numri i përgjithshëm i të punësuarve ka arritur në rreth 1000 veta. Shpenzimet e përgjithshme të këtij institucioni planifikohet të mbulohen jo nga shërbimet postare që i kryen, por nga qiraja e objekteve të PTK-së në gjithë territorin e Kosovës, të cilat do t’i shfrytëzojë me qira kompania që do ta privatizojë telefoninë mobile dhe telekomin. Askund në dokumentet publike të PTK-së nuk shkruan për të hyrat dhe shpenzimet e përgjithshme të Postës së Kosovës.
Në Vjetarin 2011 të kësaj kompanie publike thuhet se gjatë muajve janar, prill, korrik dhe shtator është zhvilluar procesi i vlerësimit të performancës në drejtim të dimensioneve dhe objektivave dhe vlerësimi i performancës për periudhën paraprake dhe dakordimi i objektivave për periudhat vijuese për 929 punonjës të Postës së Kosovës (PK).
Gazeta "Zëri” i ka dërguar disa pyetje të enjten e kaluar zyrtarëve të Postës së Kosovës rreth pagës së kryeshefit ekzekutiv dhe të hyrave dhe shpenzimeve të përgjithshme të këtij institucioni, mirëpo ata nuk janë përgjigjur në pyetjet tona.
Në anën tjetër, Agron Demi nga Instituti GAP, thotë se mbi 80 % e ndërmarrjeve publike në Kosovë operojnë me humbje.Sipas tij, Qeveria e Kosovës për çdo vit ndan mbi 30 milionë euro për subvencionim të këtyre kompanive. Megjithatë, siç thotë Demi, pagat e anëtarëve të bordit dhe drejtuesve ekzekutivë shkojnë duke u rritur nga viti në vit, edhe pse performanca e tyre në të shumtën e rasteve bie. "Ky rast ekziston me kompanitë rajonale të ujësjellësit, KEK-un, PTK-në, kompanitë për grumbullimin e mbeturinave, hekurudhat etj.”, pohon ai.
Kreu i Institutit GAP potencon se Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë një rregullore të brendshme, e cila e lidh pagën e anëtarëve të bordit dhe drejtuesve ekzekutivë me përfomancën e ndërmarrjes."Në këtë mënyrë, do të krijohej hapësirë shtesë për të motivuar drejtuesit e ndërmarrjeve, për të treguar rezultate më të mira, për të rritur inkasimin dhe efiçiencën”, përfundon Demi.
Paga mujore e Sejdi Hoxhës është përreth 700 euro më e ulët se e kryeshefit të Postë Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi, ndërsa përreth 700 euro më e lartë se e kryshefit ekzekutiv të KEK-ut, Arben Gjukaj, i cili udhëheq kompaninë më të madhe publike në vend.
Qerimi i PTK-së ka deklaruar 50 mijë euro pagë vjetore në PTK dhe 15 mijë euro si anëtar i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK). Mbajtja e këtyre dy pozitave nga Qerimi, sipas Gjykatës Komunale të Prishtinës, është konflikt interesi, ndërsa pas ankesës çështja ka shkuar në Gjykatën e Qarkut.Kreu i KEK-ut, Arben Gjukaj, ka deklaruar pagë vjetore prej 33 mijë e 600 euro, apo 2800 euro në muaj.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus