OSBE: Strategji kundër krimit, drogës e terrorizmit
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përkrahur hartimin e strategjive të reja dhe planeve të veprimit 2012-2017 kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimit të organizuar gjatë disa punëtorive të mbajtura në Durrës, Shqipëri, nga 6 deri më 23 qershor 2012.Gjatë gjashtë muajve të fundit, Misioni ka punuar me përfaqësuesit e policisë së Kosovës, ministritë relevante, këshillat gjyqësor dhe prokurorial, si dhe me EULEX-in, ICITAP-in, UNDP dhe organizata jo-qeveritare për të rishikuar strategjitë 2009-2012 dhe për të ndihmuar në hartimin e strategjive të reja, të cilat vazhdojnë deri në vitin 2017. Dispozitat përfundimtare janë hartuar gjatë punimeve në këto punëtori. "Këto strategji janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë,” tha Dushko Zavishiq, Zëvendës Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në OSBE. "Një bashkëpunim dhe koordinim i përmirësuar i të gjithë akterëve relevant është qenësor për mbajtjen dhe përmirësimin e sigurisë publike dhe kjo është edhe thelbi i këtyre strategjive.” Strategjia kundër trafikimit të drogës ka për qëllim ruajtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e abuzimit me droga duke zvogëluar mundësinë e sigurimit dhe kërkesës për drogat e ndaluara, kurse strategjia kundër terrorizmit përqendrohet në parandalimin, ndjekjen, mbrojtjen dhe reagimin ndaj aktiviteteve të terrorizmit.Strategjia kundër krimit të organizuar – si strategji ombrellë – përcakton rolet e agjencive për zbatim të ligjit dhe parasheh masa për përmirësimin e mëtutjeshëm të punës së tyre. Kjo strategji përfshinë edhe komponentin e ngritjes së vetëdijes për të siguruar përkrahje për implementimin e saj.
Këto draft-strategji, të cilat përcillen nga plane pesë-vjeçare të veprimit, së shpejti do t’i dorëzohen qeverisë për aprovim.
Misioni i OSBE-së promovon forcimin e sektorit të sigurisë publike në Kosovë, si dhe ofron këshilla dhe ndihmë për agjencitë e sigurisë përmes hartimit të strategjive, trajnimeve të avancuara për policinë dhe përkrahjes për iniciativat e policisë në komunitet.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus