Ambasadori i ri Kosovës në SHBA, Akan Ismaili ia dorëzoi kredencialet Presidentit Barack Obama gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë. Në fjalët e tyre, Obama dhe Ismaili u shprehën në favor të thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve mes Washingtonit dhe Prishtinës.Ambasadori i ri i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Akan Ismaili ia ka dorëzuar të mërkurën letrat kredenciale Presidentit të Barack Obama gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë."Presidenti Obama i uroi Ambasadorit dhe familjes së tij mirëseardhje dhe tha se pret që të punojnë së bashku në thellimin e marrëdhënieve tashmë të afërta në mes të dy vendeve. Më tej, në fjalën e tij, Presidenti Obama theksoi se Kosova është shtet i ri me të ardhme premtuese”, thuhet në njoftim.
"Në katër vitet që nga pavarësia, Kosova ka pasur arritje të mëdha, duke i realizuar obligimet e veta për krijimin e një shteti sovran, të pavarur dhe për të ndërtuar institucione demokratike dhe multietnike në shërbim dhe mbrojtje të interesave të të gjithë qytetarëve”, ka shtuar Obama.
Sipas kreut amerikan të shtetit, në Kosovë mbetet edhe shumë punë për t’u bërë, ndërsa u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës që të mbeten të përkushtuar për vazhdimin e progresit.
Obama ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do të mbeten përkrah Kosovës në përmbushjen e detyrave të vështira, të domosdoshme për avancimin e reformave.
"Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës. SHBA-të do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet rajonale dhe ndërkombëtare, që të mund të marrë vendin e saj që i takon brenda Evropës, e tërësishme, e lirë dhe në paqe”, ka thënë Obama.
Në fjalën e tij, Ambasadori Ismaili ka përcjellë përshëndetjet e institucioneve të Kosovës.
Ismiali ka ritheksuar po ashtu orientimin e përhershëm të Kosovës që si shtet i pavarur dhe demokratik të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie sa më të afërta me SHBA-të, bazuar në miqësinë dhe respektin e përhershëm për popullin amerikan dhe SHBA-të.
Në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë, Ismaili është shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.
Që nga arritja e tij në kryeqytetin e SHBA-ve, Ambasadori Ismaili tashmë i ka dorëzuar kredencialet te zëvendëssekretarja e Departamenti të Shtetit, Wendy Sherman. Ambasadori Ismaili është Ambasadori i dytë i Kosovës në SHBA.
Ismajli është dekretuar ambasador i përhershëm e fuqiplotë i Republikës së Kosovës në SHBA muajin e kaluar nga Presidentja Jahjaga. Ai është ambasadori i dytë i Kosovës në këtë vend. Deri më tani atje ka shërbyer Avni Spahiu.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus