Kryesore » 2011 » Maj » 11 » Një zyrtar serb për herë të parë zyrtarisht në Kosovë
10:01 AM
Një zyrtar serb për herë të parë zyrtarisht në Kosovë
Borko Stefanoviq është zyrtari i parë serb të cilit Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i organizojë pritje të karakterit shtetëror.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi do ta presë atë të enjten në zyrën e tij. Kjo, pasi shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën të martën pasdite ka kërkuar leje për vizitën dhe është Kuçi ai që i është përgjigjur pozitivisht.
"Është menduar të ketë takime me ne dhe me opozitën. Do ta pres në zyrën time”, i ka thënë "Kohës Ditore” zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. "Kërkesa për t’i dhënë leje që ta vizitojë Kosovën ka ardhur. Unë kam premtuar se do t’i përgjigjem pozitivisht”, ka shtuar ai.
Por dyert e Kuvendit nuk do të hapen për zyrtarin serb. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk do të rezervojë në agjendën e së enjtes një termin për të.
"Ai mund të vijë dhe të ketë takime me zyrtarë të Qeverisë, por nuk e shoh të arsyeshme në parim që të ketë takime edhe me Parlamentin”, i ka thënë gazetës kryeparlamentari Krasniqi.
Deri të martën pasdite Stefanoviqi nuk kishte kërkuar leje, dhe kishte deklaruar më herët se nuk kishte nevojë ta bënte një gjë të tillë. Nëse do të vepronte kësisoj, sipas Kuçit, ai do të ndalej nga autoritetet e rendit dhe do të kthehej në Serbi.
Në prag të përgatitjeve për raundin e katërt të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, shefi i ekipit negociator të Serbisë ka paralajmëruar gjatë ditës se do të vizitojë kryeqendrën e Kosovës, ku planifikon që të takohet me homologen kosovare, Edita Tahiri, por edhe me zyrtarë të tjerë qeveritarë dhe përfaqësues të partive politike, sikurse edhe përfaqësuesit e komunitetit serb në të dyja anët e Ibrit. Në një prononcim për portalin "Vesti", Stefanoviq ka konsideruar se është mirë që të dyja palët të takohen më shpesh dhe jo vetëm në takimet zyrtare në Bruksel, për shkak të numrit të madh të çështjeve të hapura.
Zyrtari serb ka pohuar se paraprakisht ka kërkuar që shefja e ekipit kosovar, Edita Tahiri, të vizitojë Beogradin dhe, meqë kjo ka shkuar ngadalë, ai ka vendosur që të udhëtojë për në Prishtinë.
"Kemi kërkuar takim me njerëzit nga Qeveria, me kryetarët e partive politike që përfaqësohen në Parlamentin e Kosovës. Në plan është edhe paraqitja në ndonjë medie në Prishtinë”, ka thënë Stefanoviq. "Reagimet janë pozitive dhe pres që të ndodhë afrimi i mëtutjeshëm i qëndrimeve”.
Por përveç zëvendëskryeministrit Kuçi, që ka shprehur gatishmërinë për ta pritur, zyrtarë të tjerë shtetërorë, por edhe të kampit opozitar, kanë shprehur mëdyshje për të organizuar pritje (më gjerësisht mund të lexoni në "Kohën Ditore”).
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus