Kryesore » 2011 » Tetor » 10 » Një deputet paguhet 30 mijë euro në vit
4:36 PM
Një deputet paguhet 30 mijë euro në vit
Një pjesë e madhe e forcave politike brenda familjes parlamentare nuk i konsideron të privilegjuara pozitat e tyre nga ana materiale, sa edhe obligimet që kanë, derisa segmente të opozitës i konsiderojnë të hyrat e tyre apo më mirë të themi shpenzimet që ka Kuvendi në paga e mëditje si dhe mallra dhe shërbime si luks i tepruar. Lartësia e pagës së përfaqësuesve të popullit varet nga funksionet në të cilat gjendet deputeti, respektivisht nëse është në ulësen e shefit të grupit parlamentar, kryetarit apo nënkryetarit, apo të jetë në krye të ndonjë komisioni. Sipas ligjit, për paga dhe mëditje të deputetëve janë të ndarë mbi katër milionë e 200 mijë euro, ndërsa për mallra dhe shërbime mbi 421 mijë euro. Në tremujorin e parë për paga dhe mëditje, Kuvendi ka shpenzuar mbi 396 mijë euro. Por, një pjesë e përfaqësuesve të popullit nuk konsideron se ka ndonjë privilegj me të hyrat që realizojnë në raport me obligimet që kanë para vetes. Madje, për ushtrimin normal të aktiviteteve në mënyrë të përgjegjshme ata konsiderojnë se duhet më shumë buxhet. Mesatarisht, një deputet në vit i kushton buxhetit të Kosovës rreth 30 mijë euro.
Nuk monitorohetzbatueshmëria e ligjeve
Nahit Hasani, deputet nga radhët e PDK-së, konsideron se çështja e pagës është e rregulluar me ligj dhe rregullore të punës së Kuvendit, duke vlerësuar se nuk duhet marrë shumë me çështjen e pagës, sa me përgjegjësinë e deputetit në realizimin e objektivave që ka. Në krye të Komisionit Parlamentar për Bujqësi, ai thotë se ka buxhet jo të mjaftueshëm për aktivitetin që duhet ta bëjnë në terren. "Për të monitoruar zbatimin e ligjit, me buxhetin që ka komisioni, është minimum ose 10 për qind e aktivitetit që mund ta realizojmë. Prandaj, duhet të rritet buxheti i Kuvendit, respektivisht i komisioneve për nevojat e zbatimit të ligjeve", thotë ai. Përkundrazi, sipas tij, nëse s'ka buxhet, nuk ka as mundësi tjera të monitorohet zbatueshmëria e ligjeve nëpër komuna, apo jo. "Me këtë buxhet, ne vetëm miratojmë ligje, duke mos ditur nëse zbatohen ato. Kemi raste të ankesave nëpër komuna për shkelje të ndryshme, ose për shkak të mosdijes, ose pse s'ka pasur kush i monitoron", thotë ai.
Beqiri kërkon më shumë buxhet
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se deputetët përfaqësues të popullit kanë obligime të mëdha, për dallim nga të tjerët. "Të qenit deputetë nuk është vetëm privilegj, por edhe obligim. Në aktivitetin tonë duhet të kemi një mbështetje, jo jashtë normales financiare, por vërtet është shumë e rëndësishme për t'i kryer obligimet tona në mënyrë të duhur", thotë ai. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk ka ndonjë buxhet të madh, edhe pse ai pohoi se duhet të shikohet mundësia e shpenzimit sa më racional jashtë shpenzimeve për paga. "Mendoj se edhe në segmentet tjera, te udhëtimet, te vizitat profesionale duhet shikuar mundësinë e lobimit parlamentar. Mendoj se deputetët do të mund të kontribuonin në këtë drejtim, por kjo do të duhej të bëhej në një lloj koordinimi të mirëfilltë, gjë që fatkeqësisht nuk po ndodh", thotë Beqiri.

Beqiri konsideron se me Qeverinë e Kosovës duhet të ketë një koordinim më të mirë të diplomacisë karshi njohjeve dhe aktiviteteve në këtë drejtim. "Lobimi është shumëdimensional dhe mendoj se deputetët janë më prapa, të mos them me fajin e tyre. Kur flasim për njohje dhe diplomaci, mendoj se kudo që jemi mund të ndihmojmë në drejtim të kësaj. Me buxhetin aktual, ndoshta duhet parë mundësitë e shpenzimeve më racionale, veçmas në aspektin e vizitave dhe diplomaci parlamentare", tha ai.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus