Bashkëshortët Isak Azemi dhe Kadrije Dinolli dyshohet se mbytën foshnjën e tyre tetë muajsh, për shkak se qau tërë ditën. Ngjarja e rëndë ndodhi të martën mbrëma në fshatin Smirë të Vitisë, në sy të vajzës dy vjeçare.A.A, foshnjë vetëm tetëmuajsh, dyshohet se u mbyt derisa ishte i shtrirë në djepin e tij.Kjo foshnjë tetëmuajshe dyshohet se u vra pikërisht nga ata që e sollën në jetë, nëna dhe babai. Kadrije Dinolli dhe Isak Azemi nga fshati Smirë e Vitisë, dyshohet se fillimisht e mbuluan me batanije, e në fund edhe e grushtuan djalin e tyre tetë muajsh.Foshnja A.A. nuk mundi t’u përballojë goditjeve dhe vdiq.Vdekjen e vogëlushit e konfirmuan për Express policia dhe mjekët që dolën në vendin e ngjarjes.Megjithëse policia nuk jep shumë detaje për këtë rast që e ka tronditur komunën e Vitisë, burime të Express tregojnë se dyshohet se rasti ndodhi të martën në mbrëmje, derisa dy bashkëshortët – tanimë të arrestuar – rrinin në një dhomë në shtëpinë e tyre në fshatin Smirë.
Sipas këtij burimi zyrtar nga Prokuroria e Qarkut në Gjilan, dyshohet se foshnja A.A. ka qarë gjatë tërë ditës.
Vaji i fëmijës ka vazhduar edhe në mbrëmje, ndërkohë që prindërit e lodhur, e grushtuan në fytyrë, sepse nuk mund t’ia duronin të qarat.
"Fëmijën që ishte i lidhur në djep, fillimisht dyshohet se e goditi e ëma me grusht, e pas saj edhe babai”, thotë ky burim i mirinformuar me rastin që njëkohësisht është edhe vetë i tmerruar.
Situata ka vazhduar kështu deri kur dikush nga të afërmit e familjes e ka parë se fëmija nuk merrte frymë dhe ka vdekur.
Policia, Prokuroria dhe mjekët nga Mjekësia Ligjore dolën në vendin e ngjarjes për të marrë më shumë detaje në lidhje me rastin.
E krejt kjo ngjarje e rëndë ndodhi në sy të vajzës një vjeç e gjysmë të çiftit.
A.A. (emrat e dy fëmijëve janë të njohur për redaksinë), e pa me sytë e vet se si babai dhe nëna ia mbytën të vëllanë në djep.
"Edhe fëmija tjetër shihet se është me trauma dhe dyshohet se edhe atë e kanë maltretuar të dy prindërit”, thonë burime nga Prokuroria e Qarkut në Gjilan.
Mësohet se kjo familje ka jetuar në gjendje shumë të rëndë ekonomike, por sipas njërit nga zyrtarët e organit të akuzës, kjo nuk mund të merret si arsye për të justifikuar një vepër të tillë kaq barbare.
Zyrtarisht në Prokurorinë e Qarkut në Gjilan nuk japin asnjë informatë për shkak se janë në fazën e parë të hetimeve dhe po bëhet gjithçka që është e mundur që të zbardhen motivet e kësaj vrasjeje të rëndë.
Deri më tani, Prokuroria nuk posedon ndonjë dokument se të dyshuarit janë të sëmurë psikikë që do të thotë se tash për tash rasti nuk mund të klasifikohet si i tillë.
Këto të dhëna nuk i ka as Policia e Kosovës e rajonit të Gjilanit.
Elmina Mahmuti, komandante e Policisë Rajonale në Gjilan, thotë se hetuesit janë duke e kryer punën e tyre për të zbardhur rastin.
Ajo konfirmoi se Isak Azemi dhe Kadrije Dinolli janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim.
"Këto janë informatat e para që ne i kemi. Ekipi i hetuesve është duke u marrë me rastin dhe po i presim rezultatet”, thotë Mahmuti për Express.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të të dyshuarve, Mahmuti thotë se nuk kanë ndonjë gjë konkrete dhe se nuk është punë e policisë që të vlerësojnë një gjë të tillë.
Mahmuti thotë se posa të kryhen të gjitha hetimet, do të kenë një raport më të hollësishëm në lidhje me vrasjen.
Dyshimi për kryerjen e një vrasjeje të tillë është evidentuare dhe në raportin zyrtar të Policisë së Kosovës, për ditën e martë.
Në këtë raport shkruan se dhunë të vazhdueshme ndaj fëmijës kanë ushtruar prindërit e viktimës I. A. i lindur më 1964 dhe bashkëshortja e tij dhe si pasojë e rrahjes – ngulfatjes, dyshohet se fëmija ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitet e para nga Stacioni i Policisë në Viti dhe njësiti i Hetimeve Rajonale.
Trupi i fëmijës u dërgua për obduksion në Institutin për Mjekësi Ligjore në Prishtinë.
|