Kryesore » 2012 » Janar » 22 » Nën mbikëqyrje ndërkombëtare
9:32 PM
Nën mbikëqyrje ndërkombëtare
Përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë nuk i jep fund nevojës që Kosova do ta ketë për vazhdimin e pranisë dhe asistencës së huaj, thonë analistët.
Të martën, Grupi Ndërkombëtar Mbikëqyrës do të mblidhet në Vjenë për të vlerësuar shkallën e përmbushjes së Pakos së Ahtisarit, dokument bazë ky, mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, e koordinuar dhe mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtar përmes Zyrës Civile Ndërkombëtare.
Autoritetet qeveritare presin që në këtë takim të nxirret si konkluzion përmbyllja e mbikëqyrjes deri në fund të vitit.
Sido që të jetë, analisti Belul Beqaj thotë për Radion Evropa e Lirë se faza e mbikëqyrjes është dashur të përfundojë më herët. Kurse vonesat, sipas tij, vijnë si pasojë jo vetëm e mospunës së institucioneve, por edhe e moskryerjes së misionit të faktorit ndërkombëtar.
"Ata që e kanë mbikëqyrur Kosovën, nuk e kanë kryer misionin në përputhje me qëllimet e tyre. Pavarësisht nga fakti se kanë ekzistuar, gjendjen e kemi të mjerueshme, duke u nisur nga fakti se në ndërkohë kemi rënë për disa vende në shkallën e shteteve të korruptuara në vendin e 112, pastaj në vend që të zvogëlojmë numrin e të papunëve, në tregun e punës për çdo vit i kemi mbi 30 mijë që kërkojnë punë”, vlerëson Beqaj.

Ndërkohë, analisti Ardian Arifaj mendon se Kosova ka bërë përparime në zbatimin e Planit të Ahtisarit. Por, Arifaj përmend edhe dy nga obligimet që ende kanë mbetur pa u përmbushur nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, e quajtur shkurt ICO.

"Kanë mbetur dy tema shumë të ndjeshme dhe të cilat nuk mund të zgjidhen për një kohë të shpejtë. Ato janë komuna e Mitrovicës së veriut dhe kapitulli i pestë, çështja e trashëgimisë kulturore, pra jemi duke folur për Prizrenin edhe Hoçën, më saktësisht, për çka ende po zhvillohet debat në Kosovë”, thotë Arifaj për Radion Evropa e Lirë.

Përmbyllja eventuale e pavarësisë së mbikëqyrur, si efekt do të ketë largimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare. Sipas analistit Belul Beqaj, ICO-ja edhe ashtu nuk ka shërbyer për tjetër, veçse për t’i mbuluar bëmat dhe dështimet e institucioneve të Kosovës. Si e tillë, kjo zyrë, nënvizon Beqaj, nuk ka përmbushur misionin që i është dhënë.

"Gjatë tërë kohës ICO-ja ka qenë vetëm mbulesë për dështimet që kanë ndodhur në Kosovë. Ata natyrisht ndoshta e kanë arsyetuar veten, por qytetari në Kosovë e di se në çfarë gjendje objektivisht është dhe nga shpresa që shteti eventualisht do t’ia përmirësojë kualitetin e jetës pak gjë ka ndodhur”, thekson Beqaj.

Megjithatë, përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare nuk nënkupton largimin e të gjitha misioneve të huaja nga Kosova. Edhe nëse ICO-ja do të shkonte nga fundi i vitit, në Kosovë do të mbesin misioni ushtarak paqeruajtës i NATO-s, pastaj misioni i BE-së për sundim të ligjit EULEX, misioni i OSBE-së si dhe administrata e UNMIK-ut, edhe pse pa ndonjë funksion praktik.

Analisti Ardian Arifaj, mendon se në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, Kosova do të ketë ende nevojë për ndihmë dhe këshilla ndërkombëtare.

"Edhe nëse do të përfundonte misioni i ICO-së, si një mision mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës, misioni i EULEX-it, si mbështetje për sistemin e drejtësisë në Kosovë, nuk është mision që mund të përfundojë dhe të largohet shpejt nga Kosova”, potencon Arifaj.

Për të marrë pjesë në takimin e Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar, për në Vjenë do të udhëtojë edhe kryeministri Hashim Thaçi. Ky grup përbëhet nga përfaqësues të vendeve që e kanë përkrahur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus