Kryesore » 2011 » Qershor » 13 » Në gusht, fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës?
3:53 PM
Në gusht, fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës?
Përmbushja e pjesës më të madhe të dispozitave të Pakos së Ahtisaarit ka sjellë reduktimin e numrit të personelit në Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO) gjatë këtij viti, ndërkohë që udhëzimet e mëtutjeshme të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (GDN) do të jenë vendimtare për përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës
Tkurrja e pranisë së ICO-s, sipas burimeve diplomatike, të cilat i citojnë mediet, është pjesë e strategjisë për mbylljen e kësaj organizate, veprim ky që mund të korrespondojë me katër vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
"Në mesin e shteteve anëtare të GDN-së në qarkullim është hedhur ideja që ICO të përfundojë misionin në shkurt të vitit të ardhshëm. Por ende nuk ka ndonjë vendim të caktuar për këtë", ka thënë për mediet një burim diplomatik.


Sipas tij, këto dilema pritet që të qartësohen në takimin e radhës së GDN-së, që do të mbahet në korrik të këtij viti, e ku do të shqyrtohen ecuritë në lidhje me përmbushjen e dispozitave të Pakos së Ahtisaarit.


"Nuk përjashtohet mundësia që shtetet anëtare të kenë opinione të ndryshme sa i përket kësaj çështjeje", është shprehur ky burim. Ndërkaq zëdhënësi i ICO-s, Endi Megafi, ka pohuar se nuk mund të përcaktohet afati i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur meqë ka ende dispozita të rëndësishme të Pakos së Ahtisaarit që duhen përmbushur, dhe se këtë vlerësim mund të bëjë vetëm GDN-ja.


"GDN-ja do të vendosë mbi të ardhmen e pavarësisë së mbikëqyrur bazuar në përparimin që arrin Kosova në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin. Detyra të rëndësishme të PGJS-së mbesin për t'u përmbushur prandaj dhe nuk mund të përcaktohet afati përfundimtar i mbikëqyrjes së tanishme", ka thënë Megafi.


Ai ka sqaruar se ICO-ja në bazë të udhëzimeve të GDN-së, që kishin hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti, ka reduktuar personelin dhe operacionet.


"Kjo ka qenë e bazuar në përparimin që Kosova ka bërë në zbatimin e PGJS-së. Prandaj ICO-ja ka mbyllur seksionin e ekonomisë dhe të çështjeve fiskale, seksionin për çështje të komuniteteve dhe ka bërë reduktime proporcionale në njësitë e tjera".


Megafi gjithashtu ka theksuar se krijimi i Gjykatës Kushtetuese, krijimi dhe zgjerimi i komunave të reja, sikurse edhe miratimi dhe zbatimi i një pjese të madhe të ligjeve që dalin nga Pakoja e Ahtisarit kanë mundësuar vlerësimin pozitiv mbi zbatimin e PGJS-së.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus