Kryesore » 2012»Prill»10 » Mustafi: “Më hoqën qafe se po merresha me 4 raste të mëdha”
8:06 PM
Mustafi: “Më hoqën qafe se po merresha me 4 raste të mëdha”
Prokurori Nazmi Mustafi pretendon se është i pafajshëm e i shantazhuar për shkak të katër rasteve të mëdha, të cilat ishte duke i hetuar. Në një letër drejtuar EULEX-it nga Qendra e Paraburgimit në Pejë, Mustafi ka thënë se pas rastit të tij qëndrojnë edhe figura të larta të drejtësisë kosovare. Edhe një javë pas arrestimit, Mustafi ende nuk është marrë në pyetje, ndërsa një seancë intervistimi është caktuar për datën 19 prill, raporton KTV.U arrestua të hënën e shkuar dhe ende nuk është intervistuar as nga policët, as nga hetuesit e rastit.Ky përbën një problem për prokurorin Nazmi Mustafi, i cili si njohës i këtyre procedurave ka nisur disa letra në adresë të Prokurorisë së EULEX-it nga Qendra e Paraburgimit në Pejë.
Në njërën prej tyre, të cilën e ka siguruar KTV-ja, prokurori Mustafi premton t’i zbulojë emrat e atyre që e shantazhuan dhe morën ryshfet në emër të tij.
Ai shpreh gatishmërinë të ballafaqohet në çdo rast me secilin person apo dëshmitar dhe shprehet i interesuar ta përfundojë këtë rast sa më shpejt që është e mundshme.
"I nderuari prokuror i rastit. Jam i gatshëm në çdo kohë të ballafaqohem me çdo person – dëshmitar, me të pandehurit e tjerë të këtij rasti dhe jam i interesuar që ky rast të zgjidhet shumë shpejt e të vërtetohet gjendja faktike reale; të vërtetohet se kush janë ata persona që më kanë shantazhuar, duke marrë ryshfet në emrin tim. Kush është ai që ka dhënë ryshfet, pse nuk del para drejtësisë kur dhënia e ryshfetit është e dënueshme”.
Më tej, Mustafi pretendon se shantazhi ndaj tij po bëhet për shkak të katër rasteve të mëdha, që është duke i hetuar.
"Ky është montim ndaj meje, në mënyrë që të më diskreditojnë mua dhe familjen time. Për momentin kam qenë duke hetuar 4 raste të mëdha të njerëzve që kanë shpërdoruar disa dhjetëra miliona, e të gjithë këta janë bashkëpunëtorë të personave që ma kanë kurdisur këtë montim”.
Ai thotë se njerëzit që u vunë kundër tij paragjykojnë profesionalizimin e tij. "Ata edhe çuditen se si është e mundur që një njeri i nacionalitetit boshnjak ta udhëheqë Task Forcën Anti Korrupsion.”
Në fund të letrës, Mustafi, thotë se është i pafajshëm dhe me arrestimin e tij koha do të punojë për kriminelët.
"Gjendem në paraburgim, i pafajshëm, pa kurrfarë arsye se do ta humbi edhe vendin e punës, gjë që do të shkojë në favor të shumë kriminelëve që janë nëpër pozita, e të cilët kam qenë duke i hetuar dhe që janë të ndërlidhur me figura të larta në drejtësinë e Kosovës”, përfundon letra.
KTV-ja ka mësuar se prokurori do të intervistohet më 19 prill.
Prokurori Mustafi dhe Xhelal e Reshat Zherka u arrestuan të hënën e kaluar në dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Denoncimi erdhi nga Pashk Mirashi, ish-punonjës i BQK-së, ndaj të cilit prokuroi Mustafi ishte duke zhvilluar hetime.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus