Kryesore » 2012 » Dhjetor » 15 » Mustafa: S’ka gjë të mirë nga arnimi i Qeverisë
2:08 PM
Mustafa: S’ka gjë të mirë nga arnimi i Qeverisë
Lidhja Demokratike do të punojë me partitë e qendrës së djathtë për të promovuar programin e vet politik dhe ekonomik dhe për t’u kyçur sa më shpejt në familjen e shteteve të Bashkimit Evropian, tha sot në një konferencë për media kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa."Ne konsiderojmë se duhet të bëhet shumë më tepër për të përmbushur reformën e administratës publike, për të forcuar shtetin ligjor dhe për të bërë progres domethënës në liritë dhe të drejtat e njeriut, sidomos në liritë e të shprehurit, si kritere për të vazhduar me procesin e stabilizim-asociimit”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, ne nuk mund të fajësojmë Komisionin Evropian pse vetë kemi ndërtuar një sektor publik mbi baza politike e të nepotizmit, të paaftë dhe joefikas për t’u ballafaquar me këto sfida të shtetndërtimit.

"Punësimi në sektorin publik dhe sistemi i parregulluar i pagave, nga qeveria aktuale po shfrytëzohet për efekte elektorale dhe të fushatës. Kosova, po ashtu, është radhitur e para në rajon dhe në radhët e shteteve afrikane për nga shkalla e korrupsionit, në kushtet kur kryeministri dhe Qeveria kanë shpallur tolerancën zero ndaj korrupsionit e ku janë të përfshirë dikasteret dhe ministritë më të ndjeshme”.

LDK, thekson Mustafa, do ta mbështes shtyllën e ligjit, gjyqësinë dhe prokurorinë që të jenë të pandikuara politikisht dhe të paanshme në zbatimin e ligjit.

"Ne angazhohemi që këto institucione të Kosovës, të cilat i përgjigjen Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe qytetarëve të saj, të përgatitën dhe ta marrin sa më shpejt përgjegjësinë e plotë për zbatimin e ligjit dhe për shtetin ligjor”.

Kreu LDK-së përsëriti mospërmbushjen e marrëveshjes politike ndërmjet tri partive politike dhe të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës.

"Marrëveshja është një Rezolutë e Kuvendit, por edhe në traditën tonë ka qenë që të zbatohen marrëveshjet dhe zotimet, sepse nuk dëshirojmë të ndërtojmë një ambient politik të mashtrimeve dhe të ndërskamcave. Prandaj, PDK-ja në një anë dhe Presidentja Jahjaga në anën tjetër duhet të hapin rrugë për zgjedhje të drejtpërdrejtë të Presidentit të vendit dhe për reformë të mirëfilltë kushtetuese dhe zgjedhore si dhe për respektimin e afateve te marrëveshjes”.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk sheh asnjë të mirë nga arnimi i kësaj qeverie. Por LDK, thuhet në kumtesë, respekton faktin se çdo subjekt merr vendime në suaza të interesave, vlerësimeve dhe përgjegjësisë së vet.

"Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, zgjidhja e vetme e qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme të këtij vendi, janë zgjedhjet nacionale, të drejta, fer dhe demokratike, nga të cilat do të buronte legjimiteti qytetar për qeverisje të këtij vendi. Çdo kombinim tjetër, është konstruksion mbi vota të abuzuara dhe zgjedhje të dyshimta”.

Për LDK-në, Qeveria e vendit jo vetëm që është tepër glomaze - për këtë Kosovë me dy milionë banorë - por ajo po funksionon si dopioqeveri (një qeveri të vendit - glomaze, dhe një qeveri të kryeministrit me zyra dhe agjencione).

Lidhja Demokratike e Kosovës, në muajt e ardhshëm do të pasqyrojë alternativat e veta për zhvillimin e ekonomisë dhe shëndetësisë, që janë shumë të ndjeshme për një qeverisje racionale të këtij vendi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus