Kryesore » 2011 » Tetor » 7 » Mujota shpërblen vëllanë e gruas
1:35 PM
Mujota shpërblen vëllanë e gruas
Ministri Fehmi Mujota ia ka besuar vëllait të gruas shtypjen e testeve për patentë shofer pa asnjë procedurë të prokurimit. Që nga ndërprerja e kontratës me kompaninë "Europrinty”, në korrik të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës (MI) ka shtypur këto teste te "Master Print”, pronë e Armend Ademit nga Fushë- Kosova, vëlla i gruas së ministrit Mujota.
Pikërisht për këtë punë tashmë është duke hetuar edhe Prokuroria e Qarkut në Prishtinë për veprën e shpërdorimit të detyrës zyrtare në MI, hetime këto që çuan deri në mbylljen e Qendrës së patentë- shoferëve në Prishtinë.Kjo punë, mikut të Mujotës i është besuar pa procedura të prokurimit, por siç shpjegon vetë ministri, kjo është bërë me një vendim të sekretarit permanent, Skënder Gashi, me anë të një komisioni të krijuar nga ai.Megjithëse personi ku u shtypën teste është mik i tij, Mujota thotë se nuk ka pasur ndikimin që kjo punë t’i besohet atij, pasi që zgjedhjen e ka bërë komisioni. Këtë veprim, besimin e punëve pa procedura të prokurimit, ministri Mujota e arsyeton me faktin se zvarritjet në prokurim dhe çështja e sigurisë ndikuan që kjo punë t’i besohet atij, që sipas Mujotës nuk ka konflikt interesi, pasi që ky i fundit nuk kishte tenderuar as një herë më parë në MI.

"Njësia e patentë shoferëve ka qenë pikë e zezë e kësaj ministrie. Ne që kur kemi ardhur në këtë ministri kemi kërkuar forma si ta rregullojmë këtë çështje, dhe kjo është njëra ndër format. Pra, forma që kemi aplikuar për shtypjen e testeve është bërë kështu për shkaqe të sigurisë”, ka thënë Mujota, duke arsyetuar se ka pasur rezultate, pasi që ka rënë niveli i kalueshmërisë së testit për shoferë.

Edhe miku i tij, Armend Ademi, mendon njësoj. "Policia ka qenë, ka hetuar dhe është tash punë e tyre se si vazhdojnë. Por, ajo çka mund të them sigurt është që nga kompania ime nuk kanë rrjedhur testet, dhe as që mund të bëhet këtu fjalë që unë të jem i përfshirë në falsifikime”, ka thënë Ademi, duke i ikur përgjigjes nëse ka ndikuar dhëndri i tij që t’i besohet kjo punë.

Sikurse ministri Mujota, po ashtu edhe miku i tij, Armend Ademi thonë se për këtë punë deri tash nuk është bërë asnjë pagesë, kurse shuma e punëve të kryera është e papërfillshme.

"Deri tash janë kryer punë në këtë shtypshkronjë rreth 400 euro”, ka thënë ministri Mujota.

Hetimet vazhdojnë

Derisa tash e disa ditë Qendra e Patentë Shoferëve në Prishtinë është e mbyllur dhe me shiritat kaltër e bardhë me mbishkrimin "Kosovo Police”, në Prokurori thonë se ende nuk ka të arrestuar.

"Lidhur me këtë rast ju njoftoj se tani janë duke u zhvilluar hetimet nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë. Momentalisht nuk ka të arrestuar”, ka thënë për "Zërin” Lirdona Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë, e cila ka arsyetuar se për shkak se rasti është në fazën e mbledhjes së provave nuk mund të japin më shumë detaje.

Ndryshe, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ditë më parë ka pranuar një informacion për dyshim se në këtë qendër po ndodhin raste të "Shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit”.

Me të marrë këtë informacion hetuesit policorë nga kjo drejtori kanë filluar analizimin e kësaj informate më 03.10.2011 rreth orës 12:30, me autorizimin e prokurorit të Prokurorisë Komunale të Prishtinës kanë bërë kontrollimin me ç’ rast kanë sekuestruar disa dokumente dhe prova të dyshuara për falsifikim në shtypshkronjën "Master Print”, pronë e mikut të ministrit Mujota, që e ka punishten në Fushë- Kosovë, kurse e regjistruar në lagjen Dardania në Prishtinë.

Pas ndërmarrjes së këtyre veprimeve hetuesit policorë kanë hasur në po të njëjtat dokumente të dyshuara ku edhe është bërë mbyllja e Qendrës së Patentë Shofereve në Prishtinë dhe vazhdon të jetë e mbyllur.

Punë për mikun, pa tender

Puna që i është besuar mikut të ministrit Mujota, pronarit të kompanisë "Master Print”, Armend Ademit, më herët është kryer nga shtypshkronja "Eroprinty” me tenderë. Edhe pse kishte një kontratë njëvjeçare që peshonte afro 15 mijë euro, me mundësi vazhdimi, kësaj kompanie iu ndërpre ajo nën arsyetimin se do të ndërrohen kodet e sigurisë.

Që nga ndërprerja e kontratës me "Europrinty”, në korrik të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës, pa procedura të prokurimit ka shtypur teste te "Master Print”, kurse tenderi për këtë punë ka dështuar në fund të muajit të kaluar, ani pse në garë ishin 6 kompani.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus