Kryesore » 2012 » Prill » 16 » Hymë pa konsensus në dialog me Serbinë
6:17 PM
Hymë pa konsensus në dialog me Serbinë
Dialogu Serbi-Kosovë duhet të vijojë mbi kuadrin e paketës "Ahtisari”. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në intervistën për gazetën Shekulli, analizon situatën e fundit prej së cilës disa konkluzione ndryshe po nxirren edhe për faktorin ndërkombëtar. Gjithsesi, sipas tij, ndihma e bashkësisë ndërkombëtare është domosdoshmëri edhe në të ardhmen.
 Z. Krasniqi çfarë po ndodh së fundmi në Kosovë? Është një problem i cili prej disa vitesh rishfaqet por pa marrë zgjidhje?
Esenca e problemeve në Kosovë është te shumësia e qendrave të vendimmarrjes gjatë këtyre 13 viteve të fundit, pra nga qershori i vitit 1999 e deri më sot. Kështu ishte edhe para pavarësisë, por nuk pati ndonjë ndryshim substancial as pas saj. Bashkësia ndërkombëtare gjatë gjithë këtyre viteve ka ndjekur politika së paku të dyfishta, një politikë për shqiptarët e një tjetër për serbët. Për serbët ndoqi një politikë toleruese të pakuptimtë, ndërsa ndaj shumicës shqiptare ndoqi politika mosbesuese, sidomos ndaj njerëzve që në vazhdimësi kanë qenë kundërshtarë të regjimit pushtues të Beogradit. Përkundër dobësive, komuniteti ndërkombëtar në Kosovë ka bërë edhe punë të mira, të cilat për qytetarët e Kosovës kanë krijuar favore dhe perspektiva të shumta. Me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar Kosova është çliruar, shumë dëme të luftës janë riparuar, administrata publike është funksionalizuar e profesionalizuar, legjislacioni është avancuar, demokracia është përparuar në shumë fusha të jetës, privatizimi ka bërë hapa të rëndësishëm, i janë vërë themelet ekonomisë së lirë të tregut, janë vendosur politika të reja fiskale, etj. Këto ndryshime, shpesh mjaft substanciale, kanë krijuar terrenin për fillimin e Bisedimeve të Vjenës, që kanë rezultuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shumëkush ka qenë skeptik për sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit, kanë qenë skeptik për integrimin e komuniteteve pakicë duke i përfshire edhe serbet e Kosovës. Në fakt, pavarësia e Kosovës ka prodhuar siguri e stabilitet. Serbët, përveç pjesës veriore, janë integruar mirë në jetën publike e institucionale. Shpresojmë që kjo do të ndodhë edhe në pjesën veriore të Kosovës. Zgjidhjet e problemeve nuk janë të lehta, por ne, gjatë këtyre viteve kemi zgjidhur probleme më të rënda sesa këto që i kemi sot. Konsideroj se shumë probleme më lehtë zgjidhen kur kokat janë të ftohta e zemrat të ngrohta. Ne, në Kosovë për shume vite kemi apeluar për durim dhe mendoj se edhe tani është koha më se duhur të kërkohet "ndihma” e durimit. Unë vazhdoj të besoj fuqishëm në zgjidhjen e problemeve në interesin e gjithë qytetarëve të vendit tim. Ndërsa komunitetit ndërkombëtar, me gjithë dobësitë e shfaqura e të shpërfaqura, s’kemi sesi të mos i jemi mirënjohës. Me ndihmën e tyre dhe në bashkërendim me ta, arritëm Kosovën ta shpallim shtet të pavarur, sovran e demokratik. Mirënjohja është institucion që duhet respektuar.

A është një situatë e zakonshme dhe e bëj këtë pyetje meqenëse Kuvendi nuk pranoi kërkesën e Vetëvendosjes për trajtimin e situatës në veri në një seancë plenare të jashtëzakonshme?

Gjendja në veri është e pandryshueshme qe 13 vjet. Shikuar nga ky kënd atje asgjë nuk është e jashtëzakonshme. Pasiguria është konstante, por politikat ad hoc çdo ditë atje mund ta bëjnë gjendjen të jashtëzakonshme. Kuvendi nuk ka pasur kërkesë të ligjshme për të mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme. Kurdo që përmbushen kërkesat procedurale e administrative mund të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme. Problemi nuk është te mbajtja apo mosmbajtja e seancës, por si ta zgjidhim problemin e me cilat mjete. Tek ne, në këtë legjislaturë, janë organizuar mbledhje të jashtëzakonshme vend e pa vend, bile edhe për çështje që nuk kanë pasur kurrfarë urgjence. Unë Kuvendin nuk e drejtoj me autoritarizëm apo arbitrarizëm, por mbi bazën e procedurave demokratike të parapara në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Shumica e Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk kanë qenë të gatshme t’i përgjigjen kërkesës së VV-së (Vetëvendosjes). Unë si deputet kam firmosur kërkesën e VV-së, por ajo nuk ka mjaftuar që të organizohet mbledhja e jashtëzakonshme. Në demokraci respektimi i procedurave është domosdoshmëri, përndryshe lehtë mund të kalohet në anarki.

Z. Krasniqi a po kthehet Mitrovica në një problem ndërkombëtar, dhe a do të pranojë Prishtina një dialog të ri me Serbinë? Nënvizoj se së fundmi për EULEX-in ka mjaft kritika?

Kosova (Qeveria) para një viti ka filluar një proces të dialogut pa ndonjë përgatitje të duhur dhe kjo është bërë me kërkesën e Brukselit, pa ndonjë platformë të përgatitur enkas për këto bisedime dhe pa një konsensus nacional. Ç’është e vërteta, janë arritur disa marrëveshje – konkluzione, të cilat nuk po respektohen nga Serbia. Dialogu duhet të vazhdojë mbi bazën e Dokumentit të Presidentit Ahtisari, sepse besoj që ky dokument përbën një ofertë të mirë për qytetarët serbë të Kosovës. Sa i përket EULEX-it, më duhet ta theksoj këtë, kam pritur një profesionalizëm ndryshe nga ai që është parë gjatë këtyre viteve. Por vlerësimin për punën e tij duhet kërkuar nga punëdhënësi i kësaj trupe evropiane – Brukseli.

A keni ju një strategji për veriun, sepse po flitet për një spastrim të heshtur?

Strategji në letër gjatë këtyre viteve ka pasur shumë, por një bashkëveprim i duhur mes institucioneve ndërkombëtare e vendore nuk ka pasur asnjëherë. Madje atje ka pengesë për shqiptarët edhe nga vetë ndërkombëtaret, kështu që pasiguria ka rezultuar një lëvizje të shqiptarëve edhe për shkaqe ekonomike. Për spastrim ende nuk mund të flasim, por gjendja është në kufirin e të padurueshmes. Lëvizjet e fundit që po ndodhin në atë pjesë, e konfirmojnë këtë.

Ju lutem një gjykim tuajin si politikan ndër vite, çfarë ka mbetur nga trashëgimia politike e UÇK-së, por dhe e Rugovës si dy rryma të kundërta edhe në edukimin politikë të qytetarëve?

Për mua kjo është një pyetje e vështirë, edhe pse në vitet ’90 kam bërë jetë politike në radhët e LDK-së, në kohën kur ishte Lëvizje politike për organizimin e jetës në Kosovë, ndërsa më pas isha pjesë politike e UÇK-së. Thënë troç, deri në mars-prillin e vitit 1998 isha edhe në njërën edhe në tjetrën. Kjo e fundit, pa dyshim që gjithë kombit i ka dhënë dinjitet në një kohë krize të madhe morale dhe politike. Nuk ka mbetur shumë nga e kaluara përveç kultivimit të autoritarizmit politik të shkëmbyer nga njëra-tjetra dhe i cili është shtrirë thellë në mentalitetin e njeriut tonë politik. Ekziston një shtensionim i dukshëm në skenën politike në Kosovë. Kjo është mirë. Të tjerat pritet të jenë shumë më mirë.

Ju, në mos gabohem, jeni shprehur për "terrorizëm politik” nga ana e VV-së. Ç’do të thotë kjo?

Krasniqi: Në momente të papritura shpesh ndodh që njeriu të mos e gjej fjalën apo shprehjen e duhur, kjo më ndodhi edhe mua. Por e vërteta është se VV-ja nuk e kishte plotësuar asnjë normë procedurale për të shtyrë në rend të ditës një çështje, thjesht ishte një përpjekje për t’i imponuar shumicës diçka që për shumicën ishte e papranueshme. Dhe kjo sigurisht nuk ishte demokratike.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus