Kryesore » 2012»Maj»22 » Monopol e tender të jashtëligjshëm për financuesin e LDK-së
2:28 PM
Monopol e tender të jashtëligjshëm për financuesin e LDK-së
Kritikojnë Qeverinë qendrore, por as vet nuk e lënë "lehtë” me shkelje. Dha zyrtarisht vetëm 9500 donacion për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), por u shpërblye me një tender që i dha njëherit edhe monopolin me reklamat në komunën që udhëheq kryetari i kësaj partie që pretendon të jetë lider i opozitës kosovare.Është kjo kompania AMM, pronë e Ahmet Kurtolit e Gëzim Salihut të cilës i është vazhduar kontrata për vendosjen e reklamave nëpër Prishtinën në mënyrë të kundërligjshme.Këtë e ka konstatuar Departamenti i Mbikëqyrjes në komisionin Rregullativ të Prokurimit. Ky institucion gjeti se komuna që drejtohet nga Isa Mustafa, për financuesin e partisë së tij shkeli nenin 52 të Ligjit të Prokurimit duke mos i njoftuar për eliminim konkurrentët e AMM-së.Në këtë rast, konkurrent të AMM-së, po ashtu të përgjegjshëm ishin edhe "Auto Avangarde”sh.p.k&NTP”Al Desing” dhe "Proreklam Europlakat &NTSh”Profitech”.
"Gjatë kontrollimit të dokumentacionit të tenderit kemi vërejtur se Autoriteti kontraktues nuk ka bërë njoftimin e operatorëve ekonomik të eliminuar dhe arsyet e eliminimit të tyre ,prandaj AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 52.1 të LPP-së”, thuhet në këtë raport që e posedon Indeksonline.
"Kurdo që një autoritet kontraktues e eliminon një kandidat ose tenderues nga pjesëmarrja e mëtutjeshme në aktivitetin e prokurimit, autoriteti i tillë kontraktues duhet që menjëherë të njoftojë kandidatin ose tenderuesin me shkrim mbi këtë fakt”, thuhet decidivisht në Ligjin e Prokurimit të zbatueshëm në Kosovë, por Komuna e Prishtinës nuk e zbatoi kur bëhet fjalë për financuesin e partisë që tash e drejton kryetari i kësaj komune, Isa Mustafa.
Çuditërisht, Komisioni Rregullativ i Prokurimit ndonëse ka konstatuar shkeljen e ligjit nga komuna e Prishtinës për financuesin e LDK-së, nuk ka dhene asnjë rekomandim se cili duhet të jetë fati i këtij tenderi.
E derisa ky institucion nuk e ka bërë këtë, komuna e Prishtinës veç e ka nënshkruar kontratën me AMM-në për kioske, me çka automatikisht është përligjur monopoli i kësaj kompanie në reklamat e kryeqytetit kosovar.
Krejt ky pështjellim me monopolin në reklama kishte filluar këtu e 11 vite më parë, në kohën e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse në Kosovë.
Komuna e Prishtinës, e cila që nga ajo kohë vazhdon të qeveriset nga njerëzit e LDK-së, i kishte dhënë kompanisë AMM monopolin për vendosjen e reklamave pa tenderë publik dhe duke mbajtur në vazhdimësi të fshehur kontratën, nëse kishte ndonjë të tillë ndonjë herë. Kontrata kishte kohëzgjatje deri në vitin 2007.
Një vit pa skaduar kontrata, u shpall, sikurse tash, një tender për ndërtimin e kiosqeve, AMM-së me këtë tender, me krejt emër tjetër, iu përligj monopoli që i ishte dhënë në vitin 2001 në këtë biznes.
Tash, me këtë tender të fundit që është shoqëruar me shkelje kontrata për monopol i është përligjur për së dyti, ani pse legjislacioni kosovar ndalon monopolin.
"Ndalohet shpërdorimi i pozitës dominuese nga një ose më shumë ndërmarrje. Një ndërmarrje konsiderohet të ketë pozitë dominuese nëse ka pjesëmarrje më të madhe se 40% në treg”, thuhet në Ligjin për Konkurrencën.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus