Me dhjetëra mjekë janë larguar nga Kosova vetëm gjatë vitit të shkuar, në kërkim të një vendi të punës dhe pagë më të mirë. Kushtet e mira që po ofron Gjermania për mjekët e rinj kosovarë, duke njohur diplomat e Fakultetit të Mjekësisë dhe praktikën e kryer brenda vendit, si dhe duke ofruar pagë, ushqim dhe strehim për ta që nga dita e parë, po tërheqin gjithnjë e më shumë mjekët drejt migrimit atje. E sindikatat e mjekëve po paralajmërojnë krizë kuadrosh në Kosovë, veçmas në disa fusha që edhe tani janë deficitare, nëse do të vazhdojë ky trend i ikjes së tyre nga vendi. Por, kjo nuk po përbën ndonjë problem për Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë. Drejtues të kësaj ministrie madje nuk i kanë as të dhënat në lidhje me numrin e mjekëve të larguar jashtë vendit. Për më tepër, ata as nuk po e shohin këtë si shqetësuese, duke e mohuar faktin se ajo po shndërrohet në dukuri.
Drilon Zekaj, i diplomuar si mjek i përgjithshëm, ka thënë për "Kohën Ditore” se po pret të gjejë një vend pune, por nëse kjo nuk bëhet, gjithsesi alternativa për të ikur jashtë vendit mbetet e hapur për të. Ai, madje ka pohuar se ka nisur të përgatitet për këtë.
Zekaj ka theksuar se së paku 30 shokë dhe kolegë të tij tashmë kanë migruar në Gjermani.
Ai ka pohuar se "nëse vazhdon ky trend i ikjes, edhe Kosova shumë shpejt do të ndiejë mungesën e kuadrove profesionale në mjekësi”.
Ndërsa këtë konstatim e mbështet edhe kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë(FSSHK), Blerim Syla.
Sipas tij, largimi jashtë vendit i mjekëve kosovarë tashmë është shndërruar në dukuri.
"Kemi apeluar në MSH që të përmirësohen kushtet për punësimin e tyre, por Ministria nuk po brengoset për këtë punë. Bile- bile njëri prej zyrtarëve të lartë, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, kritikës sime i është përgjigjur me fjalët: ‘Unë do ta hapja edhe një fakultet të mjekësisë vetëm që të rinjtë të dalin jashtë vendit’”, ka thënë Syla.
Në anën tjetër, në Ministrinë e Shëndetësisë konsiderojnë se Kosova ofron kushte
të mira për stafin shëndetësor, madje edhe më të mira sesa disa vende anëtare të Bashkimit Evropian, ku trendi i largimit nga to ka qenë tepër i madh.
Faik Hoti, drejtor në Departamentin për Marrëdhënie me Jashtë në këtë ministri, ka thënë se largimi i mjekëve nga vendet e tyre është karakteristikë për vendet në transicion dhe vendet ku paga e mjekëve nuk u mundëson atyre të jetojnë mirë nga puna e tyre.
Ndërkaq, këtu ka përmendur sesi mbi 5.000 mjekë polakë, sipas shoqatave mjekësore të këtij shteti, janë larguar nga vendi në tri vitet e para të anëtarësimit të Polonisë në BE, për të punuar në Britaninë e Madhe, në Suedi, Zvicër apo Gjermani.
Edhe Rumania e Bullgaria, thotë ai, janë përballur me këtë fenomen. Sipas shoqatës bullgare të mjekëve, vitin e kaluar rreth 500 mjekë janë larguar nga vendi dhe tendenca është në rritje, kjo sepse një mjek me një specializim të trefishtë fiton në kryeqytetin bullgar rreth 370 euro në muaj
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus