Kryesore » 2012 » Gusht » 29 » Ministria e veturave
10:34 AM
Ministria e veturave
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, brenda dy muajsh shpalli dy tenderë për vetura. Në të parin kjo ministri bleu 12 vetura, që i kushtuan afër 170 mijë euro, kurse tash shpalli tender edhe për dy tjera. Zyrtarët e ministrisë arsyetohen se tenderi i dytë u shpallë për nevoja shtesë të ministrisë.Vetëm dy muaj pasi i harxhoi afër 170 mijë euro për blerjen e veturave, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë shpalli tender të ri. Kjo përkundër faktit që në tenderin e parë bleu gjithsej 12 vetura, që i kushtuan afër 170 mijë euro.Derisa në tenderin e parë zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë u arsyetuan se veturat u duheshin për nevojat e Ministrisë dhe Inspektoratit, në rastin e dytë tepruan paratë.Arta Istrefi, këshilltare për media në Ministrinë e Tregtisë, thotë se tenderi për këto dy vetura vjen pasi Ministrisë i tepruan paratë dhe natyrisht, sipas saj, për nevojat e Ministrisë.

"Fjala është për dy vetura. Arsye pse është shpall ky tender është për shkak se ka tepricë të buxhetit dhe për shkak të nevojave të Ministrisë”, ka thënë ajo.

Krahas kësaj ministrie, ajo e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë tri institucionet që për blerjen e vetura këtë vit i kanë ndarë secila nga 200 mijë euro.

Në tabelat buxhetore për këtë vit, këto tri institucione prijnë si institucionet që kanë vendosur të shpenzojnë më së shumti në blerjen e veturave.

Ndërkaq, kur të gjitha institucionet qendrore bëhen bashkë, atëherë shpenzimet vetëm për blerjen e vetura shkojnë në afër dy milionë euro.

Sipas Istrefit, arsyeja pse kjo ministri i ndau 200 mijë euro ka të bëjë me zbatimin e Ligjit për Inspektoratin. Me këtë ligj të gjithë inspektorët në nivel vendi i kalojnë në kompetencë të Ministrisë së Tregtisë. Prandaj, me këto para kjo ministri synon t’i blejë 12 deri në 15 vetura.

"Në krejt Kosovën janë 90 inspektorë. Prej tyre, 76 inspektorë funksionojnë vetëm nëpër komuna. 16 inspektorë që janë brenda MTI-së funksionojnë vetëm me një veturë”, ka thënë Istrefi.

Ndërkaq, nga 130 mijë euro për këtë vit në blerjen e veturave do t’i shpenzojnë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Diasporës. Ministria e Administratës Publike vendosi t’i ndajë 100 mijë euro, 70 mijë euro Ministria e Punës dhe Ministria e Bujqësisë i ndau 50 mijë euro.

Agjencia Kosovare e Privatizimit për blerjen e veturave të reja për pasagjerë i ka ndarë 135 mijë euro, derisa Gjykata Kushtetuese është treguar më modeste, kur i ndau 40 mijë euro. Në vetura më së paku për këtë vit do të shpenzojë Kuvendi i Kosovës, 12 mijë euro.

Hiç më mirë në këtë aspekt nuk qëndrojnë as institucionet e drejtësisë. Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka ndarë jo më pak se 200 mijë euro për blerjen e veturave për gjykata dhe KGJK-në.

Ndërkaq prokurorisë blerja e vetëm një automjeti zyrtar për kryeprokurorin e shtetit do t’i kushtojë rrafsh 50 mijë euro.

Forca e Sigurisë së Kosovës, 50 mijë euro, Ministria e Mjedisit, 64 mijë euro. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për blerje të veturave për Ministri dhe për ambasadat nëpër vende të ndryshme të botës ka në dispozicion më shumë se 500 mijë euro.

Përpos ministrive, edhe një pjesë të drejtuesëve të komunave të Kosovës kanë paraparë mjete për blerje të veturave të reja. Komunës së Leposaviqit vetëm për blerjen e një veture i janë ndarë hiç më pak se 38 mijë euro, Komunës së Gllogovcit 20 mijë euro, Komunës së Fushë-Kosovës 8 mijë euro, Komunës së Lipjanit 80 mijë euro si dhe Komunës së Prishtinës, 100 mijë euro.

Komunës së Shtimes, Komunës së Graçanicës, 125 mijë euro, Dragashit, 15 mijë euro, Prizrenit, 45 mijë euro, Rahovecit, 50 mijë euro, Malishevës, 20 mijë euro, Gjakovës, 10 mijë euro, Istogut, 30 mijë euro, Zubin Potokut, 40 mijë euro si dhe Zveçanit, 120 mijë euro.

Për këto shpenzime, disa nga institucionet arsyetohen me atë se veturat janë shtrenjtuar dhe më shtrenjtë po iu kushton servisimi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus