Ministri Buja e zëvendësi i tij nuk flasin mes vete
Kabineti i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës ka rreth tre muaj që nuk po takohet, për shkak se ministri Ram Buja dhe zëvendësi i tij Nehat Mustafa nuk janë duke folur mes vete.Burime të gazetës "Zëri” brenda kësaj ministrie kanë bërë me dije se, "sherri ka plasur kur ministri Buja dha urdhër që të ulet përqindja e kalueshmërisë së provimit të maturës në afatin e dytë, pa pyetur Komisionin Qendror Shtetëror të Maturës (KQSHM), kryetar i së cilit komision është zëvendës ministri Nehat Mustafa dhe pa marrë miratimin e tij.Sipas këtij burimi, Mustafa ka kundërshtuar uljen e përqindjes së kalueshmërisë, gjë të cilën e kishte deklaruar publikisht edhe në një konferencë për media në afatin e parë të këtij provimi - atë të qershorit. Ndonëse me ligj pragu i kalueshmërisë saktësohet 50 për qind e testit, ligji nuk e ka ndaluar Bujën të tregohet solidar me maturantët.
"Që nga kjo ditë përplasja mori formën e prerë të mos komunikimit. Ka dy- tre muaj”, thekson ky burim në kushte anonimiteti.
Tani, dy krerët e MASHT-it, ministri Buja dhe zëvendësministri Mustafa , që më këtë të fundit identifikohej dhe vet MASHT-i pasi popullarizoi maturën, nuk i flasin njëri-tjetrit. Mustafa nuk ka pohuar dhe as ka mohuar këtë përplasje. Ndërsa, Buja nuk është përgjigjur.
Në ministrinë e Arsimit, gjithë punëtorët e këtij dikasteri e dinë tashmë se këta dy zyrtarë të lartë nuk po flasin mes vete.
Mustafa, pas kontaktit nga gazeta, ka pranuar se ka reaguar pasi janë shkelur procedurat institucionale, përndryshe thotë se ministri ka të drejtë të marrë vendim lidhur me maturën, pasi vetë ministri e themelon edhe strukturën organizative të këtij provimi, pra KQSHM-në.
"Unë jam i vetëdijshëm se pas deklaratave të mia... ai (ministri Buja) mund të më shkarkojë, por unë nuk mund të hesht vetëm që të ruajë pozitën që kam”.
Rreth vendimit për ulje të kriterit të kalueshmërisë nuk ka dashur të flas udhëheqësi i Njësisë për Vlerësim dhe Standarde në MASHT, Mustafë Kadriu.
"Ka qenë vendimi i ministrit”, kaq ka deklaruar Kadriu, duke mos dashur të flas më shumë rreth kësaj çështjeje, edhe pse bënë pjesë bashkë me Mustafën në grupin e njerëzve që kanë përgjegjësinë rreth këtij provimi.
Ligji për provimin përfundimtar dhe provimin e maturës shtetërore tek neni 19 për kriteret e provimit të maturës, precizon tek pika 2 se "çdo kandidat që i nënshtrohet provimit të maturës, pragu i kalueshmërisë është 50 për qind nga rezultati i përgjithshëm i arritshmërisë së pikëve të provimit të maturës”. Më tej sqarohet se kandidati i cili e arrin kriterin e kalueshmërisë sipas paragrafit 2 të këtij neni, shpallet i diplomuar i shkollës së mesme të lartë dhe arrin kushtin e përgjithshëm për të vazhduar shkollimin e mëtutjeshëm. Ndërsa, ai i cili nuk e arrin rezultatin e kalueshmërisë, sipas paragrafit 2 të këtij neni, shpallet përsëritës i provimit të maturës.
Rritja e përgjegjësisë për këtë provim pati si vijueshmëri njohjen e rezultateve të këtij provimi nga shtatë fakultete të Universitetit të Prishtinës (UP), prej tri sa ishin vitin e kaluar.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus