Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka bërë thirrje Serbisë që t’i
shuajë strukturat paralele në Kosovë. Ajo gjatë një konference të
përbashkët për gazetarë me presidentin serb, Boris Tadiq, ka bërë të
qartë, se Serbia nuk mund të fitojë as statusin e kandidatit pa i
zgjidhur disa probleme me Kosovën."Dëshirojmë rezultate gjatë dialogut. E kemi pasur një verë, që nuk
ka qenë aq e mirë, ka sjellë disa gjëra që ne kemi menduar se i kemi
tejkaluar. Dua të theksoj edhe njëherë: Gjermania dërgon numrin më të
madh të ushtarëve në kuadër të KFOR-it, dhe prania jonë i shërben atij
qëllimi ku të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë serbët ne
veri, do të jetonin në një atmosferë të qetë. Dëshirojmë që të ketë
rezultate dhe përparime”, ka thënë Merkel, duke porositur që të gjitha
temat të hapen dhe diskutohen që tani, e të mos lihen më vonë."Nuk mund të zgjidhen të gjitha çështjet me një veprim. Duhet të
hapen disa mundësi p.sh. nëse Serbia dëshiron që të fitojë statusin e
kandidatit për BE, ajo duhet të rifillojë dialogun dhe të marrë
rezultate nga dialogu; duhet që t’i mundësojë EULEX-it të punojë me
mirëkuptim në të gjitha vendet në Kosovë; duhet t’i shuajë strukturat
paralele, në mënyrë që të krijohen institucione të reja. Kjo është ajo
që ne mendojmë. Për këtë ne po zhvillojmë bisedimet, kjo nuk është e
thjeshtë”, tha Merkel, për të shtuar se marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë
proces i gjatë, por i padiskutueshëm."Nuk mund të keni bisedime me BE-në, deri në fund, e vetëm gjatë
bisedimeve të fundit të kujtohemi se qenka edhe një çështje e hapur. Për
atë arsye duhet që menjëherë të merremi me këto çështje serioze dhe jo
të heshtim ndaj tyre”, tha Merkel gjatë qëndrimit në Beograd.Në anën tjetër, presidenti serb, Borid Tadiq, ka thënë se nuk do të "
përkrah asnjë zgjidhje politike, për të cilën e di se, ndoshta jo
nesër-pasnesër, por për 10-15 vjet do të sjellë kriza të reja në
Ballkan, do t’i sjellë njerëzit para rreziqeve të tjera për jetën, do të
sjellë konflikte dhe luftëra të reja”.
"Nuk ekzistojnë rrethana politike, në të cilat do të pranoja zgjidhje
të tilla. Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, Serbia kërkon
zgjidhje kompromisi. Jam i bindur se mund të gjenden zgjidhje praktike
dhe kompromisi”, ka thënë Tadiq.
I pyetur se si do të veprojë nëse i duhet të zgjedhë në mes të
Kosovës dhe BE-së, Tadiq ka kritikuar mundësinë që Kosova të paraqitet
si parakusht për anëtarësim në bllokun evropian.
"Mendoj se politika, në të cilën Serbia do të vihej para zgjedhjes
Kosova apo Bashkimi Evropian, është politikë e gabuar dhe e ultimatumit,
e cila nuk është në përputhje me vlerat evropiane. Mendoj se duhet t’i
shmangemi kësaj politike dhe këtyre rrethanave. Do të ishte e dobishme
për të gjithë, jo vetëm për popullin serb, por edhe për popujt evropianë
dhe për Bashkimin Evropian”, ka thënë presidentit serb, duke propozuar
një zgjidhje kompromisi.
"Duhet të gjendet një zgjidhje elastike, kreative në rrethanat e
tanishme politike, e cila nuk pengon jetën normale të njerëzve, e cila
nuk i kërcënon dinjitetin as popullit shqiptar, as popullit serb;
zgjidhje që mundëson funksionimin evropian në hapësirat e Evropës
juglindore dhe që nuk prodhon rreziqe të reja për vendet fqinje – me
këtë pajtohem plotësisht”, tha Tadiq.(a.i.)
Merkel takohet me liderët serbë, flasin për Kosovën
Kancelarja gjermane Angela Merkel, është takuar sot në Beograd me
presidentin e Serbisë Boris Tadiq, për të kërkuar nga ai që t’i zgjidhë
mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës.
Merkel ka thënë se ajo do t’u tregojë liderëve serbë që një nga
parakushtet për Serbinë që të integrohet në BE, është normalizimi i
marrëdhënieve me Kosovën.
Vizita e Merkel vjen pak ditë përpara rifillimit të bisedimeve të
ndërmjetësuara nga BE-ja, në mes të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel,
me 2 shtator.
Merkel në Beograd - temë qendrore Kosova
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka arritur në Beograd, në ndalesën e saj të fundit në një turne të shkurtër në Ballkan.
Merkel tha se ajo do tu thotë liderëve serbë që të ndjekin rrugën e
Kroacisë që sipas saj, ka bërë përparime të mëdha në "zhvillimin
shoqërorë dhe ekonomik".
Merkel ka thënë po ashtu se Serbia duhet t’i zgjidhë mosmarrëveshjet e
saj me Kosovën për të përmirësuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
Merkel ka arriti në Beograd pas vizitës së djeshme në Kroaci.
Merkel para fillimit të vizitës në Kroaci dhe Serbia pati deklaruar
se "Njëra nga detyrat e mia do të jetë ta bindi Serbinë, se duhet ta
vazhdoj dialogun me Kosovën”.
|