Kryesore » 2011»Maj»9 » Megjithëse të izoluar, shënohet Dita e Evropës
10:42 AM
Megjithëse të izoluar, shënohet Dita e Evropës
Megjithëse jemi vendi më i izoluar në rajon, Kosova me një varg aktivitetesh festueses shënon 9 majin, Ditën e Evropës.
Në një publikim të Forum 2015 të botuar në 2009, shkruan se Kosova aktualisht është vendi më i izoluar në botë. Vetëm në 4 shtete kosovarët mund të udhëtojnë pa viza; shumë vende akoma nuk e kanë njohur pasaportën kosovare, dhe një pjesë e madhe e kufijve të saj janë të pakalueshëm.
Po ashtu, në publikim thuhet se kosovarët paguajnë vizat më të shtrenjta në rajon – derisa të gjitha vendet tjera ballkanike, nga 1 janari 2008, e kanë të përjashtuar një pjesë të madhe të qytetarëve nga pagesa e vizës, aplikuesit kosovarë bëjnë shpenzime shumë të larta - mesatarisht 119 euro, nëse aplikojnë në Prishtinë, dhe 132 euro kur aplikojnë në Shkup. Krahasuar me rrogën e 300.000 shërbyesve civile në Kosovë, një aplikim për vizë merr afër 60% të kësaj rroge.
Kosova është vendi të cilit i është vendosur regjimi i vizave nga më së shumti shtete. Numri i shteteve ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza, është vetëm 4, dhe ky është numri më i vogël sot në botë. Pas Kosovës vjen Afganistani me 20 shtete ku qarkullon lirë dhe pa viza, e mbi te Iraku me 23 dhe Somalia me 25 vende ku udhëtojnë pa viza.
Kosova është i vetmi vend Ballkanik të cilës i duhen viza për të udhëtuar edhe brenda këtij rajoni. Nga 10 vende Ballkanike, asaj i duhet të udhëtojë me vizë në 4: Bullgari, Rumani, Greqi dhe Kroaci; nuk mund të udhëtojë fare në 2 shtete (Serbi dhe Bosnje), dhe mund të udhëtojë lirisht vetëm në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Turqi.
Megjithatë, Dita e Evropës në Kosovë shënohet me një varg aktivitetesh festuese!
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga merr pjesë në ceremoninë zyrtare për shënimin e Ditës së Evropës, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me rastin e Ditës së Evropës, edhe Komuna e Prishtinës ka përgatitur një program artistik dhe sportiv. Shënimi i kësaj dite fillon në orën 10:00, ku para Teatrit Kombëtar do të zhvillohet një turnir i street ball-it, i cili do të përcillet me muzikë.
Ndërsa "Qendra Rinore e Komunës së Prishtinës” tek shtatorja e Skënderbeut, do të organizoje një punëtori të pikturës me artistë të rinj, ku për temë do të kenë BE-në.
Ndërkaq, në orën 12:00, fillon programi artistik, ku do të paraqiten grupe të ndryshme kulturore të fëmijëve, do të mbahet olimpiada e personave me aftësi te kufizuar dhe në 14:00 do të paraqitet një grup muzikor.
Evropa po ashtu shënon ditën e saj 9 Majin, simbolin evropian, që bashku me euron, flamurin dhe himnin, paraqesin identitetin politikan të Bashkimit Evropian. Në këtë ditë në vitin 1950 Robert Shuman prezantoi propozimin për krijimin e Evropës së organizuar, si opsion për ruajtjen e paqes në kontinentin e ndarë dhe të shkatërruar nga luftërat
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus