Kryesore » 2012 » Korrik » 23 » “Me Haradinajn kryeministër”
8:37 PM
“Me Haradinajn kryeministër”
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përjashton mundësinë e hyrjes në koalicion qeverisës nëse kryeministër i Kosovës mbetet Hashim Thaçi. Ky subjekt politik dëshiron përgjegjësi të plota në qeveri në të cilën kryetar i saj do të ishte vetëm Ramush Haradinaj. Në këtë mënyrë nënkryetari i AAK-së hedh poshtë konkluzionet e shoqërisë civile se në shtator Kosova do të ketë një përbërje të re qeverisëse nga e cila do të përjashtohej AKR-ja e Pacollit dhe do të futej AAK-ja e Haradinajt. "Nuk ka ofertë konkrete, nuk ka veprime të cilat do të conin tek një koalicion i mundshëm. Kriza që ekziston në koalicionin qeverisës ka lënë hapësirë që të ketë komente të tilla.Qëndrimi i AAK-së është ai që ka qenë edhe më parë: me Hashim Thaçin kryeministër ne nuk hyjmë në qeveri.Kjo është e gjitha!”, deklaroi nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.Debati për një formulë të re qeverisëse zhvillohet për shkak të sfidave me të cilat mund të përballet klasa politike në të ardhmen, siç është zgjidhja e problemit të veriut.

Kryeministri i Kosovës është cituar nga burimet ndërkombëtare të ketë thënë se nuk mund ta përballojë zgjidhjen e problemit të veriut vetëm me Behxhet Pacollin në qeveri. Por diçka e tillë mohohet nga nënkryetarja e partisë së Pacollit, Mimoza Kusari Lila. Ajo mban edhe pozitën e zëvendëskryeministrës në qeverinë e Kosovës dhe thotë se koalicioni aktual është i gatshëm të përballet me çfardo sfide që i del përpara.

"Në mes të partnerëve të koalicionit, asnjëherë nuk është diskutuar ndryshimi i partnerëve në koalicion. Në fakt vetë kryeministri ka përgënjeshtruar këto zëra. Mund të them se në secilën cështje që jemi ballafaquar e kemi tejkaluar me sukses. Natyrisht ka cështje madhore që kërkohet edhe konsensusi i opozitës. Zgjidhja e veriut është një prej këtyre, por ka edhe cështje të tjera madhore ku edhe opozita ka bashkëpunuar në mënyrë konstruktive.



Është Partia Demokratike e kryeminsitrit Hashim Thaçi ajo e cila është më e rezervuar të deklarohet rreth kësaj teme. Dy nga zyrtarët e kësaj partie, Hajredin Kuçi si nënkryetar dhe Blerand Stavileci si zëdhënës, thanë se nuk mund të flasin për këtë temë.

Ndërkaq, edhe shefi i grupit parlamentar Adem Grabovci nuk i përgjigjet interesimit të medias. Jashtë përllogaritjeve për të qenë pjesë e qeverisë mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila po kështu ka zgjedhur heshtjen përballë krijimit të një qeverie të re për zgjidhjen e problemit në një pjesë të territorit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus