Kryesore » 2011»Maj»16 » Mbushen 12 vjet që nuk dihet për fatin e Ukshin Hotit
3:46 PM
Mbushen 12 vjet që nuk dihet për fatin e Ukshin Hotit
Sot mbushen 12 vjet që kur për fatin e profesor Ukshin Hotit nuk dihet asgjë. Përfaqësues të familjarëve të të pagjeturve, thonë se institucionet nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e fatit të tij.
Ndërkohë, nesër në raundin e katërt të bisedimeve Prishtinë–Beograd, do të diskutohet çështja e të pagjeturve. Pala kosovare thotë se do të kërkojë përgjigje edhe për fatin e profesor Hotit.
Më 16 maj 1999, një ditë para skadimit të dënimit politik prej 5 vjetësh burgim, Ukshin Hoti është larguar nga burgu i Dubravës. Të burgosurit e tjerë shqiptarë dëshmojnë se ai është përcjellë nga tre zyrtarë të sigurimit serb. Prej asaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Haki Kasumi, udhëheqës i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Pagjeturve, thotë se institucionet tona nuk kanë bërë asgjë, njofton RTK.
Rasti Hoti është ende i hapur. Kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Preng Gjetaj, thotë se çështja e Ukshin Hotit ka adresë, pasi siç thotë, njerëzit të cilët e kanë liruar nga burgu duhet të përgjigjen patjetër se ku ka qenë destinacioni i profesor Hotit.
Në rrethin e katërt të dialogut Prishtinë–Beograd, nesër e pasnesër në Bruksel, temë diskutimi do të jetë edhe çështja e të pagjeturve. Koordinatori i grupit teknik për të pagjeturit, Pajazit Nushi, tha se në kuadër të të gjithë procesit të bisedimeve për të pagjeturit, do të diskutohet edhe çështja e profesor Hotit, por nuk është i sigurt se kur do të japë përgjigje Serbia për këtë rast.
Profesor Ukshin Hoti u dënua për herë të tretë më 17 maj 1994. Ai ishte njëri ndër politologët më të shquar të Kosovës dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Për herë të parë është dënuar në vitin 1981, për shkak të mbështetjes së studentëve dhe kërkesës popullore për Republikë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus