Kryesore » 2011»Maj»13 » Marrëveshje për ripranim me shtetet e Beneluksit
12:38 PM
Marrëveshje për ripranim me shtetet e Beneluksit
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi gjatë vizitës zyrtare në Bruksel nënshkroi Marrëveshje për Ri-pranim me tri shtetet e Beneluksit (Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun). Ministri Rexhepi e ka quajtur këtë hap si dëshmi se Kosova seriozisht dëshiron t’i përmbushë obligimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave.
Nënshkrimi i Marrëveshjeve për Ri-pranim është bërë me përfaqësuesit e Shteteve të Beneluksit, me ministrin e Luksemburgut për Punë, Punësim dhe Integrim, Nicolas Schmit, me ministrin e Holandës për Imigrim dhe Azil, Geerd Leers dhe me Sekretarin e Shtetit të Belgjikës për Migrim dhe Politika të Azilit, Melchior Wathelet.
"Këto Marrëveshje të nënshkruara, që janë në vazhdimësi të punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme për agjendën evropiane dhe liberalizimin e vizave, kanë për qëllim parandalimin e migrimit ilegal në shtetet e Beneluksit si dhe liberalizimin e vizave. Deri më tani janë nënshkruar 12 marrëveshje të tilla”, ka thënë Rexhepi.
Gjatë kësaj vizite, ministri Bajram Rexhepi është takuar edhe me përfaqësues të Komitetit për Politika Operacionale të NATO-s në Selinë Qendrore të NATO-s, ku ka bërë një prezantim për gjendjen e sigurisë në Kosovë. /Telegrafi/
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus