Kryesore » 2012 » Maj » 6 » Maqedonia burgosë edhe peshkatarët e Shqipërisë
12:38 PM
Maqedonia burgosë edhe peshkatarët e Shqipërisë
Policia kufitare maqedonase burgos peshkatarët shqiptarë në ujërat e Liqenit të Pogradecit. Arsyeja ndodhet te mospërcaktimi i qartë i kufijve liqenor mes dy vendeve. Ky shqetësim është ngritur nga kryetari i Shoqatës së Peshkatarëve të Pogradecit i nxitur nga rasti i fundit i burgosjes së vëllezërve peshkatarë Seitllari, raporton INA. Kryetari Adriatik Dokollari ka treguar për "Gazeta Shqiptare” se, dy vëllezërit peshkatarë nga fshati Mëmëlisht u mbajtën për tri ditë në burgun e Ohrit dhe vetëm pas takimeve dypalëshe ata janë të lënë të lirë. Ndërkohë që varkat, mjetet e peshkimit si dhe gjaku i zënë janë sekuestruar me pretekstin se janë zënë në ujërat e pjesës së liqenit maqedonas. Ky është vetëm rasti i fundit pa llogaritur të tjerat të ndodhura në periudha të shpeshta kohore. 

Duket vërtet paradoksale, por që prej vitit 1997 midis Shqipërisë dhe Maqedonisë mungon një vijë kufitare ujore. Kjo mungesë është bërë shkak për shumë incidente ndërku-fitare midis peshkatarëve pogradecarë që kryejnë gjueti në liqen dhe patrullës kufitare policore maqedonase. Aktualisht, nuk ekziston asnjë vijë kufitare në liqen e shprehur me shenja dalluese. Në ngjarjet e vitit ’97, shenjat dalluese kufitare mbi sipërfaqen e liqenit u dëmtuan duke kryer kështu funksionin e "tabelave qitëse”.

Ato ngjarje sollën prishjen përfundimisht të dallueshmërisë së kufirit ujor mes dy vendeve.

Peshkatarët dhe familjarët e tyre nuk mjaftohen me ndihmën që i kërkojnë shpesh policisë kufitare në raste të tilla, por ngrenë zërin edhe më tej. Ata kërkojnë që të vendosen sërish shenjat dalluese të kufirit në mënyrë që të mos përsëritet epopeja e bisedimeve dypalëshe mes policisë shqiptare dhe asaj fqinje. Procedurat janë të tejzgjatura ndërkohë që, të afërmit e tyre janë në burgun e Ohrit pasi kanë shkelur vijën kufitare në liqen kur kjo vijë kufitare nuk ekziston.

Peshkatarët kërkojnë që shteti të ndërhyjë urgjentisht në vendosjen e shenjave të reja dalluese përgjatë vijës kufitare në ujërat e liqenit të Pogradecit. Sipas policisë kufitare, ky problem madhor duhet të zgjidhet në rang ministrish respektive të vendeve fqinje pasi edhe vendosja e atyre shenjave ka kosto relativisht të konsiderueshme.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus