Kryesore » 2011 » Tetor » 9 » Maliqi: Ja si më hoqën
4:29 PM
Maliqi: Ja si më hoqën
Reshat Maliqi, drejtori i përgjithshëm i policisë, i shkarkuar mbrëmjen e 25 korrikut 2011 në mënyrë dhe në rrethana të pazakonshme, me vendim të kryeministri Hashim Thaçi, mu ditën kur edhe u ndërmor operacioni policor për dërgimin e policëve dhe doganierëve kosovarë në dy pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, për herë të parë zbulon detaje nga mbrëmja e bujshme dhe mënyra e shkarkimit të tij.
Ai dhe avokati i tij, Bajram Tmava, kanë vendosur "të sfidojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë” dhe të bindur në paqëndrueshmërinë e vendimit të kryeministrit, kanë paditur Qeverinë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Padia tjetër për kontest nga marrëdhënia e punës ka shkuar në Gjykatën Komunale dhe të dy shprehen të bindur se do të dalin fitues.Bisedën me ish-drejtorin e policisë e bëjmë në vendin e tij të ri të punës, në lokalet e Drejtorisë për Planifikim Strategjik, Planifikim Zhvillimor dhe Çështje Ligjore, ku zakonisht policia i "strehon” kuadrot që kanë rrëshqitur në detyrë. 

***

Maliqi në rrëfimin për "Zërin” flet pa dorëza duke zbuluar deri në detaje edhe banalitetet

e asaj dite të rëndësishme jo vetëm për të. Hollësi të ngjarjeve lidhur me operacionin policor në veri që ishte mbajtur larg tij e deri te lajmi për shkarkimin të cilin, vërtet, e kishte marrë vesh përmes njoftimit që u tha në ekranin televiziv.

Një operacion "i vogël” në Mitrovicë

Ai sqaron se për operacionin në Mitrovicë ka marrë vesh prej medieve. Se kurrfarë njohurish tjera nuk ka pasur para se lajmi të jepej në televizion.

-Me datë 25 kam punuar në zyrën time si zakonisht deri në 17:30. Po atë ditë kam kërkuar me shkrim nga EULEX-i që ta mbështesë Policinë e Kosovës në zbatimin e urdhëresës së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë lidhur me implementimin e reciprocitetit në kufi.

Kam caktuar edhe koordinatorin e policisë, i cili do të merrte pjesë në takimet që do të organizonte MTI-ja dhe i cili do të më informonte permanent lidhur me aktivitetet në këtë drejtim. Po atë ditë jam takuar me EULEX-in dhe kam theksuar se është obligim i tyre që ta mbështesim policinë ashtu që kjo urdhëresë të implementohet. Madje edhe u jam kërcënuar duke paralajmëruar se nëse atje ndodh diçka, nuk do të rri në zyrën time por do të shkoj në Mitrovicë dhe prej aty do ta udhëheq operacionin.

Pas përfundimit të orarit, si zakonisht, jam kthyer në shtëpi. Diku rreth orës 22:00 me një shok dola për një kafe, në një restorant afër shtëpisë. Diku pas orës 23:00 vajza ime nga Ferizaj më ka telefonuar.

Tha, a po e shikon televizorin, në ekran po jepet me shkrim lajmi më i ri: se kryeministri ka marrë vendim për shkarkimin tim.

Jo, i thash, nuk e kam parë duke menduar mos është ndonjë gabim apo diçka e tillë. Se dikush po bën hajgare.

Pasi në lokal nuk kishte TV kam shkuar në banesë dhe jam befasuar. Vërtet pa ndërprerë në shirit poshtë ekranit sillej lajmi se kryeministri më paska shkarkuar. Menjëherë e kam thirr ministrin Rexhepi.

I thash: -unë po shoh në ekran, po jepet lajmi kështu e kështu...Çka dini ju për këtë punë?

Unë s’di asgjë, -ishte përgjigja.

Po ku jeni ju?

Në Mitrovicë-, më tha. Kemi një operacion të vogël, kështu diçka.

Okej-, i thash. Sukses, natën e mirë..., thotë Maliqi

Pastaj kanë vërshuar thirrjet telefonike, nga të gjitha anët, gazetarët, TV-të, miqtë... Pyesnin çka u bë, çka po ndodh...

U kam thënë atë që ishte. Nuk di asgjë më shumë. Ashtu si ju që po e shihni në TV edhe unë aq di, veç po këqyri e po pres çka po ndodh, - thotë ai në vazhdim duke mos e pasur të qartë as tani çka dhe si vërtet ndodhi atë natë.

Ka qenë vërtet zhgënjyese. Kam pritur që së paku dikush të më ftojë dhe të më thotë: e kemi marrë një vendim për këtë apo atë arsye. E jo kështu..., - shton ai.

Në vijim ish-drejtori thotë se në takimet e rregullta me ministrin Rexhepi vazhdimisht është lavdëruar puna e tij, menaxhimi i policisë se kjo është përsëritur shpesh edhe në TV dhe në mediet e shkruara dhe asnjëherë as ministri e as kryeministri nuk kanë pasur ndonjë vërejtje rreth menaxhimit të policisë, situatës së sigurisë etj.

Ai sqaron se atë ditë askush nuk i ka dërguar ndonjë mesazh, ndonjë shkresë për ndonjë takim, se po planifikohet diçka e tillë.

Ç’është e vërteta atë mbrëmje, rreth orës 20:30, thotë se, ishte dëgjuar me ministrin Rexhepi sepse pak më parë e kishin kontaktuar nga EULEX-i, kur i kishin parë automjetet e Njësive Speciale duke shkuar në drejtim të Mitrovicës.

Shpendi e ka ditur....

Ai tregon se të nesërmen ka shkuar si zakonisht në zyrën e tij të drejtorit të policisë. Se ka pritur ndonjë takim apo diçka të tillë, por asgjë nuk ka lëvizur. Tek kah ora 15:30 ka arritur, përmes postës, vendimi i kryeministrit për shkarkimin. Dhe menjëherë ka marrë disa gjëra personale dhe e ka liruar zyrën. Siç thotë, për të mos ndërhyrë në ato rrethana kur operacioni ishte në zhvillim, nuk e kam telefonuar askënd nga zyrtarët. Tek pas tre ditësh e ka kontaktuar ministrin Rexhepi, i cili i kishte thënë se ai nuk di gjë por se vendimi ishte i kryeministrit Thaçi dhe se i ka sugjeruar që, hë për hë, të marrë pushimin vjetor. Dhe ashtu ka vepruar.

Pas pushimit ishte njoftuar nga Shpend Maxhuni, i caktuar u.d. i drejtorit të përgjithshëm, se ishte sistemuar në Drejtorinë për Planifikim Strategjik, Planifikim Zhvillimor dhe Çështje Ligjore

Ç’është e vërteta, Shpendi ushtrues detyre është caktuar më vonë por atë ditë ka udhëhequr operacionin në Mitrovicë, edhe pse, thotë Maliqi, e ka ditur se ligjërisht nuk ka të drejtë.

Ai përkujton se në një takim të përbashkët, më 22 korrik në Ministri të Brendshme, ku ishte ministri Rexhepi dhe ministrja Mimoza Kusari-Lila, në prezencë edhe të EULEX-it ishte diskutuar situata. Dhe se në kuadër të asaj strategjie policia ka hartuar Planin Operativ për veprim atje.

"E aty shkruan qartë se planin e udhëheq drejtori i policisë apo i dominuari i tij. Kjo nuk është respektuar në këtë rast. Kopjen e planit e ka pasur edhe zëvendësi im Shpend Maxhuni”, thotë ai duke shtuar se plani është i pakontestueshëm sepse kryeministri e ka të drejtën, por nuk është dashur të injorohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

"Shpendin e ka ftuar vetë ministri. Atë e ka angazhuar. E ka bërë vetë publike në medie se ai ka marrë urdhëresë nga kryeministri që e ka angazhuar Shpend Maxhunin”, thotë ish-drejtori.

Ai sqaron se atë mbrëmje për operacionin në veri nuk është njoftuar as drejtori rajonal i Policisë në Mitrovicës, Sami Shabani. Diku pas orës 23:00 Maliqi ishte dëgjuar me komandantin rajonal i cili kishte qëlluar në Pejë. Ai i kishte thënë se askush nuk e kishte njoftuar për operacionin që kishte nisur në rajonin që ishte nën komandën e tij por pasi ka dëgjuar ishte kthyer në Mitrovicë.

"Erdha këtu, por s’po më pyet askush”, citon t’i ketë thënë Shabani.

Miqtë jashtë dhe partnerët brenda

Në vendimin që kishte marrë vetëm shkruan: "Reshat Maliqi shkarkohet nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të policisë. Dhe asnjë fjalë më shumë, asnjë arsyetim”, thotë ai.

Nga ana ligjore thirret në Kushtetutë, në nenin 94 që përcakton se kryeministri ka të drejtë të shkarkimit dhe në vijim thirret në nenin 43 të Ligjit të Policisë së Kosovës që thotë: ai që emëron drejtorin, zëvendësdrejtorin dhe ndihmësit ka të drejtën edhe t’i shkarkojë për arsyet në vijim e që janë pesë: e para, nëse drejtori bën kërkesë me shkrim për shkarkim nga detyra, që është përdorur në këtë rast, "e që do të thotë se kryeministri gjoja sipas kërkesës sime e ka marrë këtë vendim...

Kërkesë që fare, kurrë nuk kam kërkuar. Dhe dëshiroj të ballafaqohem me këdo qoftë në gjykatë. Le të ma prezantojë kërkesën të cilën unë gjoja e paskam bërë. Nuk ka kurrfarë kërkese”, thotë ai.

Në pyetjen se pse pra e shkarkuan dhe pse në këtë mënyrë, as vetë Maliqi nuk ka një përgjigje të qartë.

"Edhe unë tash pyes veten. Kur mendohet mirë mund të jenë do lëvizje që unë i kam bërë e që dikujt mund të mos i kenë pëlqyer”.

Që në start kam vërejtur se Policia ka nevojë për ndryshime. Kemi pasur një numër shumë të madh, diku rreth 385 oficerë në pozita menaxheriale me status të ushtruesit të detyrës. Në pozita si ushtrues detyre mund të caktohen tre muaj plus edhe tre të therë por assesi që me nga tre apo katër vite të qëndrojnë ushtrues detyre. Ka qenë një grup njerëzish të privilegjuar që janë paguar në bazë të pozitës e jo të gradave që e dëmton buxhetin e Policisë dhe të tillët janë rrezikuar.

Ka qenë i paraparë një rishikim i strukturës organizative të Policisë dhe kur e kemi përfunduar strukturën kemi filluar implementimin.

Ka qenë ndoshta për dike e dhembshme lëvizja e disa njerëzve që kishin ardhur jo mbi baza profesionale por mbi baza shoqërore, familjare dhe të tjera.

Unë kam synuar që ato t’i korrigjoj përmes asaj që t’i sistemoj njerëzit me grada përkatëse dhe të nxjerri një analizë për gjendjen gradave dhe pozitave sipas strukturës që e kemi dhe ta zhbllokojmë procesin e gradimit që ka ngecur qysh në vitin 2007 kur janë bërë gradimet e fundit. Kjo mund të jetë arsyeja.

Ka pas pakënaqësi të cilat nuk janë shprehur këtu brenda por janë shpreh jashtë organizatës sonë. Sepse disa miq jashtë kanë humb partnerët e vet këtu brenda, kanë humbur pozitat që i kanë pasur.

Dy paditë, sfida e drejtësisë

Maliqi nuk do të besojë thashethemet se anashkalimi i tij dhe shkarkimi mu ditën e operacionit policor në veri ka të bëjë me mosbesimin ndaj tij apo dyshimin se mund ta dekonspironte operacionin para se të fillonte.

Në opinion kjo është komentuar sikur kryeministri dhe ministri nuk kanë pasur besim në Drejtorinë e Përgjithshëm të Policisë

"Unë nuk e besoj fare këtë. Kam pas dhe kam besim në vete dhe ne kolegët e mi. Besim kam pas edhe në ministrin dhe në aspektin profesional kam qenë shumë i hapur por edhe shumë i kujdesshëm çka të flitet e çka të mos flitet.

Sa i përket bashkëpunimit me policinë e EULEX-it ka qenë porosi e ministrit dhe kryeministrit që të bashkëpunoj me policinë e EULEX-it.

Në instancë të fundit, nëse operacioni ka qenë i fshehtë ka mundur të takohemi së bashku në Mitrovicë, në një lokacion të përbashkët, ku askush nuk do të kishte mundësi të kontaktonte me dike jashtë. E aty të na thuhet se do të ndërmerret një operacion i tillë për të cilinën nuk duhet të dijë askush. I heqin telefonat, i heqim të gjitha... dhe prej aty punojmë së bashku, prej aty koordinohet operacioni” thotë ai .

Në vijim Maliqi dhe avokati Tmava thonë se do ti ndjekin deri në fund dy paditë ndaj Qeverisë, përkatësisht kryeministrit. Njëra në Gjykatën Komunale sepse me shkarkimin është dëmtuar në pagë, e Ligji i Punës thotë se eprori mund ta lëviz dike dhe ta vendosë në pozitë më të kultë por për kohën për të cilën është emëruar e ruan pagën që e ka pasur. Në Gjykatën Supreme ka shkuar padia për vendimin e kryeministrit për shkarkimin.

Avokati Tmava shpreh bindjen se nga kthimi i klientit të tij në pozitën e drejtorit nuk ka gjë. Gjykata Supreme, mendon ai, do të aprovojë padinë dhe do ta kthejë lëndën në rishqyrtim, duke plotësuar mangësitë e vrazhda të atij vendimi për shkarkim. Ai madje zbulon se vendim i kryeministrit nuk përmban as këshillën juridike, udhëzimin ku mund të ushtrohet ankesë, formalitet ky që duhet ta ketë çdo vendim,

Ndërkohë Konkursi për vendin e drejtorit të Policisë është shpallur dhe afati për konkurrim ka përfunduar.

"Normalisht, nuk kam konkurruar. Sepse edhe nëse nga Bordi Intervistues kualifikohem si kandidati më i miri nuk pres se mund të emërohem pasi vendimin përfundimtar përsëri e merr po ai që ka marrë vendimin për shkarkimin tim” thotë Maliqi.

Kryeministri ka mundur ta bëjë këtë në mënyrë më të rregull e jo kështu të shkel ligjin dhe të lërë hapësirë për kontestime nëpër gjykata. Por gjërat kur bëhen me nguti dhe nga njerëz të papërgatitur, kështu dalin. Këtë vendim kryeministri vetëm e ka nënshkruar ndërkaq ia ka përgatitur kabineti i tij” thotë ish drejtori i Policisë që përsërit se dy paditë e tij ndaj Qeverisë tani janë sfida e gjyqësorit në Kosovës.

Prej dasmave në Mitrovicë

Në kontaktet që i kam pasur me kolegët më kanë thënë se shumë nga policët e njësive speciale kanë shkuar të papërgatitur. Se në nguti disa nuk i kanë marrë as pajisjet e domosdoshme, as jelekët e pancirit por janë nisur Ka pasur policë që kanë shkuar prej dasmave, e drejtpërdrejtë në Mitrovicë. Kanë menduar se është fjala vetëm për një ushtrim edhe pse njësitë do të duhej të angazhoheshin komplet me të gjitha pajisjet, edhe në ushtrime.

Kontakti me Shpendin

Diku pas mesnate Shpendi më ka telefonuar.

I nisëm policinë në drejtim të portave 1 dhe 31, tha ai, dhe aty e kam kuptuar se është fjala për operacion.

A të ka thirr ministri, më pyeti.

Jo, i thash. Pastaj, pak a shumë i habitur më tha:

Mua më ka thirr, më ka angazhuar... Ministri më ka kërkuar që t’i angazhoj njësitë speciale dhe t’i dërgoj në Mitrovicë.

Lidhur me çka, i thash.

Nuk e di, tha, veç t’i dërgoj në Mitrovicë. Urgjentisht..

Mirë, i thash, angazhoji fillimisht njësitë nga Mitrovica e Prishtinën, që janë më afër, deri sa të vijnë edhe njësitë tjera nga rajonet që janë më larg. Kaq ishte...
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus