Kryesore » 2012»Korrik»6 » Makolli: Mërgimtarë, kujdes kur udhëtoni nëpër Serbi!
1:26 PM
Makolli: Mërgimtarë, kujdes kur udhëtoni nëpër Serbi!
Bashkatdhetarët që vijnë për pushime në Kosovë, nëpër territorin e Serbisë, duhet të kenë kujdes të madh, ngase nga Serbia mund të pritet gjithçka. Këtë porosi e jep ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, në një intervistë për transmetuesin publik. Zoti ministër, këto ditë fillojnë "Ditët e Mërgatës”, një aktivitet ky që do të zgjas gjatë tërë muajve të verës. Sa jeni përgatitur ju si ministri për një aktivitet të tillë? I.Makolli: Thënë të drejtën, tash është krijuar një praktikë në Kosovë me organizimin e aktiviteteve me rastin e qëndrimit të mërgatës në Kosovë, gjatë pushimeve verore. Gjithsesi, në këtë kuadër, ne kemi marrë një mori veprimesh në drejtim të organizimit të aktiviteteve kulturore, arsimore, sportive, e të tjera, të cilat do të ndodhin në të gjitha komunat e Kosovës. Kemi një bashkëveprim shumë të mirë me autoritetet lokale për të organizuar pritje sa më të mira të mërgatës këtu. Në këtë aspekt, kam parasysh gjithnjë, që pothuajse pjesa qendrore e këtyre organizimeve, do të jetë vetë mërgata, e cila do të paraqes vlerat që krijohen në mërgatën tonë, sepse tash kemi një mërgatë, e cila jo vetëm që është kultivuese e vlerave kombëtare, por edhe krijuese e përditshme e këtyre vlerave. Po ashtu, kemi ndërmarr veprime bashkë me autoritetet tjera, qofshin të nivelit lokal, qofshin qendror, për të garantuar një efikasitet të administratës së shtetit, në përgjigje të nevojave që ka mërgata jonë. Tashmë janë marrë të gjitha veprimet për të rritur kapacitetet e nëpunësve civilë për t’u ardhur në përgjigje nevojave të mërgimtarëve, sikurse, po ashtu, edhe me autoritetet e rendit, por edhe autoriteteve doganore, për lehtësimin e procedurave gjatë kalimit të pikave kufitare, qofshin përmes rrugëve tokësore, qofshin përmes Aeroportit të Prishtinës.
Konkretisht - çfarë aktivitetesh do të ketë gjatë këtyre ditëve?
I.Makolli: Do të ketë aktivitete kulturore të fushave të ndryshme, ekspozita të fotografive, piktura, drama, promovime të botimeve të mërgimtarëve, lojëra të ndryshme sportive, do të jetë kampi veror për nxënësit e mërgatës, sikurse, po ashtu, do të organizohen edhe aktivitete të tjera, me qëllim që të rinjtë tanë të mërgatës të njihen me Kosovën. Po ashtu, do të organizohen një mori debatesh nga fusha të ndryshme, veçmas me investitorë potencialë nga ana e mërgatës, për t’i njoftuar më detajisht për mundësitë ligjore që ka Kosova, por edhe për potencialin edhe njerëzor edhe natyror që ka Kosova. Tashmë, parashihet që të jetë edhe dita qendrore e mërgatës, parashihet edhe me ligj. Kjo ditë do të shënohet në Prekaz, që do të jetë në fillim të muajit gusht.
Pse pikërisht Prekazi?
I.Makolli: Prekazi është vend i cili na bashkon të gjithëve, vendi ku rreh shpirti i Kosovës së re. Edhe ashtu, secili mërgimtar që vjen në Kosovë e viziton Prekazin. Ai vend ka filluar të shndërrohet në një vend të shenjtë për gjithë shqiptarët dhe kemi vlerësuar dhe vlerësojmë se vendi më adekuat për të mbledhur mërgimtarët tanë, është pikërisht Prekazi, për të marrë energji të reja, për të rishikuar, njëkohësisht të kaluarën tonë, por edhe për të marrë energji të reja, në rrugën tonë të mëtejmë, drejt zhvillimit të vendit por edhe të mërgatës.
Bashkatdhetarët për çdo vit ankohen për procedura burokratike. Si ministri, sa keni mundur të punoni në këtë drejtim, që të evitohen këto procedura, sidomos në kufij?
I.Makolli: Ka një lëvizje pozitive, pothuajse nga dita në ditë, në këtë aspekt. Kemi parasysh që, si vend kemi ndërtuar një administratë të re, e cila nuk mund të thuhet se ka pasur një përvojë të duhur, pastaj kemi pasur një numër të madh të shtetasve tanë, qoftë brenda, qoftë jashtë, të cilët është dashur të pajisen brenda një kohe të shkurtër me dokumentacion të ndryshëm, dhe në këtë drejtim ka pasur edhe çalime. Tashmë, pothuajse, janë eliminuar të gjitha procedurat burokratike dhe jemi shumë të bindur që kësaj radhe mërgata jonë nuk do të ketë nevojë që të humb kohën, për shkak të procedurave burokratike që kanë ekzistuar. Janë eliminuar pothuajse të gjithë faktorët që kanë ndikuar në këtë çështje.
Në këtë aspekt - sa ka ndikuar marrëveshja për lëvizjen e lirë në bisedimet me Serbinë në Bruksel? Kemi parasysh faktin që bashkatdhetarët tanë ankohen për probleme gjatë ardhjes në Kosovë nëpër territorin e Serbisë.
I.Makolli: Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për obstruksionet që Serbia ia bën Kosovës. Në këtë kuadër - edhe shtetasve të saj, të cilët lëvizin nëpër territorin e Serbisë për të ardhur në Kosovë. Serbia po vazhdon edhe më tutje të jetë peng e politikës së kaluar, natyrisht duke sanksionuar drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës, të cilët në një formë apo një tjetër - i sheh fajtorë pse Kosova është në këtë gjendje që është dhe pse Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe sovran. Serbia me këtë po përpiqet që t’i dekurajojë, që t’i lodhë qytetarët e Kosovës, të cilët zgjedhin territorin e Serbisë për të ardhur në Kosovë. Megjithatë, ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që veprime të tilla të Serbisë do të ndodhin edhe në të ardhmen, sepse qëllimi i Serbisë është që në çdo formë ta pengojë zhvillimin e Kosovës, t’i pengojë qytetarët e saj. Ne, natyrisht, do ta përdorim faktorin ndërkombëtar për t’i bërë me dije se Serbia nuk respekton marrëveshjet që janë arritur, por ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për pengesat që Serbia po ia bën Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Bashkatdhetarët vazhdojnë të paguajnë një shumë të caktuar për sigurimin e automjeteve nëpër kufij, qoftë nga Serbia qoftë nga vendet tjera. A është kërkuar që të hiqet kjo, ngase është një prej ankesave të tyre të vazhdueshme?
I.Makolli: Po, ky vazhdon të jetë një prej shqetësimeve tona - detyrimi për polisën kufitare të sigurisë, për shkak se Kosova nuk është pjesë e kartonit të gjelbër. Ne kemi kërkuar në vazhdimësi, edhe nga autoritetet, nga Shoqata e Sigurimeve në Kosovë, kompanitë e sigurimeve, por edhe nga Banka Qendrore, që të ndërmerren të gjitha veprimet, në mënyrë që të eliminohet nevoja për t’u pajisur me polisën kufitare të sigurisë, dhe nëse nuk ka një mundësi të tillë - atëherë që të shikohet mundësia që çmimi të jetë më i ulët dhe kohëzgjatja të jetë njëvjeçare dhe jo të detyrohen qytetarët tanë që të paguajnë, qoftë edhe për një ditë, nëse vjen të paguajë atë shumë. Domethënë - është një prej shqetësimeve tona dhe po punojmë për eliminimin e kësaj pengese që tashmë, me plotë të drejt, është shqetësim edhe i mërgimtarëve, por edhe i yni.
Ministër, çka do t’ju thoshe mërgimtarëve: a munden ata të vijnë për pushime në Kosovë, duke shfrytëzuar territorin e Serbisë?
I.Makolli: Ne e kemi një marrëveshje me Serbinë për lëvizje të lirë, marrëveshje të cilën nuk po e respekton Serbia, dhe qytetarët tanë duhet të jenë shumë të kujdesshëm për të mos ua dhënë rastin policisë, xhandarmërisë, autoriteteve të ndryshme të Serbisë, që ta përdorin lëvizjen e tyre nëpër territorin e Serbisë, për t’i arrestuar me akuza nga më të ndryshmet. Dhe këto, kryesisht, bëhen për shkak të përfitimeve materiale që Serbia ka ndaj tyre. Ajo që e them unë është që të gjithë ata që mendojnë se mund të jenë objekt i keqtrajtimi, ose i arrestimeve të ndryshme, që kanë ndonjë dyshim se Serbia mund të ngreh ndonjë akuzë ndaj tyre, që të jenë shumë të kujdesshëm gjatë lëvizjes së tyre nëpër territorin e Serbisë, ose ta mendojmë mirë para se të lëvizin nëpër territorin e Serbisë, sepse Serbia edhe më tutje po përdor praktika të njëjta, sikur që ka përdorur në regjimin e Millosheviqit.
Kjo i bie që të gjithë të kenë kujdes, për faktin se kemi raste kur Serbia, pa ndonjë fakt, ka arrestuar qytetarët e Kosovës?
I.Makolli: Jo kemi raste, por të gjitha rastet e deritashme të arrestimit të shtetasve tanë në territorin e Serbisë, janë raste të krijuara artificialisht, madje janë arrestuar edhe njerëz të cilët për kohën kur akuzohen kanë qenë në botën e jashtme dhe nuk kanë pasur asnjë lidhje me atë që ka ndodhur në Kosovë. Do të thotë: Serbia i bën për qëllime të saj politike dhe sikurse e dini, deri tash, në krye të Ministrisë së Brendshme ka qenë Daçiqi, që tashmë është nominuar për kryeministër të Serbisë, dhe i cili, madje ka arritur që të fitojë poena politikë, kryekëput për shkak të arrestimeve që ka bërë ndaj shqiptarëve, të cilët kanë lëvizur nëpër territorin e Serbisë. E thash edhe njëherë: duhet të jenë shumë të kujdesshëm, për shkak se nga Serbia mund të pritet gjithçka.
Kontributi i bashkatdhetarëve tanë vazhdimisht ka qenë shumë i rëndësishëm, a mund të na thoni cili është ndikimi i remitencave në ekonominë e Kosovës?
I.Makolli: Jo vetëm që ka qenë i ndikueshëm, por e them se, tash e 22 vjet, mërgata ka qenë kontribuuesja kryesore e të gjitha zhvillimeve në vend. Periudha 90-97, kur organizimi i jetës në Kosovë në të gjitha fushat e saj, ka ndodhë qind për qind me kontributin e mërgatës, sepse brenda nuk është realizuar asnjë e hyrë. Po ashtu, mërgata jonë, jo vetëm materialisht, por edhe fizikisht, e ka mbajtur luftën në Kosovë, dhe mërgata jonë është ajo që edhe pas luftës e ka rindërtuar Kosovën. Gjithë ato pasoja të luftës janë sanuar kryekëput nga mërgata jonë. Mërgata vazhdon edhe tash, përkundër vështirësive që ka në vendin ku jeton, për shkak të krizës financiare që ka kapluar shumicën e vendeve e të botës, por megjithatë është një prej kontribuuesve të mëdha në buxhetin e Kosovës. Vlerësohet se në Kosovë, së paku 500 milionë euro në vit, hyjnë nga remitencat e mërgatës sonë. Do të thotë se - kontributi i mërgatës është shumë i madh, jo vetëm në zbutjen e gjendjes ekonomike në Kosovë, por edhe në procesin zhvillimor dhe ekonomik të Kosovës, sepse shumica e bizneseve që janë hapur në Kosovë, janë me mjete të mërgatës.
A ka rënie të remitencave?
I.Makolli: Në bazë të statistikave, janë shënuar rënie, por ato nuk janë të mëdha. Megjithatë, në bazë të statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës, vazhdon të mbetet po e njëjta gjendja që ka qenë vitin e kaluar në këtë periudhë kohore.
Komuna e Suharekës sivjet, në kuadër të aktiviteteve të saj për mërgimtarët, ka paraparë hapjen e shkollës verore për fëmijët e mërgimtarëve, ku do të ligjërohet kryesisht gjuha shqipe, letërsia, gjeografia dhe historia. Pse nuk ka në nivel vendi një aktivitet të tillë për fëmijët e mërgimtarëve?
I.Makolli:Jo, ka. Por ju, sigurisht, nuk e dini që ka. Këtë vit do të jenë tri organizime të tilla: Universiteti Amerikan, komuna e Therandës, Ministria e Diasporës dhe Programi për Zhvillim i Ambasadës Zvicerane. Po ashtu, do ta hapin shkollën verore në Therandë dhe Ministria e Diasporës ka hapur një shkollë verore, e cila do të mbahet, besoj diku në bjeshkë të Rugovës. Do të thotë - është një pilot-projekt këtë vit, për të parë interesimin e fëmijëve tanë në mërgatë, ndërkaq për vitin e ardhshëm kemi planifikuar që shkolla të tilla të hapen në të gjitha komunat, ku ka prani më të madhe të mërgatës sonë. Janë programe të cilat ne po i testojmë në fillim, për të parë interesimin e mërgimtarëve tanë, për të marrë pjesë në këto shkolla verore. Ne, po ashtu, parashohim këtë vit të organizojmë edhe kampe dimërore, gjatë muajit dhjetor, me fëmijët nga mërgata.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus