Kryesore » 2011 » Tetor » 21 » Lëvdojnë veten
2:27 PM
Lëvdojnë veten
Anëtarë të Kabinetit qeveritar nuk i kanë kursyer lëvdatat për vete, të enjten, teksa kanë folur në një tryezë për të arriturat ekonomike të vendit.Kabineti i ministrave të Qeverisë së Kosovës ka prezantuar të arriturat e deritashme, por edhe sfidat me të cilat janë ballafaquar, që nga implementimi i Planit për zhvillim ekonomik të Kosovës 2011-2014, i përgatitur në prill të këtij viti në Bullgari. Ministrat e sektorëve të fushës së ekonomisë kanë pasur mundësinë që të shpalosin të arriturat, në takimin me temën "Objektivat dhe prioritetet e Planit për Vizionin Ekonomik të Kosovës 2011-2014 dhe arritjet e deritanishme”.
Në mungesë të shefit të Qeverisë, Hashim Thaçi, takimin e ka udhëhequr Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se ky plan është hartuar duke u bazuar në katër shtylla kryesore, zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe mirëqenien sociale."Ne çfarë mund të bëjmë më së miri është të ulim barrierat e të hyrit në biznes, e të bërit biznes, barrierat e zhvillimit të sektorit privat dhe natyrisht t’i ofrojmë aftësitë konkurruese në ata sektorë, të cilët kanë mundësi zhvillimi dhe potencial më të madh. Gjithashtu, zhvillimi ekonomik dhe përcaktimet zhvillimore të këtij plani janë prezantuar në rritjen e konkurrencës, fuqizimin e sektorit privat, gjenerimin e punësimit, përmirësimin e imazhit të Kosovës për investime dhe ambientin e sigurt dhe stabil për biznese”, ka thënë Kusari-Lila.Gjithashtu, nga ardhja e saj në pozitën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është arritur t’i vihet freni i rënies së Kosovës në indeksin e Bankës Botërore. Sipas Ministres Kusari-Lila, Kosova ngrihet dy vende më lart, gjegjësisht në vendin e 117’të, duke e konsideruar një të lajm mirë.

Ajo ka shtuar se nga viti i ardhshëm deri më 2014, synohet rritja e zhvillimit ekonomik 7 deri 8 për qind, ndërsa për këtë vit parashihet një rritje ekonomike prej 5.5 për qind. Po ashtu, parashihet një ulje e papunësisë prej 8 deri 10 për qind nga numri i të papunëve të regjistruar.

Nga ana tjetër, Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se kontribuues kryesorë në këtë rritje për vitin 2011 do të jenë investimet, konsumi dhe eksporti. Sipas tij, ruajtja e investimeve publike vazhdon të jetë mjaft e lartë, ose rreth 11 për qind e GDP’së.

Për më tepër, ai ka theksuar se importi gjatë kësaj periudhe ka qenë stabil, ndërsa eksporti ka shënuar rritje 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Inflacioni për vitin 2011 pritet të jetë në shkallën 7 për qind, ndërsa faktorët që ndikojnë në këtë janë çmimet e naftës dhe të ushqimit.

Ministri i Financave ka thënë se edhe për buxhetin 2012 ka një harmoni me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që do të hapte rrugë për rikthimin në programin ‘Stand By’ dhe qasjen e në fondet e FMN’së.

"Kur jemi te mbështetja buxhetore edhe për buxhetin e vitit 2012, kemi arritur harmonizim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ne jemi shumë të vendosur dhe shumë optimistë që do të respektojmë marrëveshjen aktuale me FMN’në dhe kjo çel rrugën për një marrëveshje ‘Stand By’ dhe që i jep Kosovës qasje edhe nga FMN’ja, edhe nga Banka Botërore për buxhetin e ardhshëm”, ka thënë Hamza.

Ndërkaq, Fehmi Mujota, Ministër i Infrastrukturës, ka folur për projektin e autostradës Vërmicë-Merdar, ku deri më tash kanë përfunduar punimet në katër seksionet e para, ndërsa po punohet në seksionin e pestë.

"Projekti ka përparuar shumë dhe gjatë vitit 2011, 38 kilometrat e para do të lëshohen në përdorim. Pra, në fund të muajit tetor, do të finalizohen 38 kilometrat e para dhe do të mund t’i kemi në përdorim. Tashmë seksionet 1,2,3 dhe 4 kanë përfunduar në 95 për qind të punimeve që do të ekzekutohen, ndërsa po punohet edhe në seksionin e pestë”, ka theksuar Mujota.

Po ashtu, ai ka shtuar se në fillim të vitit kanë qenë të punësuar 1500 punëtor në këtë punishte, ndërsa në këtë momentin janë të angazhuar 3800 punëtorë, prej tyre 70 % vendas.

Edhe ministrat e tjerë të kabinetit qeveritar kanë prezantuar të arriturat e deritashme, si dhe projektet që janë në përfundim e sipër.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus