Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duket se nuk është i interesuar që të zbardhet e kaluara e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe shërbimeve të tjera paralele. Pavarësisht se drejtuesit e partisë së Isa Mustafës disa herë kanë akuzuar SHUIK-un për veprimtari të kundërligjshme, ligjvënësit nga ky subjekt politik nuk janë duke e mbështetur iniciativën për hetimin e kësaj organizate. Iniciativa për hetimin e Shërbimit Informativ të Kosovës, që nuk ka gjetur përkrahjen e deputetëve të partisë më të madhe opozitare në vend, është nisur nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ndërsa është vazhduar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi. Ky i fundit thotë se nismën për krijimin e komisionit për hetimin e SHIK-ut e kanë mbështetur vetëm njëzet e shtatë deputetë, ndërkaq, do të duheshin dyzet e një nënshkrime për t’ia arritur qëllimit.
"E kemi nënshkruar ne të Vetëvendosjes, deputetët e AAK-së me përjashtim të Blerim Shalës dhe Ramiz Kelmendit, që trishtohen prej SHIK-ut. Janë vetëm dy të LDK-së, Sali Asllanaj, Lutfi Haziri dhe sy të AKR-së, Suzan Novoberdali dhe Emin Gërbeshi. Unë jam i shokuar, LDK-ja është partia më e dëmtuar nga SHIK-u, nuk e di pse nuk po e mbështesin”, thotë Krasniqi.
Por, drejtuesit e LDK-së mohojnë se nuk janë të interesuar që të zbardhet veprimtaria e SHIK-ut, por siç thonë ata, kjo duhet të bëhet duke vepruar ligji dhe jo duke hedhur benzinë në zjarr.
"Edhe lideri ynë sapo ka kërkuar zbardhjen (e vrasjeve të anëtarëve të LDK-së), e kjo nuk iu mjafton njerëzve. Duhesh të kesh një kurajë prej budallai që të thuash se LDK-ja e paska harruar krejt dhembjen edhe krejt shkatërrimin që ia bëjnë tjetër. Ne edhe me dashtë nuk guxojmë që ta harrojmë”, thotë anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu.
Ai thotë se arsye pse drejtuesit e LDK-së janë kundër nënshkrimit të nismës në fjalë, është se nuk dihen motivet e iniciatorëve, përkatësisht ligjvënësve të caktuar. "Po ndodh nganjëherë në mënyrë shumë primitive po instrumentalizohen ato nismat e përbashkëta të partive opozitare, tani vetëm për qëllime të një subjekti, bile dy-tre vetave që kanë dëshirë për një karrierë me çdo kusht”, shprehet ai.
Por, krejtësisht ndryshe mendojnë analistët politikë. Ani Zogiani thotë se SHIK-u ka punuar nëpërmjet shatantazheve, gjë që sipas tij, është tregues se deputetët e LDK-së mund të jenë të shantazhuar nga strukturat e këtij shërbimi.
"Ka shumë mundësi që ekziston një marrëdhënie shatanzhi. Ndryshe s’mund ta shpjegoj faktin që lideri i LDK-së në vazhdimësi është duke e atakuar SHIKun, në anën tjetër është paradoks që mund të shpjegohet vetëm me shatanzhimin e deputetëve veç e veç”, thotë Zogiani.
Ai thekson se bazuar në deklaratat e udhëheqësve të SHIKut, sipas të cilëve kjo organizatë ka pasur kapacitete për të punuar jashtëzakonisht shumë, është tregues se Shërbimi Informativ i Kosovës ka fuqi që t’i shantazhojë deputetët edhe kur ata janë shumicë në numër.
Ndryshe një javë më parë, mediet prezantuan një letër të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), ku flitej për vrasjet politike në Kosovën e pasluftës. Sipas EULEX-it, shumë anëtarë të LDKsë janë vrarë, vetëm pse ishin rivalë të partive të tjera politike.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus